‘Armata’ e Kosovës, që do ta pushtojë Japoninë

Xhudo

‘Armata’ e Kosovës, që do ta pushtojë Japoninë

Nga: Kemajl Goca Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 15:49
Kombëtarja e Kosovës në xhudo, në këmbë Majlinda Kelmendi, Driton Kuka, Distria Krasniqi, Nora Gjakova. Ulur: Loriana Kuka, Shpat Zeka dhe Akil Gjakova

Kombi shqiptar mburret me sportin e xhudos! Kur përmendet emri i xhudistes Majlinda Kelmendit (-52 kg), kampiones olimpike, bota ngritët në këmbë, kur përmendet Nora Gjakova (-57 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Akil Gjakova (-73 kg), bota sportive lëkundet nga vendi. Kur përmendet trajneri më i mirë shqiptar, Driton Kuka, e gjitha bota i përkulet për punën dhe sukseset me garueset e tij.

Image

Kur përmendet Loriana Kuka (-78 kg) e Erza Muminoviq (-60 kg), e dijnë se po vijnë dy emra të rinj dhe që do të bëjnë shumë sa i përket rezultateve. Viti 2018, ka qenë vit i madh për xhudon, vit i madh për sportin tonë, vit i krenarisë dhe që Kosova shijoi të gjitha medaljet e mundshme, fal sportit të xhudos, që është sport nacional! ‘Armata’ e Kosovës, po bëhet gati që ta pushtojë Japoninë, në Lojërat Olimpike - “Tokio 2020. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, disa herë ka thënë, se puna dhe profesionalizmi sjellin sukseset!

Image

Agron Kuka

Vëllezërit Kuka, Dritoni dhe Agroni, asnjëherë nuk i kap euforia, janë të njëjtit si në vitin 2000 kur nuk kishin asnjë medalje evropiane, botërore e olimpike, sikurse tash që i kanë të gjitha me garuesit e tyre.  Janë të thjeshtë, modest dhe shikojnë vetëm para, interesin e sukseseve kombëtare.  Kanë ndërtuar një armatë të xhudisteve e xhudistëve të klasit botëror.  Nora është kampione e Evropës, një sukses i madh, po ashtu edhe në garat tjera garuesit dhe garueset tona shkëlqyen. Driton Kuka, tha se ka qenë vit për merak, që as që e kishte ndërruar. “Medalje më shumë se që kam ëndërruar e pritur! Vit i jashtëzakonshëm.

Nora Gjakova kampione për të rritur e Distria nënkampione, Akil Gjakova e Loriana Kuka janë kampion Evropian U-23, Shpat Zeka është nënkampion Evropian U-21 e Erza Muminoviq - kampione Evropiane U18 dhe e treta në Lojërat Olimpike për të rinj.

Image

Shpat Zeka

Katër medalje në Lojëra Mesdhetare, tri të arta e një e argjendtë. Sot për sot pesë Norma Olimpike e me dhjetëra medalje në çdo konkurrencë e kategori. Rikthimi i Majlindës i fuqishëm, medalja e artë e Akilit në Grand Slam të Parisit dhe e arta e Distrias në World Masters e kanë bë xhudon brendin më të madh të shtetit të Kosovës”, thotë Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Image

Driton Kuka

Krenaria e kombit shqiptar, Majlinda, është paksa e mërzitur, sepse e përcollën disa lëndime gjatë këtij viti. “Viti 2018 do të mbetet për një kohë të gjatë si viti më i hidhur për mua! I kam pasur tri intervenime këtë vit dhe kam qenë jashtë tatamit për hiq me pak se 14 muaj, nuk kam pas mundësi të marr pjesë as në Kampionat Evropian as në Kampionat Botëror dhe realisht mund të them që nuk kam pas shumë momente të lumtura këtë vit. Shpresoj që viti i ardhshëm të jetë më i mbarë!”, tha Majlinda.  

Image

Majlinda Kelmendi

Nora Gjakova ka qenë e tmerrshme për rivalet. Ajo dëshmoi klasin e saj dhe është edhe në piedestalin më të lartë evropian.

“Ishte viti më i mirë deri me tash në karrierën time, me gëzuan të gjitha medaljet. Këtë vit fitova medaljen e parë nga Grand Slam dhe më shumë se asnjëherë kam fituar medalje të arta në turnetë botërore.

Me ka gëzuar sidomos titulli i kampiones evropiane, por nuk jam ndarë e kënaqur nga Kampionati Botëror për seniore, ku nuk kam fituar medalje, në të cilën jam radhit e 7-ta, po ashtu që nuk arrita me përfunduar vitin e para në ranglistën botërore në kategorinë 57 kg”, shprehet Nora. 

Image

Nora Gjakova

Akili u tregua luftëtar i madh dhe ky ishte viti më i mirë, më i pasur në karrierën e deritashme të tij, me pretendime që viti 2019 të jetë edhe më kulmor.

“Viti 2018 padyshim ishte viti më i mirë për mua duke filluar nga Grand Slam i Parisit, ku arrita të bëhem i artë dhe Grand Prix në Zagreb, ku ishte e vlefshme për pikë olimpike. Momentin më të lumtur nuk do ta veçoja sepse çdo garë për mua ka qenë fantastike, duke e marr parasysh edhe Kampionatin Evropian U-23, ku arrita të bëhem i artë pas dy medaljeve që kisha në vitin 2016 të bronztë dhe 2017 të argjendtë, ndërsa i nervozuar isha pasi që në Kampionatin Evropian për seniorë nuk arrita te fitoj medalje duke e pasur formën më të mirë gjatë vitit dhe u radhita në vendin e 7-të”, thotë Akili.

Image

Akil Gjakova

Loriana një emër i ri, një emër që po tremb botën e xhudos. Loriana nuk ia kishte besën vetes, se do të jetë aq e fuqishme në arenë dhe të ngadhënjen në disa gara shumë të forta.

Image

Loriana Kuka

“Viti 2018, ka qenë viti më i suksesshëm që kam pas deri tash. Ka qenë viti i parë të seniorët edhe në kategorinë e re. Në fillim nuk kisha besuar që mundem me arritur me marr medalje të arta në Grand Prix edhe në Kampionatin e Evropës U-23. Momenti më i lumtur ka qenë kur fitova titullin Evropian U-23”, thotë Loriana.  

Image

Distria Krasniqi

Distria apo siç e thërrasin në shkurtes Disi, ka ndarë mendjen që mi fituar të gjitha medaljet në karrierën e saj.

Ajo ka qenë në formë dhe shkatërruese për shumicën e kundërshtareve. “Viti 2018 ishte viti me i suksesshëm që e kam pasur deri tani, pasi që arrita të marr medalje në Kampionatin Europian për seniorë dhe disa medalje të tjera në Grand Prix, Grand Slam, Lojëra Mesdhetare dhe kjo e fundit ne Masters që u mbajt në Kinë.

Këtë vit me bëri të lumtur fakti që kam filluar të garoj në kategorinë -48 kg dhe që kam fituar shumë pikë olimpike dhe jam aktualisht brenda normës për Tokio 2020. Sigurisht që ka pasur edhe momente kur nuk jam ndjerë mirë, sidomos pas përformancës jo të mirë që e kam pasur në Kampionatin Botëror që u mbajt ne Baku”, ka thënë Distria. Për një periudhë të shkurtër arrin në maje, kjo është Erza Muminoviq, një talente e madhe, që vlerësohet se mund të shkojë hapave të Majlindës.

Image

Erza Muminoviq

“Pas këtyre medaljeve, ky ishte viti më i suksesshëm për mua. Jam shumë e lumtur. Momenti më i lumtur u kanë kur e kam fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian për kadete dhe medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike për të rinj. Momenti kur kam qenë e nervozuar kur humba në çerekfinale nga indiania në Lojërat Olimpike për të rinj”, tregon Erza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat