Sporti shqiptar në ditët më të rënda, Ministria e Shëndetësisë jep përgjigje negative!

Volejboll

Sporti shqiptar në ditët më të rënda, Ministria e Shëndetësisë jep përgjigje negative!

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 11:28
Sporti shqiptar në ditët më të rënda, Ministria e Shëndetësisë jep përgjigje negative!

Sporti shqiptar po përjeton ditët më të rëndë në histori.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i ka kthyer përgjigje negative Federatës Shqiptare të Volejbollit. 

“Për dijeni: Federatës Shqiptare Të Volejbollit
Në përgjigje të shkresës suaj të regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me nr. 3896/ 1 Prot, datë 27.08.2020, me lëndë: “Mbi kërkesën e Federatës Shqiptare të Volejbollit për zhvillimin e aktiviteteve sportive” ju bëjmë me dije si më poshtë vijon: Aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe volejbollin, konsiderohen aktivitete me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit “COVID-19”. Bazuar në pikën 2 te Urdhrit nr. 326, datë 15.05.2020 “Për kufizimin e aktiviteteve sportive” të ndryshuar, aktivitetet sportive dhe stërvitjet e sportistëve në ambiente të mbyllura vijojnë të jenë të ndaluara.

Gjithashtu, ju sjellim në vëmendje se grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura janë të ndaluara sipas Urdhrit nr. 351, datë 29.05.2020 Për “Marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së ‘COVID-19’ të ndryshuar. Kërkesa juaj është shqyrtuar edhe në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili duke vlerësuar situatën epidemiologjike në vendin tonë, shtimin e rasteve të reja, vendosi se aktualisht nuk është e mundur hapja e aktivitetit sportiv të volejbollit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet në përhapjen e infeksionit ‘COVID-19’. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, zëvendësministër Mira Rakacolli”, shkruan në letrën e ministrisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi u shfaq shumë i zhgënjyer pas përgjigjes që FSHV-ja mori nga ministria, ku volejbolli do të vazhdojë të jetë i ndaluar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Pëllumbi e quan të pakuptimtë ndalimin volejbollit: “Nuk arrij ta kuptoj dhe nuk gjej fjalë ta shpjegoj këtë gjë. Të hapësh kinematë, baret, shkollat dhe çdo gjë, e në krahun tjetër të thuash që volejbolli është sport i rrezikshëm është vërtetë e pakuptimtë, në një kohë kur i gjithë rajoni ka nisur aktivitetet. Kosova mbaroi një kampionat dhe ka nisur tjetrin, e tashmë është në javën e katërt. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu kanë filluar. Italia madje ka hapur dyert edhe për tifozët.

Kemi mbetur i vetmi vend në Europë që e ndalojmë sportin. Nuk e di se ku qëndron problemi, a është paaftësi apo mosmenaxhim? Apo nuk kanë informacionin e duhur. Ne kemi bërë të gjitha bisedat e nevojshme, u kemi dërguar çdo informacion dhe i kemi treguar se çfarë ndodh në rajon, por përfundimi është ai që tashmë dini të gjithë. Një situatë e paprecedentë, që na bën të jemi i vetmi vend në botë që ndalon sportin”, deklaroi kreu i FSHV-së. Ndërkohë federata ka njoftuar të gjitha klubet për përgjigjen negative që mori nga ministria, ndërsa u bën me dije se FSHV-ja do të vazhdojë të insistojë për ta marrë lejen e shumëdëshiruar për t’u kthyer në parket.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat