Shteti që nuk e njeh Kosovën, pësoi flakaresh të fortë nga vajza jonë! Loriana e artë

Xhudo

Shteti që nuk e njeh Kosovën, pësoi flakaresh të fortë nga vajza jonë! Loriana e artë

Nga: Kemajl Goca Më: 31 mars 2019 Në ora: 12:25
Loriana Kuka

Shteti që s'e njeh Kosovën, pësoi flakaresh të fortë nga vajza jonë! Xhudistja Loriana Kuka fitoi medaljen e artë në kategorinë -78 kg në garën Grand Prix, që u mbajt në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Loriana luftoi me vetëmohim të pashoq në duel me kubanezen Kaliema Antomarch. Ajo pas minutës së dytë bëri veprim të shkëlqyeshëm dhe avancoi ndaj kubanezes. Pas pak kohe me një teknikë të rrallë e fiton përballjen me ippon (me pak se një minutë pa përfunduar koha e rregullt), duke tronditur kampin e Kubës. Loriana i dha leksion rivales, fiton të artën, medalja e dytë e artë për Kosovën nga Grand Prix, pasi që të premten u stolis edhe Nora Gjakova (-57 kg). Loriana fiton 700 pikë të reja olimpike dhe po shkon drejt Lojërave Olimpike – “Tokyo 2020”. Pa dyshim se Loriana ka qenë si buldozer në çdo duel, duke “shkel” një nga një nga rivalet.

Ajo rrethin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë e ka mposhtur para kohe indianen Rani Rani, ndërsa në çerekfinale shkëlqen dhe me ippon e mund holandezen Ilona Lucassen. Loriana ka qenë fantastike në gjysmëfinale, duke e hequr qafesh francezen Fanny Estelle dhe kualifikohet në finalen e madhe. Në finale shkëlqeu, e shkatërroi Antomarchin!  Xhudistja pejane dëshmoi fuqinë e saj. Trimëresha jona menaxhoi me shumë suksese secilën luftë dhe nuk lejoi në asnjë moment që të zihet në pozicion të palakmueshëm.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, nuk ka si mos të jetë i lumtur. Sukses i madh, dy të arta shtetit të Kosovës dhe madje e ka gati një “armatë” për Lojërat Olimpike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat