Sezoni i volejbollit drejt anulimit

Volejboll

Sezoni i volejbollit drejt anulimit

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 16:49
Sezoni i volejbollit drejt anulimit

Volejbolli shqiptar, ashtu sikurse të gjitha sportet, ndodhet në një situatë të paprecedentë për shkak të kaosit me pandeminë e Koronavirusit. Për më shumë se tre muaj, gjithçka qëndron pezull e ndonëse skuadrat kanë nisur të stërviten, ende mungon leja për aktivitetet në salla të mbyllura. Shpresat për një rikthim në parket sa vijnë duke u shuar dhe tashmë mund të themi se ky sezon po shkon drejt anulimit. Këtë e konfirmojnë edhe burime pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit e ky edicion praktikisht mund të konsiderohet i mbyllur.

Kjo, edhe për shkak të hapësirës kohore, sepse, siç dihet, data 15 korrik është afati i fundit i dhënë nga Konfederata Europiane e Volejbollit (CEV). Kështu që, nëse nuk niset brenda një jave, është thuajse e pamundur që të zhvillohet edhe faza “play off”. FSHV tani duket më shumë e fokusuar te sezoni i ardhshëm, pasi kampionati i ri pritet që të fillojë më shpejt se zakonisht (brenda mesit të shtatorit dhe jo në tetor). Një situatë që pritet të hapë shumë debate, pasi ende  nuk dihet se si do të veprohet me çështjen e titullit. Paraprakisht, federata kishte deklaruar se nëse nuk do të jetë mundësia për të rinisur, nuk do të shpallen ekipet kampione, por renditja aktuale do të shërbejë vetëm për të përcaktuar skuadrat që do të marrin pjesë në Kupat e Europës.

Ndërsa Erzeni, skuadra kryesuese në kampionatin e meshkujve, e kishte kundërshtuar këtë propozim, ku kërkonte që t’i jepej titulli. Gjithashtu mbetet për t’u mësuar nëse do të ketë skuadra që do të bien dhe do të ngjiten nga kategoria te kampionati i femrave. Të gjitha këto pritet të vendosen në asamblenë e jashtëzakonshme që do të mbahet sot në orën 10:00 në Parkun Olimpik të Tiranës. FSHV ka njoftuar se kjo mbledhje do të zhvillohet në parketin e sallës “Feti Borova”, duke respektuar distancat dhe normat anti-“COVID”. Kështu, sporti i rrjetës sot do të zyrtarizojë verdiktet për sezonin 2019-2020.

Në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, Erlind Pëllumbi, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, e quan të çuditshëm ndalimin e aktiviteteve të volejbollit nga autoritetet, pasi e konsideron sportin e rrjetës më pak të rrezikshëm për përhapjen e virusit se sportet e tjera: “Volejbolli është sporti më pak i rrezikshëm në këtë situatë ku ndodhemi, pasi lojtarët janë në distancë nga njëri-tjetri dhe nuk kanë kontakt fizik. Nuk e kuptoj këtë vendim, por përderisa autoritetet përkatëse kanë vendosur që të mos lejohet, ne duhet që ta respektojmë”, u shpreh kreu i FSHV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat