Rusia dhe Polonia në “Final Six”

Volejboll

Rusia dhe Polonia në “Final Six”

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 16:19
Pamje nga një ndeshje

 

Rusia dhe Polonia janë dy skuadrat e fundit që sigurojnë kualifikimin për në “Final Six” të Botërorit për meshkuj që po mbahet në Itali e Bullgari, duke iu bashkuar Italisë, SHBA-së, Brazilit dhe Serbisë.

Polonia, kampione në fuqi e botës, arriti të fitojë me rezultatin 3-0 pikërisht ndaj skuadrës serbe, të kualifikuar një ditë më parë, për të qenë mes 6 ekipeve më të mira të evenimentit. Polonia ishte e motivuar për të fituar këtë ndeshje dhe ia doli mbanë, falë edhe paraqitjes së shkëlqyer të Bartosz Kurek, i cili shënoi 21 pikë, 5 nga të cilat direkt nga shërbimi.

Ndërsa Rusisë, për të prerë biletën për në fazën e “Final Six” i duhej të fitonte me Finlandën dhe ia arriti qëllimit. Skuadra ruse nuk e pati aspak problem të fitojë këtë ndeshje, të cilën e pati gjatë gjithë kohës në kontroll. Rusia fitoi me lehtësi dy setet e parë të sfidës 25-17 dhe 25-19, ndërkohë që në setin e tretë, Finlanda rivalizoi pak më shumë. Por, edhe ky fraksion shkoi në favor të volejbollistëve rusë, të cilët e mbyllën atë 25-22 dhe krejt ndeshjen 3-0.

Në “Final Six” 6 skuadrat e kualifikuara u ndanë në dy grupe me 3 ekipe secila. Në Grupin I, shorti vendosi Brazilin, SHBA dhe Rusinë, ndërsa në Grupin J janë Italia, Polonia dhe Serbia. Dy të parat e çdo grupi do të kualifikohen për në gjysmëfinale, nga ku do të dalin edhe dy ekipet që do të diskutojnë titullin botëror të këtij kompeticion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat