Mehmeti: Prishtina F është në rrugë të mirë, klub model dhe me 70 të reja

Volejboll

Mehmeti: Prishtina F është në rrugë të mirë, klub model dhe me 70 të reja

Nga: Kemajl Goca Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 15:28
Mehmeti: Prishtina F është në rrugë të mirë, klub model dhe me 70 të reja

Puna, angazhimi dhe lojërat cilësore po iu shpërblehet me rezultate klubit më të vjetër në kryeqytet në konkurrencën e femrave, Prishtina F. 

Volejbollistet e Prishtinës po tregojnë lojëra gjithnjë e më të mira dhe si produkt i kësaj kanë arritur pesë fitore rresht, të cilat me 15 pikë kryesojnë në Superligën e Kosovës. 

Drejtori sportiv i klubit, Mehdi Mehmeti, është i kënaqur jo vetëm për nga rezultatet por edhe nga angazhimi i vashave në secilën ndeshje.

Image

Mehdi Mehmeti

“Prishtina është në hapa të mirë, edhe pse klubi është konsoliduar me lojtare vendore, si Entela Muqolli, Natalia Tahiri, Albesa Drushtini, Mirjeta Bylykbashi, përforcime këto që iu janë bashkuar klubit, po ashtu kemi pasur edhe kapitenen Jehona Berishën dhe lojtaren kryesore Donika Xhemajli. 

Klubi iu është bashkuar edhe Shtabi Teknik në krye me prof. dr. Bahri Gjinovcin, edhe trajneri i mirënjohur Adriatik Kajtazi, kështu që klubi është në rrugë të mirë.

Tani i kemi tre ndeshjet kryesore, si Dritën, M-Technologien, Skenderajn, që janë ndeshjet më të vështira, megjithatë klubi tonë i nevojitet një fitore prej këtyre tri ndeshjeve, edhe që të jetë fuqishëm, të paktën në vendin e dytë në stinorin vjeshtor”, tha Mehmeti për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Image

Ai ka fjalë miradije për punën që po bëhet në klub nga trajnerët dhe presidentja. 
“Jam i kënaqur me lojtaret, Shtabin Teknik, me punën e presidentes dhe të sekretarit, në përgjithësi. Edhe për vitin e ardhshëm, e kemi të hapur deri në janar që mund të marrim dy përforcime nga shtetet e jashtme dhe besoj se mund të arrijmë. 

Ma merr mendja në sezonin pranveror do të jetë një volejboll i nxehtë në Republikën e Kosovës. Në qoftë se nuk mund të arrijmë të bëhem kampion, prapëseprapë klubi po e merr formën dhe është një klub model ashtu si i ka hije kryeqytetit”, tha më tej.

 Të vetmin problem e kanë çështjen e sponsorit të qëndrueshëm: “Klubi të vetmin problem që e ka është gjetja e një sponsorit të qëndrueshëm edhe pse komuna këtë vit na ka subvencionuar mirë, e falënderoj kryetarin e Komunës Shpend Ahmeti, drejtorin e drejtoratit të Sportit në Prishtinë. 

Sponsor i qëndrueshëm deri me tash është ‘Uji Rugova’, i cili çdo vit i del në ndihmë klubit. Një herë me pajisje, pastaj ujin e kemi çdo herë nga ta, ku e falënderojmë drejtorin e kësaj kompanie. 
Presidentja e klubit, Ganimete Gërbovci, është në biseda me një sponsor serioz, që pritet ta realizojmë kontratë”. 

Në klubin me të vjetër i kushtohet shumë rëndësi të rejave. “Klubi i të rejave që e udhëheq Arjeta Hyseni, në gjirin e saj ka afro 70 lojtare. Tash marrin pjesë në mënyrë aktive në paralojë, këtu duhet me falënderuar edhe fakultetin e edukimit sportiv, i cili po na mundëson zhvillimin e stërvitjeve dhe të garave”, nënvizon drejtori sportiv. 

Synimet e Prishtinës janë që të luftojnë të futen në play-off dhe për trofe.  “Besoj se me punën e palodhshme të Gjinovcit dhe Kajtazit, synimi ynë është që të marrim pjesë në garat e play-off-it,  plus jemi gjysmëfinalist të Kupës së Kosovës. Falënderoj edhe transportuesin ‘Medita travel’, i cili në mënyrë profesionale e bënë bartjen e ekipit tonë. 

Klubi pret shumë edhe prej talentes Finesa Sylejmani, e cila ditë e më shumë po tregon lojëra të mira. Klubi ka një disiplinë shumë të mirë, harmoni shumë e mirë, shpresojmë se në stinorin vjeshtor të mbetem në vend të dytë, edhe nëse jo, ne jemi të kënaqur me lojëra dhe rezultatet e vashave tona”, thotë Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat