Nora Gjakova tregon fuqinë kundër portugezes, fiton medalje

Xhudo

Nora Gjakova tregon fuqinë kundër portugezes, fiton medalje

Nga: Kemajl Goca Më: 23 janar 2020 Në ora: 15:10
Gjakova është vetëm një fitore larg medaljes

Xhudistja e kombëtares së Kosovës, Nora Gjakova (-73 kg), ka bërë luftë të madhe dhe e mposhti Telma Monteiron nga Portugalia, duke e fituar medaljen e bronztë në garën Grand Prix, që po mbahet në Tel Aviv të Izraelit.

 Nora i solli medaljen e parë Kosovës për vitin 2020, një fillim i furishëm dhe që e bën të lumtur edhe Driton Kukajn, selektorin e Kosovës. Nora ka qenë në formë jashtëzakonisht të mirë dhe në secilën luftë luftoi si luaneshë.

Ajo rrethin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa në rrethin e radhës e mposhti Sum Po Leung nga Hong Kongu. Në rrethin e dytë ka qenë më e mirë se rusja Anastasiia Konkina (Rusia) por nuk ishte me fat në çerekfinale dhe mundet nga francezja Helene Receveaux. Në repezash, në luftë për medalje të bronztë doli më e mirë se Larisa Alexandra Florian nga Azerbajxhani dhe pastaj e mposhti portugezen Telma Monteiro.  

Nora krahas medaljes ka fituar edhe 350 pikë të reja olimpike. Kuka është krenar me xhudisten e tij. “Nismë e mbarë e vitit Olimpik 2020. Medalja e parë për Kosovën për këtë vit! Nora Gjakova e bronztë në Grand Prix në Tel Aviv. 350 pikë olimpike dhe rikthim i Norës me medalje të mëdha pas një krize që e kishte në disa gara të kaluara! Erza dhe Flaka debutuan në nivel të lartë por nuk arritën më shumë se sa të fitojnë përvojë në këtë nivel.
Nesër garon Laura Fazliu 63 kg po ashtu gara e saj e parë e madhe.

Kosova mbi të gjitha”, shkruan Kuka. Dy talentet e xhudos, Erza Muminoviq në kategorinë -52 kg dhe Flaka Loxha në atë të -57 kg, u paraqitën në garën e madhe dhe u munduan maksimalisht. Sarah Menezes e Brazilit e mposhti Muminoviqin, ndërsa Loxha mundet nga Sevara Nishanbayena e Kazakistanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat