Në prag të finales Ferizaj - Prishtina Volley, Lajçi: Në finale nuk ka favorit  - Bota Sot
Në prag të finales Ferizaj - Prishtina Volley, Lajçi: Në finale nuk ka favorit 

Volejboll

Në prag të finales Ferizaj - Prishtina Volley, Lajçi: Në finale nuk ka favorit 

Nga: Kemajl Goca Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:15
Lajçi: Në finale nuk ka favorit 

Të gjithë me sy janë nga finalja e parë e play-off-it të Superligës A (meshkujt), mes Ferizajt dhe Prishtina Volley. Dy ekipet më të mira në vendin tonë, do të luftojnë njëra me tjetrën në luftë për titullin e ri të kampionit, titull që do të peshojë shumë në rrethanat e pandemisë dhe që do të mbahet mend përgjithmonë. 

Volejbollisti i Prishtina Volley, Skënder Lajçi, tha se në finale nuk ka favorit. Kapiteni i prishtinasve me qetësi e pret sfidën dhe sipas tij, janë të përgatitur maksimalisht.   Finalja e parë luhet nesër në orën 18:00 në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj. 

“Nesër do të udhëtojmë në Ferizaj për ta zhvilluar ndeshjen e parë finale, besoj që do të jetë një ndeshje e mirë dhe cilësore. 
Ne do të tentojmë që nesër ta shfrytëzojmë mundësinë e një fitoreje për të rikthyer gjithçka në favorin tonë për ndeshjen e kthimit.

Image

Gjatë Kampionatit skuadra kundërshtare ka zhvilluar disa ndeshje të mira në përballje direkte me skuadrën tonë, por ne jemi duke i analizuar këto ndeshje dhe nuk do të lejojmë t’i përsërisim ato gabime”, tha Lajçi për gazetën Kombëtare “Bota sot”.

Më tej volejbollisti tregon se ka pasur edhe disa telashe gjatë kampionatit: “Personalisht gjatë gjithë këtij kampionati kam pasur një lëndim i cili nuk më ka lejuar ta ndihmoj ekipin me gjithë kapacitetin tim, dje ishte ndeshja e parë që arrita të luaj pa lëndim dhe deri në fund të ndeshjes arrita që ta rikthej edhe besimin, edhe të gjithë bashkëlojtarët janë në gjendje të mirë, ku gjatë gjithë kësaj periudhe kemi bërë një punë të mirë kolektive si skuadër dhe shpresojmë qe ta kurorëzojmë me sukses në finale”.

Lajçi është i bindur se do të zhvillohet një finale e mirë.

Image

“Nesër është ndeshje finale dhe në finale nuk ka  favorit. 
Ne nesër udhëtojmë me bindje për ta zhvilluar një ndeshje të mirë e pse jo edhe për të fituar, do t’i shfrytëzojmë edhe përparësinë e disa lojtareve me përvojë në skuadër por edhe punën e mirë kolektive që e kemi bërë”, përfundoi Lajçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat