Dallëndyshet e para të volejbollit pejan

Volejboll

Dallëndyshet e para të volejbollit pejan

Nga: Jakup Kasapolli Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 10:29
Dallëndyshet e para të volejbollit pejan

Vetëm ata që janë sprovuar në iniciativa apo nisma për të krijuar diçka, e dijnë se sa vështirë është të nisësh një punë nga e para. E kjo, në veçanti është e rëndë kur është fjala te sporti. E mundimshme, sfiduese, plotë barriera, edhe më vështirë është kur këtu bëhet fjalë për sportin femëror, e që në kushtet e rrethanat tona të Kosovës,  paraqet një rebus të vërtet. (Rebus nga fjalori - diçka e ngatërruar, e vështirë për ta zbërthyer apo kuptuar). “Të punosh me femra në sport është rebus”, - me thoshte një koleg - ekspert i hendbollit, nga Kroacia (i angazhuar nga KH BESA), para jo shumë viteve kur hynte në palestër dhe me shihte në rolin e trajnerit në KB Penza.

Dhe këtë përvojë të karrierës time edhe si trajner e dëgjova më shumë kureshtje sot nga kolegu im, trajneri i volejbollit Qazim Kelmendi, njeriu që sakrifikoi shumë nga vetja, nga dija dhe nga koha e tij për volejbollin e Pejës në vitet e pasluftës. Plot 19 vjet pas lufte u deshtë që në qytetin e sportit – në Pejë, të paraqitet edhe një skuadër tjetër e femrave të sportit kolektiv, me top. Këtë herë si meteor në horizont u paraqit një skuadër e femrave në volejboll. Edhepse kjo degë sportive në Kosovë daton nga fillimi i viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, atë në Pejë e riktheu entuziasti i volejbollit Hysi Prelvukaj pas katër dekadash “të heshtjes”, qëkur doajeni i këtij sporti Ali Taraku (një kohë edhe selektor i reprezentacionit të ish YU në konkurrencën e femrave) iku nga Peja.

Dhe shih, KB Penza, e cila rrugëtimin e vet të vetmuar e filloi menjëherë pas lufte, (viti 2000), me të gjitha ato suksese që shkroi edhe historinë e basketbollit femëror pejan e kosovarë, u bë me simotrën e vet në sportin femëror, duke begatuar mozaikun e pasur të sportit pejan me dallëndyshet e reja, e kjo në kuadër të klubit të volejbollit Peja. Por volejbolli pejan kishte fatin që  “pensionimi” i Hysit të mos lë pasoja, sepse kishte trashëgimtarin e denjë, punëtorin e madh e të pakompromis, Qazim Kelmendin i cili ishte pothuajse çdo gjë në klubin e volejbollit mashkullor, siç thonë punëtorët e sportit : nga trajneri e deri të shoferi! Qaza ishte motori më i rëndësishëm i sukseseve që volejbolli pejan shënoi 7 tituj (të kupës, kampionit e të Superkupës së Kosovës).

Por ëndërr e kishte ky punëtor sporti, dëshirë e synim te kahmotshëm i tij  ishte, që në kuadër të klubit të veproi edhe ai i në konkurrencës së femrave. Dhe synimi dhe dëshira e madhe e tij u realizua në këtë vit me startin e skuadrës së femrave në ligën e parë të Kosovës, grupi i perëndimit. Qaza për fillim (me ndihmën edhe të Visar Alimehajt) grumbulloi vajzat e reja kryesisht nga shkollat nëntëvjeçare të moshës 13-15 vjeç, por që bërthama e skuadrës përbëhej nga nxënëset e shkollës  “Fan Noli” të Kryshecit.

Kjo shkollë kishte traditë volejbollin, ku puna dhe angazhimi i pedagogut – mësimdhënësit Islam Berisha (tani si ndihmës i Qazës) ishte kurorëzuar me shumë suksese të këtij kolektivi, që tashme ishin bërë traditë në garat komunale, regjionale dhe ato republikane të sportit shkollor. Vajza si këto që e duan volejbollin kishte edhe nga shkolla tjera të Pejës. Pjesëmarrja në gara për këto vajza ishte një botë e re në rrugëtimin e tyre me të panjohurat, kënaqësitë, befasitë dhe bukuritë që sjellë sporti. Deri tani ato kanë zhvilluar 5 ndeshje, dhe nga loja në lojë ato kanë filluar të marrin vetën me të vetmin qëllim të fitojnë përvojat aq të nevojshme dhe frymën sportive.

Ka shumë nga to që premtojnë një të ardhme sportive, e Qaza është edhe optimist i madh se pas 2-3 vjetësh, për to do të dëgjohet larg. E shumë nga to, thotë ai, do prezantojnë edhe Kosovën në kategoritë e reja. Vet natyra delikate e punës me vajza aq të reja dhe koordinimi i mësimit të tyre me kohën e stërvitjeve paraqesin vështirësi jo vetëm për këto vajza por edhe për vet Qazimin i cili ndonjëherë është i detyruar që në orët e mbrëmjes me veturën e tij xhip landrover t’i shpërndaj ato shtëpi për shtëpi, duke patur edhe  mirëkuptimin e prindërve për rrethanat e papritura, të cilët janë përkrah pedagogëve dhe trajnerëve, të gatshëm që edhe materialisht të ndihmojnë në përballimin e shpenzimeve për aktivitetin e skuadrës. Ne i dëshirojmë fat dhe suksese në këtë rrugëtim.

Lista e lojtareve:

Doresa Gashi, Erona Qerreti, Elona Gashi, Fitesa Gashi ,Djellona Krasniqi, Andeta Gashi, Aurora Berisha, Zanfina Gashi, Floriana Berisha, Elvira Gashi dhe Florentina Kolusha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat