Arbër Bullakaj tenton të bëhet shqiptari i parë në Parlamentin nacional të Zvicrës

Zvicra

Arbër Bullakaj tenton të bëhet shqiptari i parë në Parlamentin nacional të Zvicrës

Më: 2 janar 2019 Në ora: 16:11
Pranë pllakatës me fotografinë e Arbër Bullakajt është vendosur një sllogan racist nga Partia e djathtë në Zvicër, Foto: Gazeta Tagblatt

Arbër Bullakaj ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare në vendlindjen e tij në Suharekë. Dy ditë pasi Arbri i kishte mbushur 8 vjet, së bashku me nënën, dy vëllezërit dhe motrën e tij kishin marrë rrugën e migrimit drejt Zvicrës. Në St.Gallen iu bashkuan babait të tij i cili punonte në Zvicër që nga vitet e 80-ta.

Në vitin 1994, në Kosovë ende nuk kishte filluar lufta por Arbri tregon se familja e tij e dinin që nuk kishin zgjidhje tjetër pos migrimit pasi në Kosovë kishte filluar të vinte era luftë.

“Ne e dinim se në Kosovë do të fillonte lufta por nuk e dinim kohën e saktë, në atë kohë patën filluar edhe demonstratat, pra i kam përjetuar edhe demonstratat e para, e kam pa se çka do të thotë me jetu nën represion ushtarak dhe politik”, ka rrëfyer Bullakaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Natyra, ngrohtësia e familjes, shoqëria, janë imazhet e bukura që ai kujton nga fëmijëria e shkurtër që ka kaluar në qytetin e Suharekës.

“Unë e kam përjetuar jetën qysh është me u rritë në Kosovë, e kam parë se si është me u rritë afër natyrës, ka qenë një anë shumë pozitive, domethënë me pas një hapësirë, me pas një jetë bashkë me familjen”, ka thënë Bullakaj.

Ndërsa ana tjetër e medaljes, e cila ka lënë gjurmë në personalitetin e Arbër Bullakajt dhe ka qenë një ndër faktorët kryesor që ai sot është aktiv në politikën e Zvicrës, është liria e munguar në Kosovë.

“Mirëpo e kam parë edhe anën e keqe, në atë kohë kur nuk ishim të lirë, në atë kohë kur Kosova ishte nën ndikimin e Serbisë e kam parë se çka do të thotë mos me i pas disa të drejta demokratike. Edhe kjo normalisht që ka ndikuar shumë edhe në personalitetin tim edhe besoj se është njëra prej pikave më të rëndësishme pse unë sot merrem me politikë në Zvicër”, ka treguar Bullakaj.

“Si ka me qenë në Zvicër, a do të më pëlqej mua, a do të gjej shokë siç i kam lënë në vendlindje, a do ta mësoj gjuhën”, kanë qenë pyetjet që ai ka bluar në mendje si një nxënës i klasës së dytë, kur kishte marrë rrugën për në Zvicër.

Por të gjitha këto pyetje që Arbri ia kishte shtruar vetes kanë marrë përgjigje posa ai kishte arritur në St.Gallen. St.Gallen ishte shndërruar në strehë për shumë familje shqiptare që kishin ikur nga Kosova.

Image
Foto e fundit e realizuar në Suharekë para migrimit në Zvicër, në vitin 1994 (Arbër Bullakaj, i dyti nga e majta)

Edhe pse Arbri nuk dinte asnjë fjalë të gjuhës gjermane, sa për fillim ai e kishte mundësinë të fliste shqip me fëmijët e tjerë shqiptarë që ndanin të njëjtën histori e dhimbje me të.

“Kur erdha, ishte një vend ku kishte shumë shqiptarë, në fakt kjo ma lehtësoi pak sepse në fillim mund të kuptoheshim edhe në gjuhën shqipe me disa persona, se atëherë kishte shumë emigrantë shqiptarë ne nuk ishim të vetmit por kishte edhe shumë familje të tjera që kishin migruar nga Kosova”, është shprehur Bullakaj.

Pas 8 muajve që kishte ndjekur kurse të gjuhës dhe kishte qenë pjesë e një klase integruese, Arbri kishte filluar të ndiqte mësimin në një klasë së bashku me nxënësit zviceranë.

Partner i kompanive me 100 mijë punëtorë  

Arbër Bullakaj kishte filluar praktikën si kontabilist në një kompani në Zvicër, në të cilën pas tri viteve kishte arritur të bëhej shef i financave. Pas disa viteve si i punësuar në kompani të tjera, Bullakaj ka vendosur ta hapë kompaninë e tij, “A&O Consulting”, që merret me implementimin e njërit prej programeve më të mëdha në botë për kontabilitet, SAP.

Po bëhen 8 vite që kur Bullakaj udhëheqë një kompani në Zvicër që numëron deri në 10 punëtorë.

“Aty e fillova dhe qe 8 vite jam konsultues i kompanive të mëdha, bankave të mëdha ose të disa kompanive me 3 ose 4 mijë punëtorë deri në 100 mijë punëtorë”, ka thënë shqiptaro – zvicerani Bullakaj për Gazetën JnK.

Kosova përsëri është kthyer në radarin e Bullakajt, pasi ai ka vendosur para 3 viteve për të hapur edhe një zyrë në Kosovë, ku janë të punësuar 30 persona.

“Mirëpo nuk e lash me aq, jam duke u marrë edhe me informatikën, jam partner i një kompanie për IT Consulting, e aty kemi edhe një zyre në Kosovë”, ka shpjeguar ai.

12 vite në politikë

Image
Arbër Bullakaj në zyret e kompanisë së tij në Zvicër

Pas 12 viteve jetë në Zvicër, Arbër Bullakaj kishte vendosur të merrte më në fund pasaportën zvicerane. Kryetarja e Komisionit për Natyralizim kishte qenë ajo që e kishte tërhequr Bullakajn drejt politikës edhe pse ai këtë fushë e kishte pasur gjithmonë për zemër.

Pyetjet e kryetares së Komisionit kishin vënë në pah interesimin e Bullakajt për politikën. Pas marrjes së pasaportës zvicerane, kryetarja e Komisionit për Natyralizim, e cila është edhe nënkryetarja e PSD-së në nivel të Zvicrës, i ka rënë numrit të telefonit të Bullakajt për ta pyetur nëse ai është i interesuar për të qenë aktiv në jetën politike në Zvicër.

Tashmë por bëhen 12 vite që Arbër Bullakaj është pjesë e jetës politike në Zvicër, qe 8 vite ai merret intensivisht me politikë, qe 7 vite është pjesë e Parlamentit komunal dhe qe 4 vite është nënkryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) në nivelin kantonal.

Edhe pse Zvicra është një ndër shtetet më demokratike, e cila nuk ka përjetuar kurrë luftë, trajtimi i emigrantëve ka bërë që Bullakaj të ngris zërin për këtë çështje.

“Unë fakt jam njeri i politizuar, i politizuar nga jeta, me atë çka kam parë në Kosovë. Në Zvicër jeta është shumë më demokratike por edhe në Zvicër ka probleme. Në atë kohë i kishte disa probleme në sjellje me emigrantët që nuk më kanë pëlqyer dhe për atë nëse nuk je dakord me diçka që ndodhë në politikë duhet me qenë edhe vet aktiv në politikë për me ndryshu diçka”, është shprehur Bullakaj.

Arbër Bullakaj është njëri nga kandidatët e PSD-së në kantonin e At. Gallen, pretendent për t’u bërë deputet i Parlamentit nacional të Zvicrës.

Edhe pse Bullakaj ka thënë se ka qenë e pritur që ai të ishte në listën me 12 të nominuarit e partisë në këtë kanton prapëseprapë ka qenë një konkurrencë e fortë brenda partisë. Por sipas tij, më e mira ka qenë që emri i tij nuk është diskutuar fare nëse duhej të renditej në këtë listë apo jo.

“Konkurrenca brenda partisë ishte shumë e madhe sepse kishte shumë persona të interesuar për të qenë pjesë e listës, disa prej tyre edhe me mjaft eksperiencë politike. Në fund u zgjodha edhe unë si kandidat dhe çka ishte më e mira nuk u vë fare në dyshim emri im për të qenë pjesë e listës, kjo tregon që partinë e kam pas shpinës dhe më përkrahë shumë”, ka thënë ai.

Më 18 janar do të vendoset për numrat që do t’i bartin kandidatët brenda partisë për zgjedhje. Sipas Bullakajt, kjo është një fazë shumë e rëndësishme pasi sa më i vogël të jetë numri, mundësia është më e madhe për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Image

Pas kësaj faze, është radha e përgatitjeve për fushatën e cila do të marrë kohë e energji deri në muajt e verës.

“Në shtator është faza e fundit kur edhe fillojnë të vijnë fletëvotimet dhe tani i kemi kohë tri javë kohë me i dorëzu. Në fakt në Zvicër 80 për qind e fletëvotimeve bëhen me postë”, ka treguar Bullakaj.

Tri javët gjatë të cilave dorëzohen fletëvotimet janë vlerësuar si shumë të rëndësishme nga Bullakaj për mobilizimin e shqiptarëve dhe zviceranëve për të dalë në votim. Derisa më 20 tetor, në ditën vendimtare për legjislaturën e ardhshme në Zvicër do të votojnë 20 përqindëshi që kanë mbetur pa votuar.

Shqiptarët, zemra e fushatës

Kandidati për deputet në Parlamentin nacional të Zvicrës, Arbër Bullakaj ka thënë se shqiptarët do të jenë zemra e fushatës së tij.

“Mirëpo trupi nuk ekziston vetëm me zemër, por i nevojiten edhe organet e tjera për këtë duhet me i mobilizu edhe grupet e tjera të emigrantëve”, ka deklaruar Bullakaj.

Cak i fushatës së tij do të jenë edhe boshnjakët, kroatët, italianët dhe zviceranët që e përkrahin Zvicrën multikulturore.

“Ashtu siç kemi ecë deri tani nuk shkon, parlamenti duhet me pasqyru popullin e për momentin parlamenti nuk është pasqyra e popullit”, ka thënë shqiptaro – zvicerani Bullakaj.

Për të qenë Parlamenti pasqyrë e popullit, Bullakaj ka thënë se gratë dhe emigrantët duhet të jenë më të përfaqësuar në Parlamentin nacional.

Bullakaj ka treguar se si një kandidat i Partisë Socialdemokrate, ai përkrah një shtet me sigurim të fortë shëndetësor, një shtet që lufton për barazi njerëzore, vende të reja të punës dhe për një Zvicër multikulturore.

“Mirëpo e kam edhe pikën ekonomike ku edhe kam mjaft eksperiencë, e di që na duhet vende të punës dhe për me pas vende të punës duhet me pas inovacion dhe natyrisht unë jam përfaqësues i Zvicrës multikulturore, historinë time e kanë edhe shumë të tjerë, që dikush nga familja e tyre ka migruar dhe jeton në Zvicër”, ka shpjeguar Bullakaj për Gazetën JnK.

Duke pasur parasysh që fushata ka shumë rëndësi në rrugën drejt sigurimit të një ulëse në Parlament, Arbri është siguruar që të ketë përreth vetes një ekip të fortë. Ai ka thënë se do të ketë qëllim që në këtë fushatë të mobilizoj gjeneratën e dytë dhe gjeneratën e tretë të shqiptarëve, të cilët kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër dhe nuk e vlerësojnë të drejtën e votës.

Po ashtu Bullakaj ka planifikuar që ekipi i tij të jetë i balancuar, të ketë përfaqësim të të gjitha gjeneratave e profesioneve.

“Mirëpo ata që janë rritur këtu ndoshta nuk e vlerësojnë apo nuk e dinë se si është mos me i pas të drejtat edhe atyre duhet me iu tregu se sa është e rëndësishme me votu sepse disa shtete kanë luftuar për me pas këtë të drejtë dhe po besoj që këtë do të arrijmë të krijojmë një grup të balancuar në fushatë”, ka rrëfyer Bullakaj.

Arbër Bullakaj i ka bërë thirrje shqiptarëve të cilët kanë pasaportë zvicerane që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në Zvicër dhe të dalin e të votojnë personin që mendojnë që do t’i përfaqësojë në Parlamentin nacional.

“Aty ku jeton duhet me qenë edhe aktiv në jetën politike edhe duhet me vlerësu të drejtën e votës. Ata që nuk votojnë nuk e respektojnë mjaft demokracinë, edhe thirrja është që të respektojmë demokracinë, dhe të votojnë atë person që beson se i përfaqëson më së shumti në politikën nacionale”, ka theksuar kandidati për deputet në Parlamentin nacional të Zvicrës nga PSD për kantonin e St.Gallen.

Statistikat e përgjithshme tregojnë që emigrantët që nuk kanë lindur si zviceranë votojnë më pak. Sipas Bullakajt, deri tani politika nuk ka arritur t’i mobilizojë për të votuar emigrantët por edhe ata nuk e kanë ndjerë veten të përfaqësuar në politikë deri tani.

Edhe pse janë bërë rreth 50 vjet që kur shqiptarët kanë shkuar për të punuar, kanë emigruar dhe gjeneratat e tjera kanë lindur e janë rritur atje, ende asnjë shqiptar nuk ka arritur të bëhet pjesë e Parlamentit nacional të Zvicrës.

“Asnjë person deri tani që ka përfaqësuar emigrantët në Parlamentin nacional, shqiptarët ende nuk janë përfaqësuar fare, nuk kemi asnjë person me prejardhje kroate dhe boshnjake, një herë ka qenë një person me prejardhje nga Afrika por kjo ka qenë para 10 vjetëve, përfaqësues kemi vetëm te italianët, te gjermanët dhe austriakët, grupet e tjera nuk janë të përfaqësuara”, ka thënë Bullakaj.

Bullakaj është shprehur se pesë vitet e fundit shqiptarët kanë arritur të integrohen më shumë se kurrë në shoqërinë, ekonominë, arsimin, mjekësinë e sportin e Zvicrës. Sipas tij ky integrim i shqiptarëve ka dalë në pah me suksesin e shqiptarëve në kombëtaren e futbollit të Zvicrës.

“Deri kur ka filluar ekipi i futbollit, e aty është parë se ku kemi arritur si shqiptar, aty u pa që shqiptarët nuk janë më ata që kanë qenë në vitet e 80-ta kur kanë punuar si punëtorë sezonal por tani jemi integruar, jemi pjesë e jetës në Zvicër dhe pjesë e ekonomisë në Zvicër, pjesë e arsimit në Zvicër”, ka thënë Arbër Bullakaj.

Ai ka thënë se edhe pse në nivel kantonal dhe komunal shqiptarët kanë arritur të jenë të suksesshëm, në nivelin nacional ende nuk kanë arritur të përfaqësohen. Bullakaj ka thënë se shqiptarët e kanë shansin ta bëjnë këtë me 20 tetor.

“Në nivelin nacional besoj se mundemi me u përmirësu dhe e kemi shansin në 2019 dhe shpresoj që kemi me pas sukses dhe të kemi minimumi një shqiptar në Parlamentin nacional”, është shprehur Bullakaj./JNK/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat