Zviceranët votojnë për ndryshimin e ligjit për armëmbajtje

Zvicra

Zviceranët votojnë për ndryshimin e ligjit për armëmbajtje

Më: 18 maj 2019 Në ora: 09:58
Foto ilustrim

Zviceranët do të marrin pjesë në një referendum të dielën për të vendosur rreth ashpërsimit të ligjit për armëmbajtje sipas rregullave të Bashkimit Evropian. Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por është pjesë e Marrëveshjes së Shengenit për kufij të hapur.

Pas sulmeve të Parisit që ndodhën më 2015, në të cilat u vranë 130 njerëz, Bashkimi Evropian solli masa të reja për armët automatike dhe gjysmautomatike. BE-ja shpreson që këto rregulla do t’i ndihmojnë policitë e vendeve që janë pjesë e Shengenit.

Këto shtete e kanë shtuar bashkëpunimin dhe shkëmbejnë të dhëna përditë për të zbuluar se nga kanë ardhur armët që përdoren në krime.

Megjithatë, këto propozime kanë ngjallur mospajtime në Zvicër, e cila ka një traditë të gjatë të armëmbajtjes. Pasi zviceranët kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ata kanë të drejtë t’i mbajnë armët.

Në secilin qytet dhe fshat të Zvicrës ka klube të armëve dhe qitja në shenjë është sport shumë i popullarizuar. Sipas ligjit zviceran, personi që mban armë duhet të ketë leje për të, por marrja e saj është proces relativisht i lehtë.

Beat Bosinger, kandidat i Partisë Popullore Zvicerane, është kundër ndryshimit të ligjit për armëmbajtje. “Nuk ka arsye për ligje të reja. Kjo do të ishte shkelje e besimit. Ne zviceranët dimë si t’i menaxhojmë armët”, tha ai.

Pavarësisht se në Zvicër qarkullojnë rreth 2.3 milionë armë, niveli i krimit në këtë shtet vazhdon të mbetet në nivel më të ulët se në shtetet fqinje, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat