Tani apo para 10 vjetësh kemi pasur volejbolliste më cilësore?

Volejboll

Tani apo para 10 vjetësh kemi pasur volejbolliste më cilësore?

Nga: Edona Gjinolli Më: 26 janar 2017 Në ora: 12:20
Edona Gjinolli

Debate

Vitet shkojnë, gjeneratat ndërrohen, rivaliteti e cilësia në disa sporte rritet e në disa bie.  Volejbolli është prej sporteve që dashurohet nga dy gjinitë (meshkuj e femra), sepse është nga sportet që sjellë atraktivitet në lojën e saj.   Në konkurrencën e femrave, volejbolli nuk ka ndonjë ngritje që mund të mburremi, por që presim që të gjithë që të avancohet më shumë të paktën në cilësi dhe të jemi të denjë për ekipet jo vetëm të rajonit. Para dhjetë vjetësh kemi pasur një gjeneratë më cilësore, një rivalitet më të madh ndërmjet ekipeve, që besa edhe sot nuk mungon, mirëpo, para dhjetë vjetësh ka qenë një gjeneratë më e mirë në disa aspekte, se ka pasur klube që nuk janë bazuar vetëm në një individe, por në tri ose katër që në disa ndeshje ishin edhe vendimtarë.

Tash jemi në një situatë pak më ndryshe ose shumë më ndryshe, pasi që nëse shpallesh kampione me ekip ose fituese e Kupës së Kosovës, atëherë garon në gara evropiane, ky është një motiv shtesë për të gjithë. Është një motiv shtesë edhe për klubet që të gjejnë mjete financiare dhe të investojnë më shumë, në çdo pikëpamje, pse edhe mos të angazhojmë lojtare të nivelit më të lartë nga vendet e ndryshme jo vetëm të rajonit.  Kjo gjeneratë e tanishme është e mirë, duhet komplimentuar, por nuk e ka at nivelin e asaj të para dhjetë vjetësh.  Dalja në garat evropiane ka rritur të gjitha shpresat se do të kemi një kualitet edhe më të mirë, edhe pse ka nivel tani, ka rritje sado kudo por jo sa duhet dhe dëshirojmë të gjithë. Shihet se kemi një gjeneratë të re që po vjen dhe që ka shpirt për lojë, që ka entuziazëm për të punuar dhe arritur qëllimet e tyre. Një gjeneratë që lakmon rezultatet që nesër të jenë dikushi ose të përmenden në botën mediale për sukseset në arenën ndërkombëtare.

Kemi edhe shumë ish-volejbolliste që do të ishte mirë të angazhohen edhe si trajnere dhe të kontribuojnë për të mirë. Ish-volejbollistet që t’i përmendi e me emra do të ishte një numër relativisht i madh, por do të ishte mirë të angazhohen ato dhe të bartin përvojën e tyre me gjeneratat e reja.  Thelbësore është të kemi shkolla sa më shumë të volejbollit, sepse vetëm aty e kemi të ardhmen. Pa shkolla të volejbollit nuk kemi të ardhme.  Puna me të reja apo zbulimi dhe formimi i talenteve do të ishte një fitore për këtë sport skofiar, se nesër do të na shpërblehet me rezultate. Rezultatet nuk arrihen as brenda ditës, as brenda natës, as brenda javës, as brenda muaj, as brenda vitit, duhet të shkojë një periudhë më afatgjate. Në klube nuk mungon disponimi për punë, por mungojnë kushtet.

Autorja është volejbolliste

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat