Reagon FSHV

Volejboll

Reagon FSHV

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 11:42
Reagon FSHV

Pas reagimit të presidentit Erlind Pëllumbi, Federata Shqiptare e Volejbollit ka dalë dje me një deklaratë për shtyp, pas marrjes së përgjigjes negative nga Ministria e Shëndetësisë për të nisur edicionin sportiv, duke “shigjetuar” drejtpërdrejt Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Sporteve. Ja komunikata e plotë e FSHV-së:

“Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) shpreh keqardhjen dhe indinjatën e saj për vendimin e datës 19 tetor 2020, që refuzon rifillimin e sportit tonë. Pas shumë kërkesave të përsëritura prej një periudhe 7-mujore nga FSHV-ja, dhe në momentin kur mendonim se do t’i riktheheshim fushës së lojës, vjen dhe përgjigja më e pakuptimtë e Ministrisë së Shëndetësisë e cila vazhdon të ndalojë aktivitetet në mjedise të mbyllura të kampionateve kombëtare të volejbollit.

Ndërkohë që janë hapur e funksionojnë palestrat e ‘fitness’-it, qendrat tregtare, transporti publik, baret, restorantet, shkollat, kinematë etj., Ministria e Shëndetësisë e konsideron sportin e volejbollit me rrezikshmëri të lartë në përhapjen e virusit ‘COVID-19’. Një gjë e tillë vjen teksa ekspertët e mjekësisë dhe shëndetit anembanë botës e kanë ulur nivelin e perceptimit të rrezikut për shumicën e sporteve në përgjithësi dhe volejbollit në veçanti.

Ajo që duhet theksuar është se kjo përgjigje e Ministrisë së Shëndetësisë nuk merr parasysh as faktin se volejbolli ka një veçanti, që ekipet janë të ndarë nga njëri-tjetri dhe lojtarët luajnë në një fushë 162 m2, e cila ndodhet në një hapësirë 800 m2 minimumi. Edhe elementet e tjera që përbëjnë lojën e volejbollit zhvillohen në fraksione të sekondës, gjë që e bën të pamundur transmetimin e ‘COVID-19’.

Duke marrë parasysh këto fakte, është shqetësuese që Ministria e Shëndetësisë nuk thellohet, pavarësisht informacioneve të shumta që i kemi dërguar se si po menaxhohet ky sport në rajon e më gjerë. Kjo nënkupton se Komiteti i Ekspertëve nuk është thelluar fare në këto specifika, duke përcjellë një përgjigje shabllon. Kjo është në kontrast të plotë me atë që në të gjithë Evropën po luhet volejboll, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia etj. e për të kulmuar me Italinë, që është edhe epiqendra e ‘COVID-19’ në kontinent. Ndeshjet e Ligës së Volejbollit atje i ndjekin edhe spektatorët e distancuar.

Së fundmi, por jo më së paku, duke pasur parasysh edhe faktin se u kemi dërguar autoriteteve përkatëse një protokoll shëndetësor ‘anti-COVID-19’ të bazuar në modelet më të mira anembanë Europës, por edhe ai që po përdoret në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, ku rastet janë më të shumta, por volejboll luhet. Federata Shqiptare e Volejbollit e cilëson përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, në rastin më të mirë, një vlerësim të bazuar në paaftësi për të gjykuar mbi arsyetim të shëndoshë dhe shpreh gatishmërinë e saj të ulet me ekspertët për të bërë të mundur të luhet sport.

Ndërkohë, i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë të zgjohet nga ‘gjumi letargjik’ si ministria përgjegjëse për mbarëvajtjen e sportit në Shqipëri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat