Dalja e parakohshme në pension; kush janë mundësitë dhe sa ia vlen?

Zvicra

Dalja e parakohshme në pension; kush janë mundësitë dhe sa ia vlen?

Nga: Lirim Begzati Më: 25 janar 2020 Në ora: 17:00
Lirim Begzati

Sa i përket pensionimit « normal », sipas rregullave të shtyllës së parë – AVS/AHV (pa i marrë pra parasysh shtyllën e dytë dhe të tretë), është e mundshme që të dilet në pension, një apo dy vite, më herët se sa në moshën e zakonshme të pensionimit.

Për shembull, në vend që të dilet në moshën 65 vjeçare, kërkohet që kjo e drejtë të realizohet që nga mosha 63 vjeçare.

Mirëpo, një vendim i tillë e ka çmimin e tij, pasi që, nëse pensionimi ndodh një vitë para kohe, atëherë, të ardhurat mujore zvogëlohen për 6,8%, kurse 13,6 %, nëse pensioni merret dy vite para kohe.

Në pensionim të parakohshëm mund të dilet edhe që prej moshës 58 vjeçare, poqë se Arka jonë e pensionimit e parashikon këtë (Pensionskasse (gj), Caisse de pension (fr).). Edhe sipas këtyre rregullave të shtyllës së dytë, dalja e parakohshme në pension ka si pasojë zvogëlimin e të ardhurave mujore.

Ligjet zvicerane mundësojnë që pensioni të merret edhe me “vonesë”. Për shembull, në vend që të merret në moshën 65 vjeçare, dikush kërkon që këtë të drejtë ta realizojë pas moshës 67 vjeçare. Nënkuptohet se kjo mundëson që shuma e pensionit mujor të zmadhohet.

Për të gjitha variantet e mundshme, nuk duhet harruar një rregull të rëndësishme:

Çdo vendim duhet të merret vetëm pas një analize të kujdesshme posaçërisht të situatës personale dhe financiare, duke i verifikuar paraprakisht të gjitha aspektet që ndërlidhen ngushtë me nivelin e të ardhurave, duke u informuar për shumën e përgjithshme të kontributeve që i kemi paguar në shtyllat e ndryshme të pensionimit.

Vetëm pas analizës së këtyre parametrave, mundet pastaj me pasur një ide më të qartë për atë se a ia vlen vërtetë me marruar një vendim të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat