Drita e Maritza premtojnë spektakël

Volejboll

Drita e Maritza premtojnë spektakël

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 17:57
Adelajda Prenga

Drita nga Gjilani premton lojë sa më të mirë ndaj ekipit nga Bullgaria, Maritza Plovdiv, në ndeshjen e parë të Champions League në volejboll (femrat). Ballafaqimi luhet nesër në orën 19.00, në palestrën e sportit "Bashkim Selishta-Petriti" në Gjilan.  Volejbollistja më përvojë, Adelajda Prenga, është optimiste se do të shfaqin lojë të mirë. “Mund të them që jam shumë e lumtur dhe mezi e pres ditën e nesërme. Të gjitha gocat kemi një harmoni shumë të mirë, energji pozitive përditë e më shumë. Ne kemi parë ndeshjet të ekipit kundërshtar, janë në nivel të mirë. Por gjithçka i lihet lojës”, tha Prenga për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ku është rreziku më i madh? “Mund të them që janë më shtatlarta se ne. Sigurisht më më eksperiencë se ne ne të tilla kompeticione”, tha Prenga.  Nga ana tjetër, trajneri Lorik Ilazi, ka lavdëruar skuadrën kundërshtare, e cila sipas tij ka cilësi të madhe, edhe pse për kampionin e Bullgarisë, njëjte sikur për Dritën, ky do të jetë viti i parë i prezantimit në Champions.  Ilazi më tej ka theksuar se KV Drita është përforcuar me amerikanen Capri Richardson dhe brazilianen Melissa Ortega, në dy pozita ku skuadra e tij ka pasur ngecje. Në këtë konferencë ka folur edhe menaxherja e KV Dritës, Blorenta Kadriu, sipas së cilës skuadra gjilanase i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga CEV Champions League. Shtresa speciale me Gerflor është montuar në sallë, po ashtu janë marrë të gjitha masat për një organizim të mirëfilltë, ka thënë Kadriu. Bileta për këtë ndeshje do të ketë çmim prej 3 eurosh. Trajneri i ekipit bullgar Ivan Petkov ka theksuar se volejbollin kosovar e ka njohur nga momenti kur nëpër skuadrat e Kosovës kane luajtur shumë volejbollistë e volejbolliste nga Bullgaria. Sipas tij, volejbolli në Kosovë ka përparim, e nesër Maritza do të hyjë për fitore.

Petkov ka shtuar se VC Maritza ka patur ndryshime të mëdha nga edicioni i kaluar kur u bënë kampion. Sipas tij vetëm 50% e skuadrës ka mbetur, e më shumë se gjysma ka pësuar ndryshime, duke u bazuar ne synimet e këtij klubi edhe në këtë garë evropiane.

Kapitenja e VC Maritza Radosveta Teneva, e ka lavdëruar mikpritjen në Gjilan, prej momentit të ardhjes se tyre, akomodimi e deri te organizimi e përkushtimi që po shihet për ndeshje. Teneva mes tjerash tha: "Pres që nesër të bëjmë një lojë të bukur, në mënyrë që edhe publiku të kënaqet dhe të shohë një spektakël të volejbollit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat