S’ka vend të përshtatshëm për statujën e Majlindës në Prishtinë

Xhudo

S’ka vend të përshtatshëm për statujën e Majlindës në Prishtinë

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 16:58
Majlinda Kelmendi

Statuja e Majlinda Kelmendit pritet të përurohet më 28 Shkurt në Pejë.

Ani pse kjo statujë ishte planifikuar që të vendoset në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë së bashku me statujën e legjendës të futbollit Fadil Vokrri, një gjë e tillë nuk pritet të ndodh.

Kjo pasi që sipas trajnerit më të sukseshëm të Kosovës, njëkohësisht trajnerit të Majlinda Kelmendit, Driton Kukës, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ende nuk i ka kthyer përgjigje për hapësirën e liruar për vendosjen e kësaj statuje.

I pyetur se cila është arsyeja që statuja e Majlinda Kelmendit është zhvendosur për në Pejë, Kuka është shprehur: “Këtë pyetje ia bëni Shpend Ahmetit. Ai as mua nuk më ka kthyer përgjigje”.

Ndërkohë që  drejtori për sport në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha është shprehur se nuk ka qenë e mundur që komuna ta gjejë një vend adekuat për shtatoren e Majlindës, mirëpo nuk ka cekur ndonjë arsye.

“Drejtoria për Sport e ka përkrahë vendosjen e Statujës së Majlindës në Prishtinë, mirëpo nuk kemi mundur të gjejmë lokacion të dinjitetshëm për vendosjen e statujës”, ka thënë Rexha.

Driton Kuka edhe më parë kishte kritikuar kryetarin e komunës, Shpend Ahmetin të cilin e kishte akuzuar për mos përgjigje për vendin e kësaj statuje.

“Po e ndaj me ju një informacion! Statuja e Majlindes po vjen në Kosovë. Kërkesa e jonë nëpërmes Ministrisë drejtuar Komunës së Prishtinës qysh në muajt e verës deri sot ka mbet pa përgjigje! E kemi menduar Statujën të ngritët në kryeqytet si Kampionia e parë dhe e vetme Olimpike por kot! Kryetari i Prishtinës asnjë informatë për këtë çështje”, kishte shkruar Kuka në Facebook.

Përurimin e shtatores së Kelmendit do ta bëjë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili do të jetë i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës më 27 shkurt.

Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat