Gjinovci mëton sukses në garën e Dubrovnikut - Bota Sot
Gjinovci mëton sukses në garën e Dubrovnikut

Volejboll

Gjinovci mëton sukses në garën e Dubrovnikut

Nga: Kemajl Goca Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 13:49
Bahri Gjinovci

Bahri Gjinovcin e pret fundjavë jo edhe aq lehtë sepse duhet t’i përzgjedh volejbollistet më të mira për ekipin e Universitetit të Prishtinës, për të marrë pjesë në garën e Universiadës që mbahet nga 12-17 dhjetor në Dubrovnik të Kroacisë. Ndryshe, Gjinovci është përzgjedhës i kombëtares së Kosovës për meshkuj, i cili ka thënë se synimet janë të mëdha për në Dubrovnik. Gjinovci mendon se volejbollistet janë mirë të përgatitura dhe beson e shpreson se do të dalin me rezultate impresive.  

“Bota sot”: Nga data 12-17 dhjetor mbahet Universiada në Dubrovnik, çfarë synon Universiteti i Prishtinës?

Bahri Gjinovci: Kjo është hera e dytë që marrim pjesë në këtë garë, herën e parë ishim fitues i këtij turneut me Universitetin e Prishtinës. Vet fakti që ishim fitues i kësaj gare, pra nuk na mungon përvoja ndërkombëtare dhe normal synimi ynë është që prapë të dalim fitues i kësaj Universiadës në Dubrovnik.

“Bota sot”:  Me cilat volejbolliste do të përfaqësoheni dhe sa keni njohuri për këtë aktivitet?

Bahri Gjinovci: Volejbollistet pjesëmarrëse do të jenë të gjitha nga Universiteti i Prishtinës, normal volejbolliste që janë anëtare të klubeve në Superligën e Kosovës, që ka shumë në Universitet. Ne do të udhëtojmë me 12 volejbolliste profesionale. Natyrisht kemi njohuri për këtë aktivitet, mbase para dy viteve ishim pjesëmarrës, sikurse ne pjesëmarrëse do të jenë ekipet nga Hungaria, Sllovenia, Bosnja, Kroacia, Mali Zi etj. shtete këto që kanë traditë, kontinuitet dhe natyrisht cilësi në volejboll.

“Bota sot”: A do të përgatiteni gjatë këtyre ditëve apo është në formë secila lojtare?

Bahri Gjinovci: Në këtë javë do të mbahet Kupa e FVK-së në Ferizaj dhe natyrisht pas përfundimit të Kupës do t’i kemi disa stërvitje të përbashkëta me qëllim të komponimit të ekipit, pasi që lojtaret janë nga ekipet e ndryshme dhe forma e lojtareve nuk do të mungojë. Ato veç janë pothuajse dy muaj në garat kampionale.

“Bota sot”: A është një afirmim edhe për volejbollin tonë pjesëmarrja në garën e Dobrovnikut?

Bahri Gjinovci: Çdo aktivitet për ne do të shërbej në të mirë të volejbollit, nga çdo aktivitet mësojmë diçka, identifikojmë nivelin e cilësisë së volejbollit me disa Universitete të Evropës, ku edhe shohim nga afër, gjithashtu duke punuar, duke parë dhe duke qenë pjesë e këtyre aktiviteteve, jemi transformuar dhe jemi pjesë e kësaj loje moderne.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...