Osmani: Një rrugëtim 20-vjeçar, me rënie e ngritje, mund e djersë, lot gëzimi 

Volejboll

Osmani: Një rrugëtim 20-vjeçar, me rënie e ngritje, mund e djersë, lot gëzimi 

Nga: K. G. Më: 19 prill 2020 Në ora: 16:12
Arbon Osmani

Arbon Osmani, prej volejbollistëve më të mirë që ka pasur Kosova, ka shkruar një letër të hapur dhe emocionuese.  

“Më shumë së kurrë së në këtë kohë kur po thuajse të gjithë jemi izoluar, dhe veç tjerash kujtojmë ditët e "lirisë" të një muaji më parë, shikoj e rishikoj çmimet e mia individuale, meritat, mirënjohjet, kupat e medaljet, që fjala lavdi do të përmbledhte të gjitha këto atribute.

Një rrugëtim 20-vjeçar, me rënie e ngritje, mund e djersë, lot gëzimi, e që besa nganjëherë edhe hidhërimi, por kurrë kokën poshtë, edhe atëherë kur skajshmërisht ishim të mbytur në dëshpërim.

Sikur të dija, se një ditë me krenari do të kthehesha në retrospektivë e të vështroja rrugën e ndritur nëpër të cilën eca, bashkë me të gjithë ata që bashkëpunova, luajta e ngritëm lart trofetë e ngadhnjimit. Gëzimet na largonin mendjen nga kushtet prej të cilave ishim të rrethuar, gjersa ushtronim e luanim. Ëndrra ishte e madhe. Misioni ishte i vështirë, por jo edhe i pamundur.
Ishte e mundur vetëm të imagjinoja, se një ditë do të bëhesha trajneri i parë në Kosovë, që pas ndërkombëtarizimit të volejbollit, ta përfaqësoja Kosovën në arenën ndërkombëtare, me klubin e Drenicës.

Nuk e kisha ëndërruar çmimin e trajnerit më të mirë në Kosovë, nuk e kisha ëndërruar çmimin e lojtarit më të mirë në Kosovë, nuk e kisha ëndërruar çmimin e sportistit më të mirë në Skenderaj, nuk kisha ëndërruar dhe shumëçka.
Por ja, sot, pas gjithë atij rrugëtimi, ëndrrat vijnë për t'u bërë realitet.

Një histori në vete.

Jam krenar me këto të arritura, po aq sa me familjen e cila më mbështeti pa kursyer asgjë, që unë të ndjeki ëndrrat e mia. Jam krenar dhe falënderues ndaj secilit tifoz që ka brohorit jo vetëm emrin tim, por edhe të Drenicës, dhe për sukseset tona të përbashkëta.

Po të mos ishit Ju, nuk do të isha në majen e këtij suksesi”, shkroi Osmani në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat