Në Zagreb u promovua Monografia e SHHLP-së, 10 vjet për kombin

Zvicra

Në Zagreb u promovua Monografia e SHHLP-së, 10 vjet për kombin

Nga: Dahest Luma Më: 17 maj 2017 Në ora: 08:40
Pamje nga promovimi i monografise së Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“

Zonja Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete e Parlamenti të Kroacisë i uroi kryetarit të shoqatës z.Musliu dhe kryesisë e anëtarëve të saj, që të vazhdojnë edhe më tutje këtë punë të madhe e shumë të shenjtë humanitare, që ka bërë e që po bëjnë. Ajo tha, se, vërtet është për të nderuar, gjithë këtë angazhim që e kanë bërë këta veprimtarë rreth kësaj shoqate“. 

Zagreb, 16 maj

Edhe një sukses tjetër i veprimtarëve të SHHLP-së edhe ate në kryeqendrën e Kroacisë, të këtij shteti mik të kombit tonë. Kësaj here, Biblioteka Qendrore Shqiptare në Zagreb, e drejtuar nga zonja shumë e nderuar, Dorotea Kerni, mblodhi shumë veprimtarë e dashamirës të librit. Kishte disa ditë, që në derën kryesore të kësaj biblioteke, qëndronte edhe një shkresë, ku njoftonte komunitetin tonë në Kroaci, se me datë 16.05.2017, do të promovohet monografia e SHHLP-së.

Organizatore e këtij evenimenti shumë të rëndësishëm, ishte Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit, me bashkëorganizatorë, zonjën e respektuar, Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete në Parlamentin Kroat, Shoqata e Grave  Shqiptare të Zagrebit „Drita“, Biblioteka „Bogdan Ogrizovic, Biblioteka Qendrore Shqiptare. Ishte ora 16.30, që kjo Bibliotekë pritke bashkëkombasit tanë, që jetojnë edhe veprojnë në Zagreb me rrethinë. Ishte nder dhe kënaqësi, të shohësh, shumë të pranishëm e në mesin e tyre, sekretarin e Ambasadës së Kosovës në Zagreb, bashkëkombase nga Shoqata e Grave Shqiptare të Zagrebit „Drita“, profesorë, intelektualë, veprimtarë, si Ismet Salihu,z.Kuzhnini, Prof.dr.Zenun Skenderi ligjërues në Fakultetin Tekstilo Teknologjik, Shuip Ziberi, kryetar i Këshillit të Pakicës Shqiptare të qytetit të Zagrebit, Doktorin e njohur kardiologun shqiptarë, z.Arben Ahmeti, z.Amir Haziri, si dhe shumë të tjerë.

Zonja, Dorotea Kerni e hapi këtë eveniment kulturorë kushtuar monografisë së Shoqatës me këto fjalë:

Të dashur miq, zonja e zotërinj të nderuar të pranishëm, në emër të Bashkësisë Shqiptare të qytetit dhe Prefekturës së Zagrebit dhe Shoqatës së Grave „DRITA“ dhe ju uroj mirëseardhjen në Bibliotekën tonë, ku jemi mbledhur për të prezantuar monografinë 10 vjet për Kombin. Ju falënderoj të gjithëve që gjetët kohën të jeni edhe sot me ne. Falënderim i veçantë shkon për sekretarin e Ambasadës së Kosovës, Z. Amir Haziri dhe znj. Ermina Lekaj Prljaskaj.

Është vërtetë kënaqësi, që këto ditë komuniteti ynë në Zagreb, zhvillon disa aktivitete, që personalisht, do t`i quaja “Ditët pranverore të kulturës”, duke nisur dje me tribunën dinjitoze kushtuar Prof. të nderuar Z. Mirdita, këtij shqiptari e shkenctari të madh, siç e quan me të drejtë prof. Shkreli. Vazhdon sot me prezantimin e kësaj monografie me autorë Dr. Llukman Halilin i cili për shkaqe shëndetsore nuk është me ne sot, dhe gazetarin tepër aktiv në diasporë Mr.sc. Dashnim Hebibi.Për të vazhduar  nesër e pasnesër me prezantimin e dy librave të tjerë.

Me ne sot ndodhet edhe kryetari i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës“, në Zvicër, z. Fazlli Musliu cili së bashku me autorin kanë udhëtuar nga Zvicra (gjithë natën, për shkak të angazhimeve të tjera më parë) për të qenë pjesë e aktiviteteve tona këto ditë. Ju falënderoj shumë që jeni me ne. Materiali i trajtuar në monografinë e sapobotuar “10 vjet për Kombin” të autorëve Llukman Halili dhe Dashnim Hebibi, përveç se  bëhet pjesë e historisë tonë kombëtare, pasqyron në detaje veprimtarinë dhe ndihmën e madhe të Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës“ në Zvicër dhe se kjo është një dëshmi, që tregon, se mërgata shqiptare kurrë nuk e ka kyrsyer ndihmën e saj, edhe në kohë të pakohë! Zonja Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete në Parlamentin kroat, pasi përshëndeti musafirët e ardhur nga Kosova, ajo përshëndeti edhe të gjithë të pranishmit dhe vlerësoi lart punë e madhe humanitare e kombëtare, që ka bërë shoqata. Zonja deputete, i uroi kryetarit të shoqatës dhe kryesisë e anëtarëve të saj, që të vazhdojnë edhe më tutje këtë punë të madhe e shumë të shenjtë. Ajo tha, se, vërtet është për të nderuar, gjithë këtë angazhim për 10 vjet të kësaj shoqate“. 

Z.Fazli Musliu, kryetar i SHHLP-së, pasi falënderoi këshillin organizativ, përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe njëherit, përcolli përshëndetjet e kryesisë dhe anëtarëve të shoqatës. 

Ai tha ndër të tjera: „Se ndjehem shumë mirë, që sot jam në kryeqendrën e kroate dhe po bashkëbisedon me bashkëkombas, veprimtarë të dëshmuar. Monografia është një pasaportë e shoqatës sonë, që është kontribuar aty ku ka pasur nevojë. Familjet e dëshmorëve, jetimët si dhe studentët, ishin dhe do të mbetet prioritet për shoqatën tonë edhe në të ardhmen. Ne jemi zotuar, se nuk do të ndalemi së vepruari deri sa të kemi shëndetin e mirë, sepse familjet e dëshmorëve e meritojnë“. Z.Musliu, foli edhe për punën që është bërë në Shoqatë, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për të mirën e atyreve që kanë nevojë.

Pas fjalës së z.Musliu, i cili githashtu tregoi se si kanë shkuar të hollat e ndihmat, e në çfarë forme grumbullohen ndihmat, zonja, Kerni, lexoi edhe një vlerësim kritikë, të Skender Latifi, publicist njëherit gazetarë i njohur, duke vlerësuar shumë punën madhore që ka bërë kjo shoqatë, shprehet në një recension rreth monografisë se: Parë nga këndvështrimi i lexuesit të zakonshëm, libri i dy autorëve luginas, mund të duket si një libër i zakonshëm i pasuruar me informacione e të dhëna, por a do të mjaftohemi vetëm me kaq fjalë? Si një hulumtues modest i të kaluarës dhe të së tashmes të pjesës së kombit shqiptar të Luginës së Preshevës, që akoma vazhdon të rrojë i ndarë nga trungu etnik, mund të them se nuk mund të pajtohem me ndonjë mendim të tillë se libri “10 vjet për Kombin” dhe aktualiteti i tij do të zbehen në varësi të kohës së botimit! Shprehem kështu, ngase libra të tillë të pasur me të dhëna të detajuara, përveç se janë dëshmi e investimit të djersës së mërgimtarëve në ndërtimin e kombit, në anën tjetër paraqesin material të pasur arkivor duke e pasqyruar në detaje rrahjen e pulsit të shqiptarit të mërguar, që nuk pushoi së ndihmuari edhe atëherë kur anagazhimet dhe përpjekjet e tij duken iluzioniste.

Do të vijë koha kur studiues të rinj të hulumtojnë rolin e mërgatës shqiptare në luftën për çlirimin, mbajtjen gjallë dhe ngritjen e kombit shqiptar. Mërgimtarët  vazhdojnë të jenë solidar edhe sot, duke qenë gjithnjë në kërkim të modifikimit të tradicionales dhe modernes. Duke jetuar në shtete të zhvilluara moderne, për hir të ndihmës ndaj familjeve, krahinave dhe vetë kombit shqiptar, breza të mërgimtarëve e kanë sakrifikuar të ardhmen e tyre personale dhe me vetëdije kanë hequr dorë nga kënaqësitë që jeta i ofron në vendet ku ata derdhin djersën dhe mundin e tyre“. Z.Sejfedin Prekazi, kryetar i Bashkësisë Shqiptare të qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës së kësaj kryeqendre, si edhe herave të tjera me modestinë e tij, bënte foto dhe kënaqej, kur shihte këtë numër të madh të dashamirësve të librit dhe musafirët nga Zvicra, që bashkebisedonin me ngrohtësi e sinqeritet. Z.Sefaj, nuk e mori fjalën, por shihej i gëzuar, se më në fund, gjithçka po shkon mirë, ashtu si e ka pritur, sepse ishte angazhuar shumë, që të kalohej si duhet edhe ky promovim libri. Z.Ismet Salihu e mori fjalën dhe i përshëndeti të pranishmit dhe bashkëbisedoi me musafirët edhe rreth shoqatës, por edhe rreth situatës aktuale në Luginë të Preshevës.

Edhe z.Amir Haziri, sekretar i Ambasadës së Kosovës, i përshëndeti musafirët nga Zvicra, si dhe të gjithë të pranishmit, i cili kujtoi ndër të tjera, se diaspora shqiptare gjithandej botës, ka kontribuar dhe po kontribuon për të mirën e kombit kudo që gjendet ajo. Njëri nga autorët e monografisë, Mr.sc.Dashnim Hebibi, foli disa minuta rreth monografisë dhe përcolli përshëndetjet e kyetarit të Shoqatës Humanitare „Medvegja“ në Zvicër, z.Zenel Neziri, si dhe të Shoqatës Kulturore „Jehona“, nënkryetar z.Rafet Ademi. Disa nga musafirët, shtruan edhe pyetje për z.Hebibi dhe Musliu, ku me dashamirësi ata i kthyen përgjigje dhe mbetën të kënaqur, që të gjithë. Z.Hebibi, i njoftoi të pranishmit, edhe pse është e shkruar në monografi, se kanë bërë një punë pa asnjë mëditje, së bashku me z.Halili, vetëm e vetëm, që ato dokumente, që i kishte shoqata në fjalë, të jenë në libër dhe të shërbejnë për gjenetarat e reja që do të vijnë.

Ai vazhdoi, se kjo shoqatë, për 10 vjet, ka mbledhur jo më pak se mbi 270.000 euro, e cila është punë e madhe dhe të gjitha ndihmat kanë shkuar në vendin e duhur dhe se kryetari i SHHLP-së, z.Musliu, as një frangë nuk e ka marrë nga kjo shoqatë edhe gjatë këtyre ditëve, që po promovohet kjo monografi. Por edhe monografia është botuar, fjalë disa veprimtarëve, pra nuk është prekur konto e shoqatës, sepse ato të holla që janë në konto të shoqatës, kanë shkuar dhe do të shkojnë vetëm atje ku do të duhej. Edhe ky takim tregon dhe dëshmon, se diaspora shqiptare në Zagreb e kudoqoftë ajo, respekton dhe çmon punën e atyre që punojnë dhe që këtë punë e pasqyrojnë në letër, pra në libra. Aty në ora 17:45 minuta, zonja Dorotea Kerni, e përmbylli këtë promovim, duke i falënderur të gjithë të pranishmit e padyshim edhe musafirët nga Zvicra. Krejt në fund, si z.Musliu ashtu edhe z.Hebibi, për të pranishmit, dhuruan nga një egzemplarë të kësaj monografie. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat