KON-i shton disiplina tjera në programin olimpik, kreu i KOK-ut e quan rast të mirë për Kosovën

Xhudo

KON-i shton disiplina tjera në programin olimpik, kreu i KOK-ut e quan rast të mirë për Kosovën

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 15:59
Pamje nga një duel

Bordi Ekzekutiv (BE) i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka mbajtur të premten mbledhjen e rregullt, ku ka marrë disa vendime të rëndësishme për programin e Lojërave Olimpike.
BE ka vendosur të shtojë disa disiplina tjera në programin e Lojërave Olimpike, “Tokyo 2020”.
Ndër disiplinat e shumta veçohen: gara ekipore mikse e xhudos, basketboll i rrugës 3X3 (streetball), atletikë 4X400 metra miks, plus dy disiplina të boksit në konkurrencën e femrave, etj.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Besim Hasani, e ka quajtur lajm të mirë shtimin e disiplinave, pasi kjo i jep mundësi sportit tonë të përfaqësohet me më shumë disiplina dhe sportistë në Lojërat Olimpike.
“Me shtimin e streetballit (basketboll i rrugës), janë shtuar edhe gjasat për Federatën e Basketbollit e Kosovës, por edhe vetë Kosovën. Për Komitetin Olimpik të Kosovës është një mundësi më tepër që edhe stretballi të konkurrojë për t’u kualifikuar dhe eventualisht të marrin pjesë në ‘Tokyo 2020’”, ka thënë kreu i KOK-ut, z.Hasani.
Ai ka vlerësuar lart zhvillimin e kësaj disipline në Kosovë.
“FBK ka bërë përpjekje të përfaqësohemi sa më mirë edhe në këtë disiplinë. Streetballi ka dashamirët e vet dhe konsideroj se nëse punohet mirë, bazuar në një strategji të mirëfilltë të miratuar nga FBK, mund të konkurrojë dhe të përfaqësohemi në Tokyo me këtë sport”, shtoi i pari i KOK-ut.
Një tjetër disiplinë me të cilën mund të shtohet numri i sportistëve tanë në LO është gara mikse e xhudos, për të cilën z.Hasani tha se është një tjetër mundësi që sporti më i suksesshëm tek ne, të na prezantojë me më shumë sportistë, dhe njëkohësisht të na krijohet mundësi edhe më e madhe për fitimin e medaljeve, duke ditur që medaljen e parë (artë) dhe të vetme e kemi nga ky sport.
Z.Hasani foli edhe për gjininë femërore, e cila tek ne është më e suksesshme, kurse me vendimin e fundit, KON-i dalëngadalë po e arrin qëllimin që femrat të jenë së paku me 50 për qind të përfaqësuara në LO.
“Nëse shikohet trendi i sukseseve, vajzat tona realisht kanë treguar më shumë sukses se sa meshkujt, dhe pa dashur të bazohemi në këtë, kjo vetvetiu flet që gjasat tona rriten me numrin e pjesëmarrjes së femrave në LO. Në boks dy disiplina të meshkujve janë zvogëluar, kurse janë shtuar dy të femrave, por edhe në shumë sporte tjera janë shtuar disiplinat mikse, që krijojnë gjasa më të mëdha për arritje të normës olimpike, por edhe plasman sa më të mirë në LO”, ka theksuar më tej, z.Hasani.
Lojërat e ardhshme olimpike mbahen në kryeqytetin e Japonisë, Tokio në vitin 2020, ku Kosova synon të përfaqësohet me sa më shumë sportistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat