U përurua shtatorja e kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi

Xhudo

U përurua shtatorja e kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 14:04
U përurua shtatorja e kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi

Kosova prej sot ka shtatore të kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi.

Ceremonia e inaugurimit të shtatores u mbajt sot në Parkun e Qytetit të lindjes së Majlindës në Pejë, në prani të drejtuesëve të Komitetit Olimpik të Kosovës, të prirë nga presidenti Besim Hasani, kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ministres për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, drejtuesëve të Federatës së Xhudos së Kosovës, presidentit të Komitetit Olimpik të Shqipërisë, Viron Bezhani, të Komunës së Pejës, si dhe personaliteteve tjera.

“Sot është një ditë historike jo vetëm për ju. Besomëni se si jeni duke e përjetuar ju, unë jam duke e përjetuar dy herë më shumë. Kam shumë emocione. Faleminderit shumë që keni ardhur. Shumë njerëz më kanë pyetur se a do të ishte më mirë që statuja të vendoset në Prishtinë, por unë mendoj që e ka vendin këtu ku jam rritur dhe ku e kam filluar karrierën”, tha kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi.

Presidenti i Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer u shpreh se Majlinda është një ndër sportistet më madhështore në botë, derisa shtoi se Kosova duhet të mburret me Majlindën.

“Është nder dhe kënaqësi e madhe për sportin tonë që të kemi një përfaqësuese të tilla. Unë dua të ju uroj të gjithëve juve si komb i Kosovës për këtë arritje, para së gjithash faleminderit Majlinda, Driton (Kuka), Agron (Kuka) dhe gjithë familjes së xhudos, të mbështetur nga Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës dhe nga shpirti i tyr, i cili ëshë edhe shpirti i kombit të Kosovës”, deklaroi Vizer.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, vlerësoi lartë kontributin e Marius Vizerit.

“Kemi shkuar aq lartë sa që mbëstetja e pa rezervë e presidentit Vizer po kulmon sot këtu me zbulimin e shtatores së heroinës sonë të gjallë, kampiones Olimpike, Botëtore e Evropiane, Majlinda Kelmendi. Para së gjithash, qëndron skalitshi i sportistëve kulminant, trajneri i përmasave globale, Driton Kuka”, tha Kuka.

Kryetarja e Parlamentit, Vjosa Osmani, deklaroi se Majlinda Kelmendi është inspirim për të rinjtë tanë, derisa shtoi se sporti është fusha e cila ka bërë hapa të mëdhenj duke e prezantuar vendin tonë në shtetet në të cilat nuk mund të depërtojnë politikanët.

Ministria Dumoshi shtoi se Majlinda është krenaria jonë, derisa uroi që xhudistët tanë të kthehen me medalje edhe nga Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Shtatorja ishte dhuratë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat