Kosovare dhe Erzen Rrustemi, krenarë për origjinën dhe vendlindjen

Zvicra

Kosovare dhe Erzen Rrustemi, krenarë për origjinën dhe vendlindjen

Nga: Halil Rama Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 17:00
Kosovare dhe Erzen Rrustemi

Një vit më parë, gjatë vizitës në Gjilan, Presidenti i Republikës Ilir Meta i akordoi Hajdin Rrustemit (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si pjesëmarrës i kryengritjeve patriotike të periudhës 1910-1920, si dhe për rolin e çmuar si ndërmjetës e pajtues i shumë gjaqeve e mosmarrëveshjeve në Malësinë e Karadakut”. (Nr.Dekreti 10657, datë 22.11.2017).

Stërnipi i tij, legjenda e boksit, Erzen Rrustemi dhe e motra Kosovare Rrustemi, e vetmja deputete shqiptare në parlamentin e Zvicrës, nuk ngurojnë ta shfaqin krenarinë e të qënit, stërnip dhe stërmbesë të Hajdinit, si një nga bashkëluftëtarët e Idriz Seferit, Sulejman Vokshit, Mic Sokolit, Abdyl Shkupit, Ali Ibër Nezës, të cilët nuk u sprapsën asnjëherë nga synimi kryesor, ruajtja e tokave shqiptare nga copëtimi dhe realizimi i idesë për pavarësi.

Pikërisht, në vigjilje të festave të mëdha kombëtare të Nëntorit, Erzeni ndjehet më krenarë se kurrë edhe për faktin se gjyshi i tij, Hajdini është dekoruar ditën kur në vendlindjen e tij në Gjilan, u përurua shtatorja e Idriz Seferit, këtij prijësi të madh të luftërave për mbrojtjen e tokave shqiptare në një hark kohor dyzetvjeçar. Kjo krenari kombëtare i bën Kosovare dhe Erzen Rrustemin të njohin vetëm arritje atje ku ata aderojnë.

“U rrita nga gjyshërit e xhaxhallarët në vendlindjen ime në Zhegërr të Karadakut, ku kalova fëmijërinë deri në moshën 10 vjeçare. Ata më edukuan me dashurinë për mëmëdheun, me ndjenjën e zjarrtë të atdhetarisë, për ta mbajtur këtë ndjenjë të gjallë deri sot në moshën 35 vjeçare, në Zvicër ku jetoj familjarisht prej vitesh si dhe në garat e ndeshjet e shumta në vende të ndryshme të botës”,-thotë Erzeni. E ndërsa vijon këndshëm biseda në prani edhe të mjeshtrit të gazetarisë sportive, kolegut e mikut tonë të ngushtë Defrim Methasani, një nga promovuesit më të mirë të personazheve me vlera dhe arritje inkurajuese në fushën e sportit, Erzeni flet me mallëngjim edhe për xhaxhain e tij, Sadik Rrustemi, që sipas tij u largua për në botën e përtejme me brengën që s’arriti dot të vizitojë Shqipërinë...Dhe jo vetëm kaq. Ai përlotet kur përmendet emri i xhaxhait tjetër, Sabit Rrustemit – ish deputet i LDK dhe bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, gjithashtu ish - i burgosur politik nga regjimi i Beogradit.

Ndërsa përgatitet intensivisht për ndeshjen e radhës për të mbrojtur titullin kampion bote në boks, Erzen Rrustemi shprehet se me fitoret e njëpasnjëshme synon të lartësojë emrin e stërgjyshit, gjyshit, të xhaxhait ish-deputet dhe të motrës deputete në parlamenin e Zvicrës, Kosovare Rrustemi.

Kush është Kosovare Rrustemi

Kosovare Rrustemi nga Zhegra e Gjilanit është e vetmja deputete shqiptare në Asamblenë e Kantonit të Solothurnit të Zvicrës.
Ajo jeton në Zvicër që nga viti 1993, ndërsa në vitin 2016 është bërë anëtare e Partisë Sociale, me të cilin edhe garoi dhe u zgjodh deputete.
Rrustemi ka qenë asambleiste në komunën e Derendigenit, ndërkaq si deputete në Kantonit të Solothurnit synon të arrijë diçka në fushën e arsimit dhe të drejtat e barabarta te shqiptarët, por edhe të gjitha komunitetet që jetojnë atje.
Para se të hyjë në politikë, ajo ka qenë drejtuese e organizatës Terre des Hommes e cila merret me fëmijët dhe ka degë edhe në Kosovë. Ajo krenohet me arritjet e vella Erzenit si Kampion Botëror në boks.

“Mjeshtri i Madh” Erzen Rrustemi, Kampion

Bote në W.B.F në peshat e rënda të boksit profesionist  Për vetë origjinën nga Familja e njohur e Zhegerrit të Karadakut të Gjilanit, nga kanë dalë patriotë të shquar shqiptarë, dhe nga ku është edhe ikona e futbollit Gjerdan Shaqiri, legjenda e boksit Erzen Rrustemi është krenari kombëtare. Jo vetëm për rezultatet si kampion bote, si i pamposhtur për shtatë vjet në Ligën Botërore Profesionale të Boksit, ku në 13 ndeshje ka korrur 13 fitore (11 para kohe), por për formimin, karakterin dhe profilin e admiruar nga sportdashësit e shumtë anë e mbanë globit.

Nëse 2017-tën e konsideron të pashlyeshme në kujtesën e tij, pasi arriti të gëzojë dhe të bëjë të ndjehen krenarë miliona shqiptarë, duke fituar tiullin Kampion Bote në W.B.F në peshat e rënda të boksit profesionist, Erzeni ka të ngulitur në memorie nderimin me Titullin “MJESHTËR I MADH” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si vlerësim i këtij triumfi, ku u intonua hymni kombëtar dhe Flamuri ynë u ngrit për herë të parë në majat e boksit botëror.

Pas kësaj vjen pritja madhështore në Prishtinë ku u nderua nga Federata e Boksit e Kosovës si dhe koncerti madhështor për nder të tij në Gjilan.
Por kampioni nuk “dehet” kurrë nga sukseset.
“Mbrëmja e 3 Marsit 2018 do të mbetet gjatë në kujtesën time, për faktin se arrita ta mbroj me sukses titullin e kampionit të botës, në pesha të rënda të boksit profesionist (WBF) si dhe të fitoj dhe një titull tjetër nga Global Boxing Union – GBU dhe kështu arrita ta përfaqësoj denjësisht kombin tim në arenat botërore të boksit, përmes Flamurit si dhe Hymnit Kombëtar, i cili ngriti në këmbë në Karslruhe Rheinstetten të Gjermanisë, mijëra të pranishëm, në shenjë nderimi”,- shprehet Erzeni, ndërsa fyryra i qesh nga gëzimi.

Më pas një çast prekës, kur deklaron se fitoren ua dedikon nënave të Gjakovës dhe të gjithë nënave shqiptare, të cilat që 19 vite pas luftës, i kërkojnë dhe i presin e nuk iu vijnë më të dashurit e tyre, që figurojnë në Listën e të zhdukurve. Por, fatmirësisht Kosova dhe liria e saj janë gjallë dhe janë në këmbë e po forcohen përditë e më shumë.
Mirënjohja si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut i buron nga thellësia e shpirtit legjendës së boksit, kampionit Rrustemi. Ndaj dhe falendron me përzemërsi të gjithë ata shqiptarë nga shtete të ndryshme të Europës e që ishin të pranishëm në sallë, stafin e tij profersional e teknik që e përgatiti dhe kontribuoi në këtë fitore; familjarët që ishin me të dhe tjerët që e përcollën në distancë e, në veçanti, reperin e mirënjohur Duden dhe disa nga boksierët tanë të njohur në botë, e që janë edhe miqtë e tij, si kikboksieri Shemsi Beqiri, kampion i shumëfishtë i botës, pastaj Berat Aliun, Haxhi Krasniqin, Ismail e Gjetan Ketën e të tjerë që e inkurajuan dhe e e uruan.

Mirënjohjëe të veçantë i shpreh kamioni edhe kryetari të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri për kujdesin e treguar para e pas kësaj fitoreje dhe duke e shpallur kampionin Erzen Rrustemi “Qytetar Nderi të Gjilanit”. Mirënjohja është e shqiptarit kampion që mbrojti me dinjitet titullin e kampionit të botës (WBF) në peshat e rënda të boksit profesionist duke sfiduar kuundërshtarin e radhës, Juan Pedro Gugli Elmetti nga Argjentina.
Erzeni, i 66-ti në botë, ndër 1215 boksiore të kategorisë së rëndë Legjenda e boksit Erzen Rrustemi renditet i 66-ti në botë, ndër 1215 boksiore të kategorisë së rëndë. BOXRECI, një asociacion botëror e i pavarur i rendtijes së boksierëve profesionistë, e ngriti atë në tabelë në pozitë të 66-tën, nga 1215 boskierë, ku i pari figuron Kampioni absolute i botës Anthony Joshua. Dhe, kjo me vetëm 13 duele.
Kjo për faktin se në 13 duelet e deritashme ai ka shënuar po aq fitore. Asnjërin nga kundërshtarët nuk e ka zgjedhur vetë, por fokusi i tij ka qenë vetëm se si t’i gjunjëzoj rivalët dhe të ecë përpara.

Erzen Rrustemi, me familjen tij (prindërit, tre vëllezër e një motër) që nga viti 1970 jetojnë në Bern të Zvicrës.
Aktualisht ai po përgatitet për ndeshjen e radhës që do të jetë në Blegjikë, për të mbrojtur Titullin e kampionit të botës, në pesha të rënda të boksit profesionist. Janë ditë të stërvitjes intensive (nga 6-7 orë në ditë), gjithë vullnet e përkushtim në Qendrën Olimpike në Bazel të Zvicrës, nga trajneri i njohur, kubanezi Liesser Guzman.

Garanci për suksesin e radhës janë përgatitja e tij fizike, shpirti i sakrificës dhe atdhetarizmi i flaktë që e karakterizon në çdo çast të jetës së tij, këtë pinjoll të një familjeje me histori të lavdishme.

Kampionët aktual të botës në pesha të rënda, sipas asociacioneve apo federatave botërore të boksit

Anthony Joshua , (numër 1 nga 1215) Kampion bote në IBO, WBA, IBF
Dontay ëilder, (numër 2 nga 1215) Kampion bote në WBC
Joseph Parker (numër 6 nga 1215) Kampion bote në WBO
Manuel Char (numër 24 nga 1215) Kampion bote në WBA
Erzen Rrustemi (numër 66 nga 1215) Kampione bote në WBF, GBU

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat