Historiku i të huajve në Zvicër, nga hugenotët te shqiptarët por gjithmonë në dobi të vendit

Zvicra

Historiku i të huajve në Zvicër, nga hugenotët te shqiptarët por gjithmonë në dobi të vendit

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 29 korrik 2017 Në ora: 15:35
Dita e Shën Bartolomeu 1572 në Paris, Masakra e francezëve protestantë.

Fillimisht erdhën hugenotët, refugjatët protestantë nga Franca, ndërsa më pas italianët. Deri në Luftën e Parë Botërore për të huajt sundonte një paqe e jashtëzakonshme në vendin helvet. Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, James Schwarzenbach, vendosi një agjendë politike për politikën e jashtme - dhe prej atëherë ka mbetur e tillë, shkruan Rene Lüchinger për “Blick”.

Emigrantët e parë në kohët e reja erdhën si refugjatë në Zvicër: hugenotët janë protestantë, ndjekës të mësimeve të Johannes Calvin, të cilët u përndoqën nga katolikët francezë në mes të shekullit të 18-të. Ata ishin shpallur jo-besnikë ndaj shtetit francez. Si bankierë, punëtorë artizanalë, orëndreqës ata i përkisnin një elite të caktuar në malet shterpe. Rreth 100.000 hugenotë erdhën në Zvicër duke themeluar krahas bankave private në Gjenevë edhe industrinë e sahatëve në Jurabogen.

Image

Varfëria i dërgoi zviceranët jashtë

Zvicra u kthye tamam në një vend strehimi për emigrantët në vitet 1880-të. Disa dekada më parë si pasojë e varfërisë kronike në Zvicër, shumë banorë emigruan në SHBA. Në vijim erdhën gjithmonë e më shumë punëkërkues duke rritur gradualisht numrin e të huajve: 5,7 përqind (1870) në 11,6 ( deri 1900) dhe në fund në 14,7 përqind pak përpara Luftës së Parë Botërore.  Në intervalin kohor mes 1888 dhe 1910 emigruan rreth çerek milioni njerëz në Zvicër - shumica gjermanë dhe italianë.

Kjo nuk kalonte pa konflikte për banorët vendas, që frikësoheshin për vendet e punës. Në 1893 erdhi deri te protesta e dhunshme me emrin “Trazirat e Käfigturm” në Bernë: Zviceranët e papunësuar demoluan skele ndërtimi dhe dhunuan punëtorët italianë të ndërtimit - ata i ofendonin se punonin për çmime tepër të lira. Nga protestuesit vendorë u arrestuan 14 veta dhe i ngujuan në Käfigturm. Situata eskaloi dhe u desh ndërhyrja e ushtrisë. Kishte shumë të plagosur. Tre vite më vonë erdhi deri te “Trazira italiane”, kësaj here në Cyrih. Nga një përleshje një murator italian kishte sulmuar me thikë një zviceran - përsëri u desh ndërhyrja e ushtrisë, për ti dhënë fund rrëmujës.

Image

Lehtësi emigrimi deri në Luftën e Parë Botërore

Megjithatë praktikisht ekzistonte liria e lëvizjes deri në Luftën e Parë Botërore. Një marrëveshje shtetërore mes Zvicrës dhe Italisë e 1868 u garantonte lëvizje të lirë shtetasve të dyja palëve, duke përfshirë edhe bashkimin familjar. Ishte koha e tregjeve të lira. Në tre dekadat e ardhshme bilanci ishte negativ mes të ardhurve dhe larguarve.

Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore do kthehej përsëri koha e banorëve jugorë (kryesisht italianë) që zhvendoseshin në Zvicër. Shumë fotografi bardhë e zi tregojnë stacionet e trenave të mbushur me të huaj me valixhe në dorë të cilët kërkonin punë si ndërtimtarë, kamarierë ose si punëtorë në sektorin e bujqësisë. Këta emigrantë i dhanë një hov ekonomisë zvicerane në dy dekadat e para të pas LDB. Vetëm në 1947 dhe 1948 emigruan mbi 100.000 italianë në vend, shumica nga Friaul, Venediku ose Lombardi – vetëm në mes të viteve 50-të erdhën si punëtorë italianët e jugut.

Për të kanalizuar emigrimin masiv mes Zvicrës dhe Italisë u nënshkrua një pakt në 1948, ku punëtorëve të Italisë jugore u jepej leje të punonin nëntë muaj në vit dhe për tre muaj detyroheshin të ktheheshin në vendlindje (Viza B - e atëhershme). Fëmijët dhe gratë nuk lejoheshin të merreshin atje ku ata punonin. Vetëm pas dhjetë vitesh italianët mund të merrnin Vizë C, ku mund të qëndronin perherë në Zvicër dhe të kryenin bashkimin familjar. Përkundër kësaj, numri i banorëve të huaj nga 1950 në 1960 u rrit nga 271’000 në 476’000 - shumica italianë.

Image

Paragrafi diskriminues

Deri në 1952 ka ekzistuar një paragraf që nëse një punëtor i huaj martohej me zvicerane, atëherë atij i humbej e drejta e qëndrimit në Zvicër. Por ky ligj u largua pas ratifikimit të drejtës tjetër civile.

Pas italianëve erdhën spanjollët - si pasojë e luftës civile ndër diktatorin Franco. Fillimisht ata erdhën në 1958 si turistë, ndërsa më pas u desh një marrëveshje mes Zvicrës dhe Spanjës për të rregulluar emigrimin.

Në 1970 të huajt në Zvicër arritën shifrën e një milion banorëve dhe me një përqindje rekord prej 17.2 përqind. Atëherë doli në pah iniciativa e njohur e politikanit James Schwarzenbach, që kërkonte zvogëlimin e përqindjes së të huajve në 10 përqind. Pasojat do ishin fatale: 350'000 të huaj duheshin ta lëshonin vendin. Fatale mbi të gjitha ishte për industrinë vendore, pasi çdo i treti punëtor në fabrikë ishte i huaj.

Megjithatë iniciativa u refuzua në zgjedhjet e 7 qershorit 1970; ku 54 përqind votuan kundër. “Por iniciativa e Schwarzbachut dhe rezultati i kënaqshëm do ndryshonte politikën zvicerane përgjithmonë,” shkruante media më e madhe zvicerane “NZZ”. Prej atëherë në Zvicër ka një agjendë politike për të huajt, që tani përfaqësohet më së shumti nga SVP.

Image

Ardhja e shqiptarëve

Në 1970 të huajt kaluan një milionëshin, ndërsa pas viteve 80-të një valë e re e të huajve do vinin në Zvicër: portugezët dhe banorët e ish Jugosllavisë. Luftërat civile dhe jo-stabiliteti politik solli edhe shumë banorë nga Shri Lanka, Liberia dhe Turqia në Zvicër. Gjatë kësaj kohe emigruan edhe shumë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët sot janë ndër komunitetet me numrin më të madh në Zvicër.

Një valë e fundit e emigrantëve në Zvicër erdhi në 2002, kësaj here pas një marrëveshje mes Zvicrës dhe BE, për pranimin e njerëzve të shkolluar. Atëherë emigruan shumë doktorë dhe shkencëtarë, kryesisht nga Gjermania.

Në kohët e reja shumë emigrantë kthehen në vendet e lindjes, pas përmirësimit të gjendjes ekonomike. Kjo tregon se emigrimi është gjithmonë i lidhur me zhvillimin ekonomik. Thuajse asnjëri nuk e lëshon vendlindjen, pa pasur nevoja ose kërkesa ekonomike. Andaj vala masive e emigrantëve është e përkohshme./Bota sot/

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat