Përsëri së bashku për të mësuar gjuhën amtare shqipe - Bota Sot
Përsëri së bashku për të mësuar gjuhën amtare shqipe

Zvicra

Përsëri së bashku për të mësuar gjuhën amtare shqipe

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 8 tetor 2018 Në ora: 16:33
Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë « Naim Frashëri » në Zvicër filloi vitin e ri shkollor për mësimin e gjuhës shqipe

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë « Naim Frashëri » në Zvicër filloi vitin e ri shkollor për mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë.

Si çdo vit tashmë, nxënës, mësues, prindër, miq, dashamirës mblidhen tok dhe me dëshirë për fryte të mëtejshme nxitim pjesëmarrjen e fëmijëve në mësimin e gjuhës së ëmbël shqipe.

Dita e parë mësimit shqip shpalosi aq bukur përshtypjet që iu lanë pushimet në Atdhe, shëtitjet nëpër vendet e dashura të Shqipërisë,  Kosovës  dhe viset tjera shqiptare, njohjet e reja që kishin bërë, librat e rinj që kishin lexuar.

Në fytyrat e fëmijëve shihej gëzimi sidomos tek ata që vinin për herë të parë. Ata duken të qetë e të urtë ngaqë mjedisi është i panjohur, por në sytë e tyre rrezaton një dritë lumturie se së shpejti do të fillojnë të mësojnë të shkruajnë e lexojnë shqip.

Kantonet ku mundohen të mbajnë gjallë dëshirën e fëmijëve për të mësuar shqip janë: Arau, Bern, Basel Land, Cyrih, Friburg, Glarus, Gjenevë, Jura, Schafhausen, St. Gallen, Thurgau, Vaud, Neochatel dhe Cug. Kujtoj se vitin 2017/2018 mësimin shqip e vijuan rreth 1793 nxënës. Këtyre do të u shtohet pjesa tjetër e nxënësve të rinj të regjistruar në këtë vit.

Ne presim që numri i nxënësve të rritet, pasi që mësimi i shqipes është i rëndësishëm dhe i ndihmon në mësimin e gjuhës së shkollës. Mësimi shqip në asnjë mënyrë nuk është pengesë për fëmijët tanë, është konstatuar nga pedagogët evropian se nxënësit që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën amtare janë më të suksesshëm në mësimin e përgjithshëm shkollor.

Fëmijët shqiptarë në mërgim jetojnë në kushte dygjuhësie shqip në shtëpi dhe një gjuhë tjetër në shkollë, andaj është më se e domosdoshme që këto dy gjuhë të zhvillohen për mes shkollës. Nëse nuk zhvillohen ato mund të stërkeqën dhe tek fëmijët lindin probleme gjuhësore që njëkohësisht janë edhe psikologjike.

Nxënësit që nuk vijnë në mësimin shqip do të mbesin analfabet në gjuhën shqipe. Mësimi shqip si çdo herë mbahet në shkolla publike zvicerane, një mbështetje e tillë gëzon dhe do të gëzojë vlerësimin e komunitet tonë.

Fëmijët të gjithë janë të lindur në Zvicër, janë brezi i tretë dhe i katërt i mërgimtarëve shqiptarë të ardhur kryesisht pas kafshatës së bukës. Nxënësit janë kryesisht një gjuhësh me të dy prindër shqiptarë, por ka edhe fëmijë dygjuhësh me baballarë shqiptarë dhe nëna zvicerane, italiane, spanjolle etj, kohëve të fundit ka fëmijë edhe baballarë zviceranë dhe nëna shqiptare.

Fëmijët e flasin shqipen falë kujdesit familjar dhe e përvetësojnë komunikimin standard, e shkruajnë, e lexojnë, bile dhe recitojnë falë punës së pa lodhur të mësueseve/eve të tyre në shkollën e mësimit plotësues.

Gjuha shqipe e fëmijëve natyrisht është e ndikuar nga gjuha e vendit pritës.

Këtë vit mësimi ka filluar me Kurrikulën e re, hartuar nga të dy Ministritë e Arsimit Tiranë - Prishtinë. Nga Republikës së Kosovës janë sjell tekstet e nevojshme mësimore dhe me kohë, kjo e shton optimizmin për të punuar me fëmijët tanë.

Qëllimi i LAPSH-it mbetet i njëjtë institucionalizimi i Shkollës Shqipe me Mësim Plotësues me të gjitha parametrat shtetëror, presim që të përmbushen premtimet nga dy ministritë e arsimit të të  dy vendeve tona.    

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera