Rrjeti i sigurimit të SHIK-ut, që përndiqte, survijonte, kontrollonte mbi 16.500 veta (1988)!

Aktuale

Rrjeti i sigurimit të SHIK-ut, që përndiqte, survijonte, kontrollonte mbi 16.500 veta (1988)!

Nga: I. M. Më: 4 janar 2022 Në ora: 17:42
Enver Hoxha në mes dhe në anën e majtë të tij Ramiz Alia

Aq ishte i vrazhdë sistemi diktatorial në Shqipëri, aq sa edhe në zgripc të ekzistencës së tij, përkujdesej maksimalisht, që t’ia bënte jetën sa më të hidhur shqiptarëve.

Ishte viti 1988 dhe tashmë kishte tri vite që kishte ikur nga kjo botë, diktatori Enver Hoxha. Ai ishte pasuar nga Ramiz Alia, dhe ky po ia vazhdonte tiraninë e jetës shqiptarëve.

Ramiz Alia me gjithë besnikërinë ndaj ish diktatorit Hoxha dhe të vejës së tij, Nexhmijes, kishte filluar t’i vendoste njerëzit e tij më besnik, në pozitat kyçe shtetërore.

Sipas dokumenteve të CIA-s, këta njerëz kishin qenë miq të ngushtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1944-1945, dhe që kishin shërbyer së bashku me Aliun në Brigadën e Shtatë Partizane, ku Alia ishte komisar politik.

Kështu, njeriun e dytë, më të pushtetshëm e bëri Adil Çarçanin, kryeministër i Shqipërisëi, i cili kishte qenë komandant i Brigadës së Shtatë Partizane.

Njeriu i tretë më me ndikim në shtetin komunist u bë Hekuran Isai, ministër i Brendshëm e zëvendës krye-ministër, i cili po ashtu kishte qenë oficer në Brigadën e Shtatë. Isai drejtonte policinë dhe shërbimet e inteligjencës.

Njeriu i katërt më i fuqishëm u bë Prokop Murra, ministri i Drejtësisë, i cili ka qenë gjithashtu oficer në Brigadën e shtatë partizane.

Sipas dokumentit në fakt, që të gjithë këta ishin ngritur në pushtet nga ish-lideri Enver Hoxha para vdekjes së tij.

Sipas publikimit të bërë nga hulumtuesi Kastriot Dervishi, rezulton së gati 65 mijë veta, ishin në listë, duke u cilësuar si njerëz që pushteti kishte arritur ti deklasonte, pasi që ishin kualifikuar më parë si njerëz që mbanin qëndrim negativ politik, dhe që ishin të ;infektuar’ nga ideologji reaksionare.

Edhe rreth 16.500 veta, ishin në ndjekje të vazhdueshme, të klasifikuar sipas rrezikshmërisë, prej të cilëve 3 mijë veta ndiqeshin, gati 13 mijë veta ishin nën kontroll operativ dhe mbi 700 veta ‘në përpunim paraprak’.

E gjithë kjo punë po kryhej nga mbi 1200 agjentë dhe 6.700 informatorë, ndërsa mungojnë të dhënat edhe për agjentët rezident dhe ata strehues.

Duke hequr nga llogaria grupin e ‘kontingjenteve’ rezulton se ishte afërsisht një agjent për dy persona.

Image
Rrjeti i sigurimit të shtetit dhe numri i personave nën vëzhgim e kontrollë

Më poshtë tabela e shpjeguar nga Kastriot Dervishi.

Rrjeti sekret i Sigurimit të Shtetit dhe kategoria "armike" në fund të vitit 1988

Në tabelën e mëposhtme paraqiten sipas rretheve:

1-Rrjeti sekret (agjentët dhe informatorët). Të dhënës i mungojnë rezidentët dhe strehuesit.

2-Kategoria "armike", të kategorizuar në përpunim aktiv 2A, kontroll operativ 2B, përpunim paraprak PP dhe kontingjente.

-Siç shihet në shkallë vendi ishin 1210 agjentë dhe 6708 informatorë, të cilët kishin një fiktivitet.

Nga përpunimet dhe regjistrimet, në shkallë vendi ishin:

-2998 persona që ndiqeshin në 2A

-12790 persona në kontroll operativ 2B

-717 persona në përpunim paraprak (masë e përkohshme)

-64702 në listën e kontingjenteve. Këto ishin vetëm me lista dhe jo me dosje.

Kontingjente quheshin "njerëzish të deklasuar, me përbërje e qëndrim të keq politik, të infektuar me ideologji reaksionare".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat