Zvicra: Vlerat dhe parimet kryesore të këtij shteti

Zvicra

Zvicra: Vlerat dhe parimet kryesore të këtij shteti

Nga: Lirim Begzati Më: 23 tetor 2019 Në ora: 23:05
Lirim Begzati

Zvicra është një vend i organizuar në baza federaliste. Janë 26 kantone apo njësi federale që e përbëjnë këtë shtet dhe që të gjitha i posedojnë të drejtat e tyre për një pjesëmarrje aktive dhe të barabartënë procesin vendimmarrës të pushtetit qendror.

Çdo kanton zviceran e posedon strukturën e tij të brendshme të organizimit, që nganjëherë e jepsë paku përshtypjen se kompetencat e tyre nuk dallohen aq shumë nga ato shtetërore.

Duket se kantoneve zvicerane nuk iu ka shkuar asnjëherë ndërmendë që të funksionojnë përmes skemave të rivaliteteve apo të grindjeve ; ata e privilegjojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha të ndryshme, bashkëjetojnë me vullnetin dhe entuziazmin e mirëqenies së përbashkët.

Edhe në nivel të komunave, në emër të mbrojtjes së autonomisë së tyre dhe të nevojave të ruajtjes së vlerave të identitetit lokal, iu lejohet që të veprojnë lirshëm, në suaza të kompetencave të tyre.

Besnike ndaj kohezionit politik

Kohezioni dhe bashkëjetesa politike zvicerane është e një shkalle të ngritur. Pluralizmi dhe mënyra e organizimit të partive të saj politike paraqesin një model që i’a vlen të përdoret lirshëm si një burim frymëzimi për të tjerët, sidomos për ata shtete që i’a kanë lakminë kacafytjeve të pareshtura në debatet e horizonteve të tyre politike. Sa n’a përkujton kjo disa imazhe të vendeve tona !

Partitë dominuese të shtetit e mbajnë rolin e tyre për një udhëheqje të harmonishme të një politike që i shkon përshtati interesit të gjithmbarshëm të vendit. Po të njëjtat parti tregojnë një respekt të pëlqyeshëm edhe ndaj atyre që duken më të « vegjël » në skenën politike.

Edhe më tutje, në nivelin qendror federal, vazhdon të aplikohet një formulë qeverisëse tradicionale e quajtur « magjike », përmes së cilës privilegjohet tradita dhe kompromisi për zgjedhjen e posteve qeveritare.

Zgjedhjet në Parlamentin zviceran bazohen para së gjithash në parimet e barazisë, ekuilibrit dhe kohezionit shtetëror. Një përkujdes i veçantë i kushtohet edhe zgjedhjes së postit të kryetarit të Parlamentit. Zvicra e demonstron këtë përmes një elegance politike gati se të pakopjueshme.

I përkushtuar ndaj vlerave të shumëgjuhësisë

Njohja, respektimi dhe promovimi i gjuhëve në sistemin zviceran konsiderohen si një shtyllë kryesore apo edhe si një nxitës pozitiv dhe i drejtpërdrejtë i kohezionit shoqëror, i dinamikës ekonomike, por edhe i bashkëjetesës së harmonishme dhe i stabilitetit të tërësishëm të vendit.

Dygjuhësia (gjuha gjermane dhe frënge) është ajo e cila dominon më së tepërmi, por kësaj nuk duhet harruar t’i shtohet edhe tregjuhësia (gjuha italiane, por edhe një gjuhë e katërt shumë më pak e njohur). Për të gjitha gjuhët e pranishme jepet mundi i duhur që t’i afrohemi, aq sa është e mundshme, përqindjes së përfaqësimit të tyre në segmentet e ndryshme të shoqërisë (administratë, politikë, kulturë, etj.).

pse aspekte këto të përfshira dhe të materializuara në dispozita të ndryshme ligjore zvicerane, megjithatë nuk flitet aq shumë për dimensionin ligjor të çështjes, pasi që është krijuar një shprehi që të theksohet më tepër aspekti i nevojave reale të qytetarëve dhe interesave të vendit. Pra, një logjikë e padiskutueshme funksionimi.

Me një dinamikë tejet pozitive ekonomike

Zvicra nuk është pjesë e « Evropës së bashkuar », por dinamika e zhvillimit të saj është mahnitëse dhe tërheq kureshtjet e punësimit për shumë popullata dhe njerëz që jetojnë në shtetet anëtare të BE. Ky shtet interpretohet edhe si një « eldorado » punësimi, sidomos për shtetasit e zonave që e rrethojnë Zvicrën.

Marrëveshjet bilaterale që e lidhin Zvicrën me shtetet e BE, paraqesin një shtytës kryesor për lejimin e proceseve të shtimit gradual të ardhjeve masive nga shtetet përkatëse evropiane. Një dinamikë kjo që s’ka të ndalur dhe, së paku në moment, është vështirë e kontrollueshme.

Ardhje këto që nuk i takojnë aspak fushës së logjikave të rastësive ! Është e sigurt se kjo dukuri lehtë mund të interpretohet si një rezultat i nevojave të ekonomisë zvicerane.

…por, një shtet i ballafaquar edhe me sfida të shumta

Në planin e politikës së saj ekonomike, mbi të gjithat, Zvicra do të vazhdojë edhe më tutje t’iu nënshtrohet kërkesave të akterëve ekonomikë të cilët kanë një interes për ruajtjen e praktikave aktuale, të cilat ofrojnë një hapësirë jashtëzakonisht të lirë punësimi për shtetasit që vijnë nga BE, e aq më lehtë edhe për ata që vijnë nga zonat kufitare.

Ndërkohë, sa iu përket qarqeve evropiane, pritet që edha ata t’a mbajnë ritmin e tyre të presionit dhe të një politike të ashpër ndaj Zvicrës. Ata me siguri do të vazhdojnë edhe më tutje që, në emër të nevojave dhe domosdoshmërisë së përmbushjes së kushteve që dalin nga marrëveshjet bilaterale, të kërkojnë nga ky shtet që të mos procedoi në ndryshime madhore në nivel të praktikave të pranimit të evropianëve në punë.

Paralelisht me këto procese, në planin e brendshëm, disa tendenca politike zvicerane, me siguri se, edhe ata, nuk do t’i kursejnë angazhimet e tyre aktive dhe kritikat e ashpra, duke u fokusuar në shprehjen e pakënaqësive të tyre ndaj situatave të krijuara. Në fakt, ata konsiderojnë se hapja gati se e pakufizuar e tregut të punës për shumë shtetas të BE, paraqet së paku një konkurrencë për fuqinë punëtore të vendit. Problematika është ende më delikate në kantonet ku proporcioni i numrit të punëtorëve që vijnë nga zonat kufitare është i një numri jashtëzakonisht të lartë.

Krahas këtyre fenomeneve, shoqëria zvicerane kalon edhe përmes transformimeve të tjera të rëndësishme. Viteve të fundit, përpos shtimit të popullatave që vijnë nga vendet evropiane, është shtuar gradualisht edhe numri i personave që vijnë përmes procedurave të azilit. Zhvillime të tjera të brendshme demografike e kompletojnë këtë « listë » të diversitetit, e cila prezanton njëfarë simbioze të një konfiguracioni të ri të komponentëve të shoqërisë zvicerane.

E përballur me këto transformime shoqërore dhe zhvillimore të kohës, Zvicra ndeshet sot me sfida të shumta që kërkojnë veprime më efikase në fushën e menaxhimit të diversitetit në shoqëri, duke mos harruar edhe domosdoshmërinë e adaptimit të politikave të saja, konformë kushteve dhe realiteteve të reja të krijuara

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat