A po tërhiqet Agron Krasniqi nga detyra e trajnerit të xhudistëve ferizajas?

Xhudo

A po tërhiqet Agron Krasniqi nga detyra e trajnerit të xhudistëve ferizajas?

Nga: Kemajl Goca Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 11:35
Agron Krasniqi (majtas) me djalin e tij Driton Krasniqi 

Agron Krasniqi ishte njëri ndër xhudistët më të shquar të Kosovës në vitet '80. Ishte emër i njohur edhe në ish-Jugosllavi. Ishte xhudist i skuadrës “Leotar” të Trebinjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, asokohe anëtar i Ligës së parë federative të ish Jugosllavisë.

Mirëpo, pjesën më të madhe të karrierës i mbrojti ngjyrat e ish- Borcit të Ferizajt. Fitoi tituj dhe medalje të shumta. Ndërtoi një karrierë të sukseseve për lakmi. 

Por edhe pas karrierës së xhudistit nuk e ndërpreu asnjëherë aktivitetin në këtë sport. Iu përvesh punës së trajnerit të xhudistëve të Kastriotit të Ferizajt. Kjo skuadër pas lufte ka shënuar suksese të vazhdueshme edhe në turne me karakter ndërkombëtar, veçanërisht ndër kategori të reja. 

Agron Krasniqi, i njohur për modesti të rrallë, nuk parapëlqen asnjëherë që të flasë për financimin e këtij klubi nga biznesi familjar, krahas mbështetjes nga Komuna, por në klub flasin me konsideratë të thellë për kontributin shumëdimensional të Agronit për mbarëvajtjen e veprimtarisë së klubit ferizajas të xhudos ndër dekada. 

Agron Krasniqi, siç pohojnë kolegët e tij, iu gëzua shumë popullarizimit të xhudos në Kosovë, duke i parë në këtë rrafsh thelbësore meritat e Majlinda Kelmendit dhe kolegëve të saj të “Iponit” të Pejës, të prirë nga Driton Kuka.

Agron Krasniqi është njohës i thellë i xhudos. Ikona e gazetarisë sportive Agim Binaku, kur e kishte ftuar në emisionin e tij 2 me 1 pohonte se ishte mrekulluar me analizën shteruese të  Agron Krasniqit për paraqitjen e Majlinda Kelmendit në Lojëra Olimpike, me kapje të detajeve dhe zbërthim të tyre me nivel të një eksperti të vërtetë të xhudos.

Mirëpo, siç merret vesh, Agron Krasniqi për shkak të obligimeve të shumta në biznesin e tij, po shqyrton mundësinë që të tërhiqet  nga detyra e trajnerit të xhudistëve të Kastriotit të Ferizajt, por megjithatë të mbetet pjesë e klubit...

Dhe s'ka si të jetë ndryshe se Agron Krasniqi xhudon e ka pjesë të pandashme të jetës tash e rreth katër dekada. Dashurinë pasionante ndaj xhudos e trashëgoi djali i tij Driton Krasniqi, një xhudist i talentuar që ecën me sukses gjurmëve të babait të tij.
 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat