Xhudo prin në të gjitha kategorizimet e bëra nga KOK-u

Xhudo

Xhudo prin në të gjitha kategorizimet e bëra nga KOK-u

Më: 31 janar 2019 Në ora: 12:39
Komiteti Olimpik i Kosovës

Komiteti Olimpik i Kosovës sot ka publikuar rezultatet e federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2018.

Nga gjithsej 31 federata sa kishin aplikuar për kategorizim, 29 prej tyre janë kategorizuar në katër grupe, A, B,C,D.

Nga Federatat e Sportit prin ajo e xhudos, sikurse edhe te sportistët që prin Majlinda Kelmendi me 100 pikë .

Po ashtu i pari nga trajnerët ishte  Driton Kuka me gjithsej 177,50 pikë.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani me këtë rast u shpreh se është viti i dytë që është duke u bërë kategorizimi në sportin kosovar dhe kjo ka ndikuar që sporti të ketë përparime.

Ai thotë se ky kategorizim po bëhet sipas standardeve të larta, dhe një veprim i tillë Kosovën e rendit te vendet e avancuara sa i takon financimit të sporteve, sportistëve dhe trajnerëve.

Hasani: Jemi duke përparuar edhe në aspektin e kategorizimit

 “Mund t’iu themi se çdo herë jemi duke përparuar dhe në këtë drejtim pas një pune jashtëzakonisht intensive sot do të dalim me kategorizime...Konsideroj se është një standard jashtëzakonisht i lartë që e rregullon dhe këtë çështje dhe besoj se na radhitë në mesin e shteteve të avancuara në kuptimin e ndarjes të mjeteve financiare sipas përparimit që bëjnë federatat, dhe sipas të arriturave të suksesit të sportistëve dhe trajnerëve”, ka shtuar ai.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj u shpreh se kanë pasur disa vështirësi gjatë vlerësimit, për shkak se secili dokumentacion është dashur në mënyrë të detajuar të kontrollohet.

Haxhijaj:  29 federatat janë kategorizuar

“Kësaj radhe kanë aplikuar 31 federata në total për kategorizim prej tyre 29 janë të kategorizua kurse 2 kanë mbetur jashtë kategorizimit...Janë gjithsej 6 Federata që kanë hyrë në grupin e parë apo në grupin A , 13 federatat në grupin B, 6 në grupin C dhe 4 janë të kanë mbetur në grupin D”, ka deklaruar ai.

Haxhijaj si përfaqësues i komisionit dha edhe sqarime pse Federata e Badmingtonit dhe ajo e minigolfit nuk u kategorizuan.

Haxhijaj: Federtata e Badmingtonit dhe Minigolfit nuk janë kategorizuar

“Federata a Badmingtonit posa është themeluar në tre mujorin e fundit të vitit 2018 ajo ka pasur vetëm një aktivitet, mirëpo kategorizimi i sportit bëhet për gjithë vitin kalendarik dhe komisioni ka vendosur që përderisa nuk e ka një vit të plotë aty të aktivitetit federata nuk mundet me u kategorizua, kjo është njëra prej arsyeve dhe arsyeja tjetër është se Federtat e Badmingtonit ende nuk ka licencë nga ministria e Sportit. Të pa kategorizuar e kemi edhe federatën e Minigolfit të Kosovës, arsyeja pse kjo nuk është kategorizuar është se kriteret e rregullores kërkohet që t’i ketë 50 sportist minimunimi, ndërsa federata e minigolfit nuk ka pasur mundësi me e dëshmua se i ka 50 sportist aktiv”, ka thënë ai.

Haxhijaj u shpreh se kanë nxjerr një rekomandim që ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për këto dy federata të ndajë nga 10 mijë euro me qëllim të funksionimit të tyre.

Federatat që u kategorizuan janë ajo e xhudos e cila u vlerësua me 86,20 pikë, e karatesë me 86 pikë, pastaj ajo e futbollit, basketbollit, hendbollit dhe volejbollit.

Te sportistët Majlinda Kelmendi është pasuar nga Nora Gjakova , Herolind Nixhevci, Donjeta Sadiku. Kurse, trajneri Kuka u pasuar nga Shqipe Zogiani me 55 pikë, dhe Nazmi Gashi me 10 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat