Gjakova: Vajzat po gatuajnë për të gjithë ne

Xhudo

Gjakova: Vajzat po gatuajnë për të gjithë ne

Më: 3 prill 2020 Në ora: 17:20
Gjakova: Vajzat po gatuajnë për të gjithë ne

Ekipi i Kosovës në xhudo po i vazhdon stërvitjet, ndonëse po qëndron i izoluar.

Xhudistet dhe xhudistët më të mirë të vendit janë në karantinë, në objektet e sallës së klubit “Ippon” në Pejë.

Për stërvitjet që ekipi i izoluar po i zhvillon, së fundi ka folur xhudisti më i mirë i Kosovës, Akil Gjakova.

Akili ka dhënë një intervistë për sajtin “JudoCrazy”, që është publikuar edhe në faqe tjera të xhudos.

“Aktualisht jemi në karantinë dhe po ushtrojmë në kushte karantine. Salla e xhudos është në pronë private të familjes Kuka. Dy djem tjerë dhe unë po qëndrojmë në katin e dytë të sallës së xhudos, ku janë disa dhoma. Vajzat po qëndrojnë në një shtëpi tjetër pranë dojos (sallës së xhudos). Ne nuk shkojmë askund tjetër pos në dojo, kështu që nuk ka gjasa të infektohemi”, ka thënë Akil Gjakova.

“Në karantinë jemi vetëm ne xhudistët elitarë dhe partnerët e stërvitjes. Jemi gjithsej 11 persona. Po ushtrojmë dy deri në tri herë në ditë”.

Gjakova ka treguar se nuk e ka vështirë të jetojë në sallën e xhudos. Ka thënë se ajo është si shtëpi për të dhe se ka ushtruar në të prej moshës gjashtëvjeçare. Shtëpia e Akilit është dhjetë minuta larg prej sallës së xhudos.

“Natyrisht është dallim i madh me kohën normale, por unë vetëm i them vetes se jemi në kamp stërvitor. Vajzat po gatuajnë për të gjithë ne, por ne mundohemi t’i ndihmojmë ato”, ka treguar Gjakova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat