Vizita tek fshatarja e urtë zvicerane

Zvicra

Vizita tek fshatarja e urtë zvicerane

Nga: Alfred Papuçiu Më: 8 mars 2020 Në ora: 16:01
Alfred Papuçiu

Kur shkoj në fshatin zviceran jam i habitur nga lulet nëpër ballkone, nga flamurët me emblemën e Zvicrës, apo të kantonit ku ndodhesh, nga njerëzit e thjeshtë që të përshëndesin në rrugë që më kujtojnë vitet e fëmijërisë kur shkoja në Fier, tek të afërmit e mij, apo edhe në Tiranë, Përmet, Lezhë, Valbonë, Sarandë, Pogradec, Voskopojë dhe çdonjeri përshëndeste tjetrin edhe pa e njohur. Në Zvicër, njerëzit nuk flasin me zë të lartë, nuk ngacmojnë vajzat në rrugë apo në autobuza, gjithçka është e pastër dhe e “qëndisur” nga puna e njerëzve të mirë e të ndershëm zviceranë që nuk rreshtin së punuari, por që edhe dijnë të argëtohen.

Atë ditë isha me një mikun tim nga Shqipëria në një fshat pranë Neuchâtelit. Shkuam tek një i njohuri ynë dhe ai na ndali tek një fermë e vogël. U përshëndetëm me të zotët e shtëpisë, të cilët na përqafuan dhe na ftuan të pijmë nga një gotë të vogël vere , të prodhuar nga vreshta e tyre… U ulëm në dhomën e pritjes dhe e zonja e shtëpisë na nxorri një tas të madh me reçel, ose liko, siç i themi ne nga anët tona. Miku nga Shqipëria që ju zgjat të parit tasi me reçel, filloi të hante…Hante dhe hante dhe nuk kishte të mbaruar…Pas pak, ai i skuqur tha: “Nuk ha dot më”…

Unë me zë të ulët i thashë: “S’ka gjë, pasi zakoni edhe këtu si tek ne është të merret një lugë reçel dhe tjetra lihet”…

Unë u përpoqa ta ndreq gabimin, duke u thënë të zotërve të shtëpisë se në një vend në Shqipëri e kishin zakon si këtu që nxirnin tasin e madh me reçel, por edhe atje kishte njerëz që nuk e dinin si të vepronin dhe hanin pak si tepër, duke menduar se respektonin të zotët e shtëpisë.

Fshatarja zvicerane, me faqet e kuqe flakë u përgjigj: “I bëftë mirë mikut nga Shqipëria. Deri sa e pëlqeu, unë jam tepër e kënaqur. Gëzuar dhe të mirupafshim vitin e ardhëshëm në Shqipëri”.

Deshirë që u realizua dhe miqtë zviceranë e pëlqyen fshatin dhe mjedisin shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat