Qyteti japonez e përshëndet Kosovën me mesazh emocional

Xhudo

Qyteti japonez e përshëndet Kosovën me mesazh emocional

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 11:58
Qyteti japonez e përshëndet Kosovën me mesazh emocional

Qyteti japonez Sanjo është frymëzuar nga xhudistët kosovarë për të luftuar me trimëri dhe për të ëndërruar, derisa e ka quajtur arritje të mrekullueshme fitimin e dy medalje të arta në Tokio 2020.

Sanjo, një qytet i vogël në prefekturën Niigata, ishte vendi mikpritës i ekipit të xhudos së Kosovës, ku trajneri Driton Kuka i stërviti për një javë të tërë pesë xhudistët kosovarë para garave të tyre në Lojërat Olimpikë në Tokio.

Pas një jave në kampin stërvitor në Sanjo, ekipi i xhudos së Kosovës u vendos në Fshatin Olimpik në Tokio për ta shkruar historinë.

Në një shkrim emocional në Twitter pasi ekipi olimpik i Kosovës në xhudo i mbylli garat, Sanjo shkroi: “Ky është fundi për ekipin olimpik të xhudos së Kosovës. Dy medalje të arta nga pesë atletë, të cilët ishin në një kamp stërvitor në Sanjo para garës. Ishte një rezultat i mrekullueshëm”.

Ekipi i xhudos, i përbërë nga pesë garues, e shkroi historinë në Lojërat Olimpike 2020, pasi i fitoi dy medalje të arta, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të medaljeve të arta nga vetëm dy pjesëmarrje olimpike.

“Për më tepër, garuesit e mposhtur na dhanë kurajë për të luftuar me trimëri. Faleminderit për këtë kohë ëndrrash”, shtoi qyteti japonez pas disfatës së garueses së fundit nga ekipi i xhudos në luftën e parë, Loriana Kukës.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fund javë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë.

Pak ditë më vonë, të hënën, Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Krasniqi dhe Gjakova i ndoqën hapat e atletes më të madhe kosovare dhe frymëzueses së tyre, Majlinda Kelmendit, e cila e kishte fituar medaljen e artë në Olimpiadën Rio 2016.

Ekipi i xhudos, i udhëhequr nga trajneri Driton Kuka, pritet të kthehet në Kosovë të hënën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat