Prokuroria kërkon 15 muaj burg për 81 vjeçarin që mbyti kosovaren në Zvicër

Zvicra

Prokuroria kërkon 15 muaj burg për 81 vjeçarin që mbyti kosovaren në Zvicër

Më: 26 mars 2019 Në ora: 13:36
Elida Osmani

Rreth një vit e gjysmë pas aksidentit të rëndë, nga i cili humbi jetën vajza 19-vjeçare me prejardhje nga Kosova, Elida Osmani, prokuroria ka kërkuar dënim prej 15 muajsh burgim për shkaktarin e aksidentit.

Ai është një dentist 81-vjeçar, i cili ka ngarë automobilin e tij me shpejtësi të tejkaluar.

Ajo kishte telefonuar të ëmën dhe i kishte thënë se së shpejti do të vinte në shtëpi. Por Elida Osmani, nxënëse që ndiqte punën praktike në Migros, nuk arriti të kthehej kurrë më në shtëpinë ku e prisnin familjarët.

Atë e goditi në vijat e bardha për këmbësorët automobili i plakut zviceran, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë, nga të cilat ajo vdiq pak më vonë. Ai po e ngiste makinën pa pasur leje, pasi që ajo i ishte marrë më herët.

I akuzuar për vrasje nga pakujdesia, dentisti 81-vjeçar K.S. mund të dënohet me 15 muaj burgim pa kusht, sa ka kërkuar prokuroria.

Është për t`u theksuar se i akuzuari nuk e ka pasur për herë të parë këtë konfrontim me ligjin. Ai në vitin 2010 qe dënuar me marrje të patentshoferit për një muaj, pas një aksidenti të shkaktuar. Ndërsa, kur në vitin 2011 qe kapur duke ngarë tepër shpejt në vendbanim, për të më nuk kishte pardon! I ishte marrë patentshoferi për një kohë më të gjatë, edhe pse ishte ankuar në të gjitha instancat.

Prokurori e akuzon zviceranin 81-vjeçar se në aksidentin që përfndoi me fatalitet, nuk e kishte vëmendjen të përqendruar te brezi për kalimin e këmbësorëve, por te semafori që ishte 250 metra më larg. Kështu, ai nuk e ka vënë re vajzën, e cila në ato momente e kishte kaluar “zebrën” dhe e kishte goditur atë me një shpejtësi prej 58 kilometrash në orë.

Akuza është bërë në Gjykatën e Qarkut të Lenzburgut, Kantoni Aargau.

Familja e Elidës, e cila banonte ne afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, pas tragjedisë që pësoi Elida, është shpërngulur në një lokalitet tjetër: nuk mundeshin të përballonin që çdo ditë t`u kujtohej aksidenti i rëndë ku humbën vajzën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat