Çfarë nënkupton në realitetet një iniciativ e të djathtës SVP/UDC në Zvicër ? 

Zvicra

Çfarë nënkupton në realitetet një iniciativ e të djathtës SVP/UDC në Zvicër ? 

Nga: Lirim Begzati Më: 23 qershor 2020 Në ora: 20:10
Lirim Begzati

Sipas një mocioni të partisë së të djathtës ekstreme UDC/SVP që iu drejtua Parlamentit zviceran këto ditët e fundit, kërkohet që niveli i kontributeve që duhet paguar për sigurimin e papunësisë të varet posaçërisht nga shtetësia e personit. Sipas vizionit të saj, pagesa e kontributeve duhet të bëhet në funksion të “rrezikut”, duke shtuar si argument edhe faktin se papunësia është më e lartë tek disa të huaj.

Si model inspirimi, kjo parti i referohet sidomos modelit të sigurimeve të automjeteve, duke potencuar atë se, si për shembull, është krejtësisht normale (sipas tyre) që personat me origjinë nga ish-Jugosllavia të paguajnë më tepër se sa shtetasit zviceran. Shkurt, dëshirojnë pra që parimi i tillë të aplikohet edhe në sigurimin e papunësisë.

Është e vërtet se në lëmin e sigurimeve private, ku bënë pjesë edhe ai i automjeteve, aplikohen nganjëherë praktika tarifore varësisht nga shtetësia e kandidatit, një rregull kjo e cila i penalizon në mënyrë të padrejtë disa kategori të huajve, në mesin e të cilëve natyrisht se nuk janë të kursyer edhe njerëzit që vijnë nga trojet ballkanike. E themi të padrejtë, pasi që në emër të një formule “të gjithë në të njëjtin thes”, çmimin e paguajnë edhe ata që nuk janë aspak përgjegjës për aktet e papërgjegjshme të dikujt tjetër.

Është e vërtetë edhe ajo se me gjithë angazhimin e disa autoriteteve zvicerane, të cilët u përpoqën me i eliminuar këto praktika së paku diskutabile, ende nuk është arritur që t’iu jepet fund këtyre rregullave të cilat me siguri ngërthejnë ne vete elemente diskriminuese.

E ja çka është duke ndodhur tani. Nuk po na mjaftuaka “puna e bërë” nga disa sigurime private. Dikush dëshiron me shkuar ende më larg, me i “futur hundët” edhe në sigurimet shoqërore. Kërkesa e iniciuesve për caktimin e përqindjeve të kontributeve të papunësisë, varësisht nga shtetësia e personit, jo vetëm se është absurde, por edhe e rrezikshme.

Nëse preken vlerat dhe parimet e sigurimeve shoqërore, preken rëndë edhe vlerat dhe parimet e shoqërisë zvicerane në përgjithësi. Përveç kësaj, një praktik e paarsyeshme diferencimi, duke u futur në themelet e funksionimit të sigurimeve shoqërore, prek rëndë edhe kohezionin dhe bashkëjetesën e harmonishme.

Pa dyshim se argumentet e mocionit të propozuar bien ndeshë gjithashtu me parimet dhe rregullat themelore të Kushtetutës zvicerane dhe të shtetit të së drejtës. Mos të harrojmë atë se edhe në vetë gjirin e SVP/UDC, me siguri se shpejt do të dalin në shesh tendenca të cilat nuk do t’i a mbajnë domosdoshmërish anën iniciativës së marrë. Kjo nënkupton pra se kjo parti i futet rrezikut shtesë për telashe të brendshme.

Sigurimet shoqërore, ku bënë pjesë edhe ai i papunësisë, nuk duhet assesi të trajtohen si një “mall i vënë në shitje në treg”, sipas shijes së disa protagonistëve. Por, sigurimet e tilla mund të cilësohen lirshëm si një “pasuri” e vyeshme e vënë në funksion të shtetit dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të barabartë, pa marrë parasysh origjinën, shtetësinë apo përkatësinë etnike të tyre.

Nëse në sferën e sigurimeve private ende vazhdojnë të bëhen ca pazarllëqe në emër të leverdive dhe interesave të tyre financiare, kjo nuk domethënë aspak se një gjë e tillë duhet të ndodhë edhe me sigurimet shoqërore. Frymëzimi apo pikë referimi në sigurimet private tek iniciuesit duket se parqet një adresë të gabuar.

Fundja, nëse preket sigurimi i papunësisë, kush do t’a kishte radhën pastaj ? Sigurimi i pleqërisë, i invaliditetit, aksidenteve e kështu me radhë?

Kurse sa i përket pranisë së një shkalle më të lartë të papunësisë tek disa shtetas të huaj, vallë a u përkujdes dikush nga iniciuesit e mocionit për me i gjurmuar pakë më mirë faktorët gjithëpërfshirës të cilat tregojnë se pse papunësia është më e lartë tek disa shtresa?

Një institut i famshëm, siç është Forumi zviceran për studime të migracionit pranë Universitetit të Neuchâtel-it, pa hamendje shpesh e përmend edhe diskriminimin si një faktor ndër shumë të tjerë që e sqarojnë fenomenin e tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat