Adelajda Prenga shprehet kritike për mënyrën se si votojnë, por ndihet krenare që është më e mira në Kosovë! 

Volejboll

Adelajda Prenga shprehet kritike për mënyrën se si votojnë, por ndihet krenare që është më e mira në Kosovë! 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 23 shkurt 2021 Në ora: 19:27
Adelajda Prenga shprehet kritike për mënyrën se si votojnë, por ndihet krenare që është më e mira në Kosovë! 

Është luftarake në fushën e lojës, po ashtu edhe shembull i një sportisteje me kulturë perëndimore jashtë fushës sportive!  

Është nga Rrësheni i Shqipërisë, e martuar në Gjilan me trajnerin e KVF Dritës, Lorik Ilazi dhe ka nënshtetësinë e Kosovës.

Adelajda ndihet krenare që është pjesë e klubit të Dritës nga Gjilani, lidere e kampionatit, me kushte bindshëm më të mira dhe njëherësh mbron ngjyrat e Kombëtares së Kosovës. Adelajda nuk merret fort me të tjerët por më shumë është e përkushtuar në punë, disiplinë, për fitore dhe për tituj kampioni. 

Image

Adelajda me prindin e saj

Volejbollistja që luan në pozitën e pranueses, kësaj radhe ka vendosur të mos hesht por shprehet kritike për mënyrën se si votojnë për volejbollisten më të mirë në Kosovë. Prenga tregon se a e ka pritur apo jo se do ta zgjedhin volejbollisten më të mirë në Kosovë për vitin 2020. 

“Për të thënë të vërtetën e prisja duke ditur veten që punoj shumë edhe përkushtimin që kam ndaj këtij sporti, por edhe se prisja nga njëra anë duke e ditur që si votohet për zgjedhjen e sportisteve.

Image

Realisht të lëjnë shumë për të dëshiruar duke qenë se nuk janë fare korrekt. Mund të them që para një viti nuk jam votuar nga tre ekipe, që për shembull me ka ndëshkuar që mos të dal më e  mira, ku edhe këtë vit po e njëjta gjë është bërë me lojtare të ekipit tim, që tashmë janë në ekipin e Dritës ku janë lojtare të përfaqësueses edhe nuk kanë marr pikët e merituara, edhe më e keqja kur këta trajner i kanë kërkuar përforcim të ekipet e tyre. Por në fund të ditës unë jam e lumtur me veten duke ditur se sa me pasion e përkushtim e bëjë këtë sport”, thotë Prenga për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Drita nga 12 ndeshje ka po aq fitore dhe me 36 pikë udhëheq renditjen e tabelës në elitën e volejbollit të Kosovës. Prenga me gjithë dominimin e ekipit të saj, mendon se kanë rivale në luftë për titullin e kampionit.

“Duke u bazuar në ndeshjet që kemi luajtur deri me tani mund të them që jemi shumë mirë por sigurisht që kemi rival sepse M-Teknologie edhe Skenderaj janë dy ekipe shumë të mira”, tha ajo.

Në opinionin sportiv përkatësisht të sportit skofiar, shpesh përdoret një thënie e bukur: Ku janë motrat Prenga, Adelajda dhe Arjola,  janë edhe tituj. Kështu nuk mendon Adelajda!

“Nuk mund të them që ku janë motrat Prenga janë titujt sepse kjo është një lojë kolektive në grup ku secila e ka rëndësinë e vet. Por do ta kufizoja ku janë motrat Prenga aty ka punë, disiplinë  e dëshirë shumë të madhe për të fituar, këto besoj pastaj t’i sjellin titujt”, përfundon Adelajda, me bindje të madhe, se Drita do të festojë në fund të kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat