Ndërmarrësi Asani, që shkriu potencialin e tij për të kontribuar në atdhe

Zvicra

Ndërmarrësi Asani, që shkriu potencialin e tij për të kontribuar në atdhe

Më: 2 mars 2020 Në ora: 10:32
Valon Asani

Mundësitë që shtetet e Evropës i ofruan për t’i arritur majat e suksesit, nuk e larguan asnjëherë nga atdheu. Përkundrazi, dashuria për atdheun dhe dëshira për të kontribuar e jetuar këtu, e shtynë të kthehej në Kosovë, në vendin ku ndonëse mundësitë duken të vogla, për Valon Asanin vullneti dhe ëndrrat qenë më të mëdha.

Shkollimin e lartë e përfundoi në Zvicër. Kësisoj, edhe karrierën si IT e nisi në po këtë shtet. Mirëpo, duke u inspiruar nga ndërmarrës të tjerë, e sidomos nga babai i tij Ahmet Asani, i cili ishte themelues i Bashkësisë Shqiptare në Zvicër dhe ishte i dënuar për shkak të veprimtarisë së tij në mbrojtje të gjuhës e shkollës shqipe në Maqedoni, asokohe ish – Jugosllavi, Valoni vendosi të gjente një lidhje mes ndërmarrësisë dhe profesionit të tij, që kështu të mund t’i ndihmonte edhe vendit të tij. “E mendova se si mund t’i ndihmoj vendit tim dhe pa përvojë në ndërmarrësi erdha në Kosovë, desha të krijoj një lidhje Kosovë-Zvicër, pasi që veç e kisha mundësinë për ta bërë një gjë të tillë՛” rrëfen fillimisht Valoni.

Ai kishte ndërtuar jetën me familjen e tij në Zvicër, kishte një punë dhe një pagë shumë të mirë, por ende nuk ndihej i plotësuar. Me pagën që merrte në Zvicër, ai hodhi themelet e para të kompanisë në Kosovë. Në vitin 2011, nisi punën me kompaninë e njohur MIK Group. Pesë muaj pas themelimit të kompanisë, ai thotë se ngeli pa financa. Kësisoj, u detyrua të kthehej prapë në Zvicër. Gjatë asaj kohe, thotë se biznesin e kishte mbajtur vetëm me tre praktikantë dhe një punëtor. Në ndërkohë, ai punonte në aeroportin e Cyrihut dhe në po të njëjtën kohë ishte edhe ndërmarrës.

“Prej 3 praktikantëve dhe 1 punëtori, u bënë 33 punëtorë. Unë kisha 4 javë pushim por edhe ato i shfrytëzova për të ardhë në Kosovë, për të gjetur punëtorë. Kjo ishte goxha sfiduese sepse dita ime niste në 5 të mëngjesit dhe përfundonte në 1 të mëngjesit, pra punoja afër 20 orë. Të gjitha të ardhurat që fitoja në Zvicër e që ishin shumë të mira, i shfrytëzova për ta rritur biznesin në Kosovë. Kësisoj, në fillimet e MIK, kur patëm mungesë financimi, stafin e financoja vet me paratë që merrja nga puna në Zvicër. Gjithçka nisi kështu, për 13 muaj arritëm që të funksionojmë si biznes dhe nuk ishte më nevoja të marrim të ardhura prej diku tjetër”

Edhe pse i rritur jashtë atdheut, Valonin e ndiqte një dëshirë e kahmotshme: për të kontribuar në Kosovë.  Pas stabilizimit me MIK Group, ai themeloi kompaninë dua.com. E kjo kompani, pos që ka punësuar plot të rinj kosovarë, përçon një mision të veçantë: bashkimin e shqiptarëve nga e gjithë bota në një platformë të vetme.

“Dëshira për të kontribuar në Kosovë, erdhi edhe nga familja, sidomos nga babi që të gjithë jetën ia dedikoi këtij vendi. Gjithmonë na ka folë për vendin, për gjuhën, për bashkimin kombëtar, sepse edhe ai vet kur ka ikë nga Kosova në 88, në Zvicër ka qenë azilkërkues për arsye politike, ka qenë në burg për shkak se ka dhënë mësim në gjuhën shqipe. Kështu lindi ideja për krijimin e dua.com, që është bashkim i shqiptarëve. Ka qenë më shumë një nevojë e brendshme sesa e jashtme të krijoj diçka të tillë”

Kur flitet për Valonin si një ndërmarrës i suksesshëm, disa mund të mendojnë që këtë ia mundësoi jetesa në Zvicër. Në fakt, vendosmëria për t’i çuar gjërat përpara është faktori që ndikoi në suksesin e tij. Sepse Valoni nuk dorëzohet. Ai nuk preferon t’ia lë në dorë “fatit” suksesin e tij. Ai ka vendosur ta shkruajë vet storien e jetës, dhe suksesin e ka vendosur ndër kapitujt kryesorë të librit të jetës së tij.

Sipas Valonit, vendi ku ke lindur jo çdoherë ta përcakton suksesin. Gjatë intervistes për AkademiPune, ai thotë se mundësitë për t’u arsimuar, sot janë të shumta. Për këtë, sugjeron që të shfrytëzohen të mirat nga teknologjia, siç janë edhe kurset/trajnimet online.

“Ka shumë gjëra që luajnë rol në suksesin e dikujt. Unë kam pasur fatin të rritem në Zvicër, çka erdhi bashkë me edukimin e mirë dhe edukimi luan shumë rol. Sidoqoftë, nuk e marr shumë si faktor sepse mendoj se prej cilitdo vend, njeriu me përkushtim dhe me mundësitë e sotit, siç është interneti apo edukimi online mund të arrijë në jetë. Unë mendoj që njeru e ka fatin e vet në duart e veta. Unë vet e shkruaj storjen time. Mendoj që 90% është tek mendësia, se me çfarë energjie e nisë ditën. Zgjidhjet e problemeve nuk vijnë duke ikur ose dorëzuar, zgjidhja është me i marrë problemet në dorë dhe me i zgjidhë. Ky është faktor i suksesit për mua“

Çka e bën një ndërmarrës të suksesshëm?

Image

Ka shumë faktorë që e ndërtojnë një lider të mirë dhe të suksesshëm. Edhe Valoni përmend disa prej tyre. Ai thotë se një lider i mirë duhet të jetë i aftë të komunikojë pastër dhe të transmetojë mesazh të qartë tek të tjerët, e mbi të gjitha të jetë sa më transparent.

“Si ndërmarrës, ka disa aftësi që duhet zotëruar. Një lider duhet të ketë një vizon të qartë, ta transmetojë atë vizion edhe tek të tjerët, të komunikojë në mënyrë të pastër si dhe t’i motivojë të tjerët. Unë mendoj që njëra formë e motivimit është të përfshihen të gjithë në qëllimin e përbashkët. Unë dua që i gjithë ekipi im te ndjehen pjesë e një qëllimi sepse nëse njëri nuk ndjehet pjesë e një projekti apo e kompanisë, kurrë nuk mund të jetë njëjtë i motivuar sepse ndjehet vetëm si një pjesë. Njeriu ka dëshirë të jetë pjesë e totalit, pjesë e asaj se çka është duke u krijuar. Një lider për mua duhet të jetë i aftë të krijojë këtë transparencë, që të gjithë të ndjehen të vlerësuar në punën që e kryejnë, të ndjehen se janë të rëndësishëm“

Një pjesë tjetër të cilën ai e sheh me rëndësi që ekipi të funksionojë mirë, është dhënia e përgjegjësive. Ai thotë se punëtorët ndjehen të vlefshëm nëse ju jepen më shumë përgjegjësi, madje edhe më shumë se sa që mund të marrin në atë moment, në mënyrë që ta ndjejnë potencialin e rritjes. “Unë mundohem t’ju jap njerëzve sa më shumë përgjegjësi, ndoshta edhe më shumë se që mund të marrin në atë kohë, sepse kjo i sifdon dhe i rritë profesionalisht. Çdo njeri ka dëshirë që çdo ditë të bëhet version më i mirë i vetes, e unë kudo që jam mundohem ta krijoj atë hapësirë, dikush e shfrytëzon, dikush jo. Sidoqoftë, me stafin tim flas çdo ditë sepse dua shumë që ata të zhvillohen dhe të ecin vetëm para, prandaj edhe ju jap qasje në pothuajse çdo gjë“.

Image

Për Valonin, lider i mirë nuk është ai i cili jep urdhra, por dikush që është gjithëpërfshirës dhe i shtynë njerëzit përpara. Ndërkaq, një tjetër aspekt i suksesit për të është edhe të dihet realiteti se ku jetohet dhe cilat mundësi i ofron një treg i caktuar.

Sfidat bëhen të vogla kur duam të arrijmë një qëllim

Në jetë, pothuajse çdo ditë sfidohemi në forma të ndryshme. Edhe arritja deri tek një qëllim i caktuar, mund të sjellë edhe shumë sfida gjatë rrugëtimit. Mirëpo, dëshira dhe vullneti për të arritur cakun që i kemi vënë vetes, i bën ato sfida lehtë të tejkalueshme. Edhe për Valon Asanin, sfidat ishin të shumta gjatë rrugëtimit të tij si ndërmarrës. Ai thotë se sot sfidë e parë janë njerëzit. Sipas tij, një ndërmarrës i mirë duhet ta gjejë një ekuilibër, që të funksionojë një trekëndësh i rëndësishëm, punëtorë – klientë – pronarë.

“Sfidë ditore është me arritë me e mbajtë një ekuilibër, që të mos harrohet askush. Nëse një njeri ndjehet që është harruar, ai e lë punën, dhe kur dikush që është kyç në kompani e lë punën, ti duhet të reagosh, ta gjesh një zëvendësim, ta trajnosh dhe kjo merr kohë. Kështu krijohen probleme brenda departamentit. E njëjta ndodhë nëse një klient ndjehet i harruar, ai e shkëputë kontratën dhe të krijon problem në të hyra. Pra, këtu ka shumë interesa të përbashkëta dhe sfida numër një është me e gjetë mesin që të gjithë të jenë të kënaqur“.

Për t’i shmangur ngjarjet e tilla, Valoni thekson se duhet të kuptohen pikëpamjet e secilit, pronarët mund të dëshpërohen kur dikush e lë punën, mirëpo ndoshta personi kyç nuk është ndjerë i vlerësuar. Sidoqoftë, Valoni thekson se për secilën sfidë që i shfaqet gjatë rrugës, ai mundohet të jetë mëndërisht i përgatitur dhe të reagojë shpejt, duke mos lejuar që punët të dështojnë.  “Detyra ime si pronar është të gjej zgjidhjen shpejt sepse ekuilibri për të cilin fola më lart, prishet”.

“Një ndërmarrës i suksesshëm, krijon ura”

Pos krijimit të vendeve të punës në Kosovë, Valon Asani si arritje të tij e konsideron edhe krijimin e liderëve të rinj. Ai tregon se si kompania e parë MIK Group të cilën e nisi para 8 vjetëve, sot funksionon pa pasur nevojë që Valoni të jetë prezent. Duke krijuar liderë të rinj, ai nënvizon se ka pasur hapësirë të krijojë diçka sikur dua.com.

Sipas tij, ndërmarrësit e suksesshëm duhet të jenë të zotë të krijojnë ura. Këtu ai përmend që me kompaninë MIK Group janë marrë shumë me trajnimin dhe shkollimin e të punësuarve, duke i dërguar qoftë edhe jashtë vendit, në mënyrë që të krijojnë vlerë për tregun dhe t’ua ndryshojnë jetën disa familjeve.

Këta njerëz, Valoni thotë se sot punojnë për tregun gjerman, amerikan ose edhe kanë themeluar biznese të tyre, sepse kanë arritur ta kuptojnë sistemin. “Gjithçka është digjitale, kjo mendoj që është një arritje e madhe sepse krijohet një sistem që ua ndryshon jetën në mënyrë pozitive njerëzve”

Gjatë gjithë jetës së tij, librat kanë qenë shoqëruesit më të mirë dhe çdo libër që ka mbajtur në dorë, Valoni thotë se i ka ndryshuar mënyrën e mendimit e besa edhe biznesin e tij. Ndërkaq, për të rinjtë që presin të hyjnë në treg të punës, ai ka një këshillë. Ai i këshillon ata që të informohen sa më shumë dhe vazhdimisht.

Sipas tij, të rinjtë, duhet po ashtu të njohin bazën e disa gjërave, t’i kushtojnë më shumë rëndësi mënyrës se si dërgojnë një email, kur dërgojnë një CV ta dërgojnë bashkë me një letër motivuese dhe të kuptojnë vlerën e prezantimit dinjitoz. “Dija është online, është falas, keni miliona libra, kurse, interneti është falas. Duke u informuar mirë, mund të jeni shumë të suksesshëm, t’i krijoni edhe bizneset tuaja”, përfundoi Valon Asani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat