Majlinda Kelmendi alarmon, nuk kemi sponsorë

Xhudo

Majlinda Kelmendi alarmon, nuk kemi sponsorë

Më: 29 mars 2019 Në ora: 11:54
Në Agjencionin për Financim në Kosovë

Xhudistja Majlinda Kelmendi ka deklaruar se pavarësisht se si ekip i kanë sjellë Kosovës krejt medaljet e mundshme, nuk është që kanë një përkrahje aq të madhe prej sponsorëve në Kosovë.

Kelmendi i bëri këto komente gjatë nënshkrimit të kontratës së klubit të xhudos “Ippon”, me Agjencionit për Financim në Kosovë.

Me këtë rast, drejtori i Agjencionit për Financim në Kosovë,  Vahdet Anadolli ka thënë se është i lumtur që po nënshkruajnë këtë marrëveshje.

Anadolli: Kjo është mbështetje tri vjeçare

“Jam i lumtur të nënshkruaj marrëveshjen në mes Agjencionit për Financim në Kosovë dhe klubit të xhudos Ippon nga Peja për një mbështetje financiare tri vjeçare e cila shpresoj të na sjellë medalje të reja olimpike dhe ta bëjë edhe më krenar qytetin e Pejës tërë Kosovën”, ka ai.

Kurse, trajneri i klubit të xhudos, Driton Kuka ka thënë se ka qenë afër klubit qysh në kohën kur Majlinda Kelmendi ka qenë fëmijë.

Kuka: Shpresoj shumë që nga Tokio do të kthehemi me medalje

“Ky bashkëpunim i nisur para 10 vite e tutje, në këtë vitin para-olimpik dhe olimpik po fuqizohet edhe më shumë. Tashmë edhe zyrtarisht AFK-ja do të jetë sponsor i artë i klubit të xhudos Ippon....po besoj që Majlinda, Nora, Distria, Alili por edhe shumë të tjerë që janë duke u rritur në klubin Ippon do ta ndjejnë këtë përkrahje të fuqishme e ne si deri më tani premtojmë punë, angazhim dhe prezantim të dinjitetshëm të klubit tonë dhe besoj që prej lojërave olimpike Tokio 20-20, do të shkojmë së bashku dhe shpresoj shumë që nga atje do të kthehemi me medalje, dihet që lojërat olimpike janë garë shumë e fuqishme në të cilën çdo medalje është e artë, edhe pse ne e kemi fituar të artën, për mua gjithmonë edhe e bronzta do të ishte e artë, prandaj besoj që së bashku do të vazhdojmë deri në Tokio, pse jo edhe më tutje“, ka thënë Kuka.

Xhudistja Majlinda Kelmendi tha se pavarësisht që i kanë sjellur Kosovës krejt medaljet e mundshme, është shumë vështirë për të gjetur sponsor.

Kelmendi: Është shumë vështirë për të gjetur sponsorë

“Ne si ekip, pavarësisht që i kanë sjellë Kosovës krejt medaljet e mundshme, nuk është që e kemi një përkrahje aq të madhe prej sponsorëve në Kosovë. Nuk e dimë as vet faktin pse por shumë vështirë është për të gjetur sponsorë dhe për të gjetur njerëz, kështu që për neve sot është një ditë e veçantë. E falënderoj drejtorin për përkrahje. Unë besoj shumë që kjo përkrahje do të sjellë suksese të reja, dihet që kur ke përkrahje, kur të mbështesin njerëzit, ke edhe motiv më të madh me punu“, ka thënë ajo.

Ajo tregoi që është bërë kampione olimpike dhe nga viti 2016, nuk ka ardhur asnjë sponsor, përkundrazi nga tre sponsorë, sot e ka vetëm një.

Përndryshe, trajneri i saj, Driton Kuka shtoi se pushteti qendror po e përkrahë ekipet sportive në Kosovë por jo edhe komunat, e bizneset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat