Në Zvicër, është vërtetë shumë lehtë me hapur një biznes, por...!

Zvicra

Në Zvicër, është vërtetë shumë lehtë me hapur një biznes, por...!

Nga: Lirim Begzati Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 19:16
Lirim Begzati

Sipas rregullave zvicerane të lirive tregtare, nuk është aq vështirë me filluar një biznes (apo me hapur një shoqëri tregtare).

Përveç personave me status të rregulluar, nëse disa kushte plotësohen, edhe personat që nuk kanë asnjëfarë leje qëndrimi mund t’i futen projektit për hapjen e një firme në këtë shtet. Mirëpo kuptohet se procedura kalon përmes disa etapave të njëpasnjëshme për me u siguruar se - aktiviteti i propozuar - a është i një rëndësie për ekonominë zvicerane. Kësisoj, nëse kushtet plotësohen, hapet pastaj edhe rruga e rregullimit të statusit të qëndrimit.  

Vetëm profesionet e ashtuquajtura të « mbrojtura » dhe të rregulluara me ligj gëzojnë një status të posaçëm dhe s’mundet me i ushtruar gjithkush. Janë në pyetje posaçërisht profesionet që kërkojnë një licencë specifike shtetërore (siç janë, për shembull, profesioni i mjekut, inxhinierit, noterit, elektricistit, e shumë të tjera).

Për bizneset e shumta që ushtrohen, për shembull, në sektorë të ndryshëm të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe zanateve, në shumicën e kantoneve zvicerane, nuk kërkohet aspak diplomë e posaçme apo shkollim adekuat.

Lehtësitë e jashtëzakonshme për me e hapur një biznes  shpesh kanë si pasojë që personat e interesuar i anashkalojnë nganjëherë disa analiza që duhet bërë për me e kuptuar realisht se çka “fshihet” prapa projekteve të kësaj natyre (volumi i punës së kërkuar për me e “mirëmbajtur” një firmë, shpenzimet dhe pagesat e ndryshme që lidhen ngushtë me funksionimin e një firme, etj.).

Kjo ka shpesh si pasojë edhe atë se, nëse brenda një viti hapet një numër i konsiderueshëm i firmave, edhe numri i atyre që shpejt shkojnë në falimentim është gjithashtu tejet i lartë. 

KUSH DO TË ISHTE FORMA JURIDIKE MË E PËRSHTATSHME PËR BIZNESIN TONË ?

Format e ndryshme (firmë individuale, SHPK, etj.) nuk i përshtaten çdo lloji aktiviteti tregtar. Kështu që duhet zgjedhur formën e duhur, varësisht prej projektit të biznesit që dëshirojmë t’a ushtrojmë.

Ekzistojnë disa fusha të tregtisë të cilat nuk karakterizohen me rreziqe të larta financiare apo të përgjegjësive. Atëherë, konkretizimi i projektit të biznesit mund të realizohet përmes ndërmarrjes individuale. Është kjo forma më pak e ndërlikuar.

Ndërsa, për bizneset kur dikush i futet një aktiviteti me dikën tjetër (ortak), atëherë është e preferueshme të kalohet nëpërmjet një SHPK – GMBH – SARL (Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar).  Shpeshherë është e këshillueshme kjo formë, e cila është edhe më e përhapura. Kapitali minimal që duhet investuar është 20'000.- franga. Mbi 92 mijë SHPK janë të regjistruara aktualisht në Zvicër.

Përparësia më e madhe e SHPK vërehet edhe atëherë kur ballafaqohemi me humbje apo kur është shkaktuar një dëm ndaj personave të tretë. Përgjegjësia për borxhet dhe dëmin e bërë bartet kryesisht tek kapitali ekzistues i SHPK (e jo tek kapitali individual i udhëheqësit të SHPK). Po kështu, ortakët janë të mbrojtur më mirë. 

Shoqëritë anonime këshillohen gjithsesi në rastet e fillimit të ndonjë biznesi me një dimension përgjegjësie shumë më të lartë sesa shoqëritë tjera tregtare.

Për të gjitha format ekzistuese, edhe rregullat për sigurimin e shoqërive tregtare, pagesat e tatimeve, të TVSH, dhe shumë detyrimeve të tjera, dallojnë varësisht prej formës së zgjedhur të biznesit. 

A ËSHTË I DETYRUESHËM REGJISTRIMI NË REGJISTRIN TREGTAR DHE KUSH ËSHTË VLERA E TIJ ?

Ajo që iu jep një status të njohur shoqërive të ndryshme tregtare është regjistrimi i tyre në regjistrin tregtar (« Registre du commerce » (fr.), « Handelsregister » (gj.)).

Varësisht nga forma juridike e biznesit të zgjedhur, regjistrimi s’është çdo herë i detyrueshëm. Vetëm shoqëritë tregtare (individuale) që realizojnë të ardhura mbi 100'000 franga në vitë i nënshtrohen këtij detyrimi. Kurse për të tjerët regjistrimi është fakultativ.

Regjistrimi këshillohet edhe atëherë kur nuk do të ishte i detyrueshëm. Kjo sqarohet me faktin se regjistri është një dokument publik që i përcjellë informatat themelore për biznesin e ushtruar dhe mund të konsultohet nga secili person i interesuar, duke ofruar kështu edhe një transparencë sa më të lartë, aq e nevojshme kjo për aktivitetet tregtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat