Kuka: Përgatitemi në Austri, sfida e parë në Izrael!

Xhudo

Kuka: Përgatitemi në Austri, sfida e parë në Izrael!

Nga: Kemajl Goca Më: 3 janar 2019 Në ora: 18:16
Agron Kuka

Xhudistet dhe xhudistët e kombëtares së Kosovës, do të fillojnë me përgatitje në fillim të javës së ardhshme. Kampionja olimpike Majlinda Kelmendi, pastaj Nora Gjakova, kampione evropiane, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Erza Muminoviq, Loriana Kuka etj. do të përgatiten në Mittersil të Austrisë.

Trajneri më i mirë shqiptar, Driton Kuka, do të punojë me përkushtim që të jenë të gatshëm për çdo garë, sidomos për atë të fundmuajit janar në Izrael. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, shprehet optimist, se do të arrijnë rezultate të mëdha dhe beson se do të kanë sa më shumë garues me norma olimpike për në Lojërat Olimpike, që mbahen në vitin e ardhshëm në Tokio të Japonisë.

“Bota sot”: Me 7 janar nis kampi olimpik në Mittersil, çfarë do të shërbejë më shumë për xhudistet e xhudistët e kombëtares së Kosovës?

Agron Kuka: Kampi i parë përgatitor për këtë vit fillon në Austri, kamp që mbledhë xhudistet më të mirë botëror e ku të gjithë i masin forcat për garat në vijim, pasi që dihet tani më secila garë e nivelit vlen për të mbledhur pikë olimpike! Në këtë kamp Kosova do të prezantohet me afro 20 sportist, disa nga të cilët do t’i fitojnë përvojat e para në nivelin më të lartë, ndërsa të tjerët do ta shfrytëzojnë këtë kamp për përgatitje, pasi që aty do të kenë rastin të sparingojnë me xhudistet me të mirë botëror.

“Bota sot”: Cilët xhudistë e xhudiste do të janë në përgatitjet në Austri?

Agron Kuka: Do të jenë shumë por ekipit do t’i prijnë Majlinda, Nora, Distria, Akili, Loriana e pastaj duke vazhduar me Shpatin, Erëzen dhe shumë tjerë, dikund 20 gjithsej.

“Bota sot”: Në fund të janarit mbahet gara në Izrael, a është një mundësi për të fituar sa më shumë pikë olimpike?

Agron Kuka: Po, do të jetë Grand Prix i parë që do të mbahet në Izrael, është garë që vlerësohet me pikë Olimpike të nivelit të 3-të, do të jetë garë shumë e fortë, pasi që tani çdo pikë është shumë e vlefshme.

“Bota sot”: E lamë pas një vit me suksese të mëdha, si e sheh vitin 2019, me suksese edhe më të mëdha?

Agron Kuka: Viti që lamë pas për xhudon kosovare ka qenë historik për shumë rezultate që si kemi arritur më parë, por unë besoj që viti 2019 do të na sjellë rezultate akoma më të mëdha. E them këtë me përgjegjësi pasi që e di se ekipi është në rritje dhe të gjithë garuesit janë të përkushtuar në punë dhe natyrisht rezultatet do të pasojnë.

“Bota sot”:  Është vit që sigurohen normat olimpike. A shpresoni se me pesë garues do të shkoni në Lojërat Olimpike në Japoni?

Agron Kuka: Unë vetëm shpresoj që garuesit tanë të kenë fat me shëndet, se përndryshe unë jam i bindur që ketë vit do ti konfirmojmë akoma më shumë 5 normat Olimpike që tani i kanë garuesit tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat