Kajtazi: Fajtore janë vetë skuadrat

Volejboll

Kajtazi: Fajtore janë vetë skuadrat

Nga: Kemajl Goca Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 16:08
Xhavit Kajtazi gjatë një këshille

Prishtina Volley po tregon lojëra të mira dhe si fryt i kësaj vargon fitoret në elitën e volejbollit të Kosovës (meshkujt).  Klubi nga kryeqyteti nuk është i preokupuar vetëm në luftë për kreun e tabelës, por edhe në rritjen e nivelit të lojës.  Kryetrajneri i Prishtina Volley, Xhavit Kajtazi, punon me zell të shtuar dhe në kërkim të arritjes së objektivave. Klubi përbëhet nga një gjeneratë e re e lojtarëve dhe një numër i madh i tyre janë pjesë e kombëtares së Kosovës. Trajnerin prishtinas paksa e shqetëson edhe rënia e cilësisë për shkak se disa klube pak stërvisin.        

“Bota sot”: Prishtina Volley vazhdon me fitore, a mendoni se do ta keni fjalën kryesore në kampionat?

Xhavit Kajtazi: Rezultatet e deritashme janë shenjë se skuadra jonë edhe në këtë edicion synon kreun e renditjes, megjithëse nuk është e thënë që vetëm vendi i parë është preokupim. Ne duam që fillimisht ta sigurojmë mbetjen në Superligë. Pas kësaj pjesëmarrjen në përfundimtare dhe përtej kësaj pse jo edhe të rrisim kërkesat tona për suksese. Kemi një skuadër pothuajse tërësisht të re, me disa emra të kombëtares, me të cilët synojmë më shumë se edicioni i shkuar.

“Bota sot”: Në katër javët e para pa humbje, a është cilësia më e lartë në përgjithësi të ligës?

Xhavit Kajtazi: Për fat të keq, cilësia në volejbollin e Kosovës është në rënie në të dy konkurrencat. Kjo është jashtëzakonisht brengosëse. Gjatë këtyre katër javëve hetohen mangësi të shumta. Skuadra pak po stërvisin.

“Bota sot”: Çka i duhet më shumë volejbollit?

Xhavit Kajtazi: Volejbollit të Kosovës i duhet më shumë se kurrë organizimi i skuadrave sidomos të Superligës, të cilat po shihet qartë se kanë probleme të shumta jo vetëm financiare. Po punohet pak, gjë që fajtore janë vetë skuadrat, të cilat për ngecjen e tyre fajësojnë pa të drejtë të tjerët.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me KV Prishtina Volley dhe çfarë i duhet më shumë, çka synon?

Xhavit Kajtazi: Ne jemi të kënaqur që në Prishtina Volley-M kanë dëshirë të vijnë lojtarët e rinj e të talentuar. Të gjithë ata që kanë ardhur  kanë shfaqur hapur mendimin se e duan këtë skuadër sepse këtu njohim vetëm punën. Ne po përpiqemi që puna të jetë ajo që na mbanë në kreun e renditjes... Ne na duhet mbështetja më e madhe financiare, sepse Prishtina Volley-M që nga themelimi e deri në ditët e sotme është shndërruar në kombëtare të Kosovës. Më shumë se gjysma e lojtarëve tanë janë pjesë e kombëtares së Kosovës. Kjo na bën të ndihemi mirë, të punojmë me zell dhe të ofrojmë prodhim vendor përmasash evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat