Majlinda e majave të suksesit

Zvicra

Majlinda e majave të suksesit

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 2 korrik 2021 Në ora: 20:34
Majlinda politikën e ka pasion, kurse mjekësinë profesion

Diaspora po krenohet me Majlinda Sulejmanin, me origjinë nga Malësia e Bujanocit, nuse e Tërnocit, një femër e suksesshme në fushën e politikës evropiane dhe një nga kandidatet e mundshme për të qenë pjesë e Sesionit të Grave për rajonin e Zvicrës, që do të zhvillohet në fund të tetorit të këtij viti. Sukseset e Majlindës në fushën e politikës dhe të mjekësisë e bëjnë atë një emër të përmendur në rrugën e të arriturave progresive, duke na bërë edhe neve krenarë më të kudo që jemi.

E pyetur se si arriti të jetë kandidate e përshtatshme në Sesionin e Grave 2021, për rajonin e Zvicrës Perëndimore, ajo me kënaqësi i përgjigj:

Në vendin ku unë e veproj, më njohin për politikane të pasionuar, por edhe pragmatike. I kam kushtuar rëndësi integrimeve evropiane, të cilat sot për shumë shtete merren si proces dhe model të veprimit me interesa të ndërsjella. Mendoj se këto veprimet e mia janë marrë si kriter për t’më propozuar si kandidate të mundshme në Sesionin e Grave të Zvicrës Perëndimore. Sesioni ka një rëndësi të madhe, i cili do të mbahet, më 29 dhe 30 tetor, të vitit 2021 dhe unë do ta jap kontributin tim në ngritjen e raporteve shqiptaro-zvicerane.

Image
Majlinda Sulejmani, një emër që premton në raportet e politikës shqiptaro-zvicerane

Sa i përket rolit dhe rëndësisë së femrës në politikë e integrime e sidomos në fushën e barazisë gjinore, Majlinda nga këndi i një politikane ambicioze dhe shumë karizmatike, shprehet:

Mua më ra hise të merrem qysh herët me politikë, në një moshë fare të re dhe kam parë nga afër se femra në politikë për dallim nga vendi prej nga kam ardhur Kosova karshi vendeve perëndimore dallon si nata me ditën. Bie fjala në Zvicër, barazia gjinore është e rregulluar me kushtetutën federale që nga viti 1981. Në 1996 hyri në fuqi Akti i Mundësive të Barabarta; specifikon mandatin kushtetues për jetën e punës, ndalon diskriminimin direkt dhe indirekt në të gjitha marrëdhëniet e punës dhe synon të sigurojë mundësi të barabarta në jetën e punës. Pasi jam pro barazisë gjinore – normalisht që zëri im do të jetë efikas në këto tema, problematika është gjithmonë njësoj: ne duam të drejta të njëjta – të bëhet një balancim, sepse në vitin 2021 besoj që të drejtat duhen të jenë të barabarta. Kjo në vendin tonë, mjerisht, nuk zbatohet, ndaj edhe pjesëmarrja e femrës në politikë dhe vendimmarrje është më pak se simbolike.

Të jesh politikane në Zvicër a është vështirë dhe si të shikojnë së pari të huajt, pastaj edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë?

E kam thënë edhe më herët se me politikë kam filluar të merrem, që nga shkollimi i mesëm dhe nuk jam pishman sepse e adhuroj dhe jam shumë e pasionuar pas saj. Dashurinë ndaj politikës ma ka mbjell politikania nga Saint Gallen, Patricia Mattle, së cilës i falënderohem shumë dhe falë saj e kam gjetur veten në partinë CVP. Aktiviteti im në këtë parti gëzon besimin jo vetëm të kryesisë së saj, por edhe të bashkëvendësve shqiptarë dhe qytetarëve zviceranë. Me të përfunduar studimet në “Degën Management Health, Mësimdhënëse dhe eksperte në fotografimet të rëntgenit”, përsëri vazhdova të merrem me politikë, rrugë të cilën edhe sot e vazhdoj me kënaqësi.

E pyetur se kush është Majlinda, për një biografi të shkurtër, ajo me një buzëqeshje tërheqëse dhe me një sjellje miqësore flet:

Jam e lindur në vitin 1989, në Gjilani. Prindërit i kam me origjinë nga Breznica e Epërme, Komuna e Bujanocit. Viteve të 90-ta migruam në kantonin e Saint Gallenit te Zvicrës, në Widnau të Saint Gallenit. Si për shumë shqiptarë edhe për mua ishte në fillim vështirë të integrohesha për shkak gjuhës, mirëpo me kalimin e kohës arrita t’i tejkaloj këto vështirësi. Sot ajo është një shembull i mirë i politikës dhe integrimeve, një zonjë e respektueshme nga të gjithë, shkurt, një femër e sukseseve pa fund. Gjithashtu, Majlinda, ka një shpirt humanizmin dhe atdhedashurinë, është komunikatave dhe tolerante. Në këtë drejtim nuk i mungon solidarësia dhe mirësia njerëzore për njerëzit që kanë nevojë për ndihma. Ajo është nuse e Tërnocit e martuar me Skender Sulejmanin, pronar i Kompanisë “Swiss Deals”, që drejtohet nga dy bashkëshortët. Dëshira e saj është ta vizitoj edhe Luginën e Preshevës, prej nga e ka origjinën e të parëve të saj dhe ndihet shumë krenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat