Majlinda Kelmendi: Kështu që nëse doni diçka...

Xhudo

Majlinda Kelmendi: Kështu që nëse doni diçka...

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 11:53

Që kur e fitoi medaljen e artë si 18-vjeçare në Kampionatin Botëror për juniorë në vitin 2009 në Paris, karriera e Kelmendit mori ngjitjen ‘astronomike’ – duke i fituar dy Kampionate Botërore, katër Kampionate Evropiane dhe medalje tjera të panumërta, para se të bëhej kampione Olimpike në vitin 2016.

Por, të arrinte ku është tani, nuk ishte aspak e lehtë.

“Kam pasur probleme të shumta në karrierën time. Shumë gjëra dhe njerëz që tentuan të më ndalnin. Kur jeni të suksesshëm, jo çdokush të do, jo të gjithë të mbështesin”, tha Majlinda për EOC, përcjell Insporti.

“Gjithmonë do të jetë dikush që do të provojë ta dëmtojë reputacionin, kështu që nuk ishte e lehtë, por jam e lumtur me ato që kam arritur”.

Ikona më e madhe e sportit në Kosovë, filloi ta praktikonte xhudon si 8-vjeçare në vendlindjen e saj në Pejë, menjëherë pasi kishte përfunduar lufta në Kosovë.

Ta ushtronte xhudon e ka ndihmuar atë që “të bëhej dikushi”, dhe i dha mundësinë që të mbështeste financiarisht prindërit, të cilët i kishin humbur punët e tyre pasi që ndikimet që pati lufta, bëri që të mbylleshin fabrikat në vend.

Triumfi i Majlindës e ka kthyer xhudon në sportin më popullor individual në Kosovë, ku jo pak merita ka edhe trajneri dhe mentori i saj, Driton Kuka. Kuka ishte një nga talentët më premtues të Kosovës kur ishte një adoleshent, por lufta në Jugosllavi e kishte detyruar atë që t’i jepte fund karrierës kur ishte vetëm 19-vjeçar.

Ambiciet e tij në sport ishin “rrënjosur” në Majlindën, që, prej se u bë kosovarja e parë me medalje Olimpike, shihet si heroinë në vendin e saj. Për këtë arsye, ajo synon që të bëhet model inspirimi për sprotistët ambicioz, duke i inkurajuar ata që të synojnë lart në botën e sportit.

“Fillova në një qytet të vogël, tani jam më e mira në botë”, tha ajo.

“Kështu që nëse doni diçka, duhet të punoni me të vërtetë shumë për atë, dhe të besoni në veten. Kjo është e gjitha ajo çka kam bërë, dhe më ka sjellë këtu ku jam sot”.

Të qëndrosh i disiplinuar është pjesë e të qenit një sportise e suksesshme, por edhe sportistja më e arritur në botë ka nevojë për inkurajim kohë pas kohe.

“Njerëzit mendojnë se pse je një kampione Olimpike nuk ke nevojë për atë, por sinqerisht, më duhet. Nëse jeni të mirë, nganjëherë duhet ta dëgjoni nga të tjerët se jeni e fortë, dhe se mund ta bëni”, thotë ajo.

“E gjitha se çfarë mendoj para një lufte është se jam më e mira, dhe që punoj me të vërtetë shumë, që jam mjaftueshëm e fortë, dhe se mund ta bëj”, vazhdon ajo për Komitetin Olimpik të Evropës, përcjell Insporti

Pas një suksesi të madh në Lojërat Evropiane këtë vit, dy herë kampionia e botës thotë se nuk dëshiron asgjë më shumë se sa një pushim të merituar. Por, për fat të keq, një pushim për të nuk është aspak i realizueshëm.

“Mund të relaksohem për disa ditë, por më pas më duhet të ushtroj përsëri. Pas tri javëve, do të garoj në Budapest Grand Prix 2019, dhe synimi kryesor për këtë vit do të jetë Kampionati Botëror i Xhudos në Tokyo, në muajin gusht. Shpresoj – dhe besoj – se do të jem në formë të shkëlqyer”, përfundon Majlinda.

Pasi të ketë përfunduar Kampionati Botëror, Majlinda do të jetë e gatshme të fillojë stërvitjen e saj për Lojërat Olimpike Tokyo 2020, dhe do të synojë që të dëshmojë se motivimi i saj që të ruajë kurorën si kampionia më e patrembur dhe më e merituar e botës nuk njeh kufij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat