Si u rrëmbye ‘Leopardi” komandanti i forcave “Delta” / Një muaj i zhdukur, dhe si e hodhën në Prishtinë

Aktuale

Si u rrëmbye ‘Leopardi” komandanti i forcave “Delta” / Një muaj i zhdukur, dhe si e hodhën në Prishtinë

Nga: Idriz Morina Më: 25 janar 2022 Në ora: 17:12
Komandoja Afrim Shurreci, në mes pa shami

Një burrë i jashtëzakonshëm me një fizik të rrallë, i përgatitur dhe stërvitur mirë.

Kokërruar, sy shqiponjë, i vendosur për çdo të papritur. Kështu të linte përshtypjen eprori ushtarak, Afrim Shurreci, gjatë kohës sa shiheshim me të shpesh në zyrat e redaksisë apo jashtë pallatit të shtypit. Këto nuk ishin takime, por ai ishte truproje i kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Skender Zogajt, me të cilin redaksia e “Bota sot”, aso kishte bashkëpunuar, meqë para se të fitonte në zgjedhjet e para lokale, ishte redaktor në kulturë.

I qetë, fjalëpakat, për të mos thënë krejtësisht i heshtur. Një ditë dëgjova nga një koleg i imi, se ai kishte pasur një histori të trishtë, në ditët e para të pasluftës.

Pikërisht në ato ditë, që të gjithë shqiptarët po festonin hyrjen e KFOR-it, dhe veçmas gëzimi i ne shqiptarëve, që kishim qëndruar gjatë gjithë luftës në Kosovë, ishte një çmenduri më vete!

Një yll i luftës, i ngjashëm me Abejën, besnik i institucioneve

Afrim Shurreci, konsiderohej një prej yjeve të luftës në Kosovë, që kishte stërvitur me qindra ushtarë vullnetarë të UÇK-së, me testet nga më të vështirat fizike dhe psikike për të përballuar situatat e rënda dhe dramatike të luftës kundër forcave të rregullta e paramilitare serbe.

Rrëmbimi dhe mbajtja e tij i zhdukur për rreth një muaj menjëherë pas luftës, duke pasur parasysh edhe vrasjet e vazhdueshme, arrestimet dhe keqtrajtimet e atyre që mbështesnin apo ishin pjesë e forcave apo institucioneve të Republikës së Kosovës dhe LDK-së, tregon se dhuna e “Shtabit të Rognerit”, ishte sistematike, dhe madje mund të konsiderohet ‘shkollë e dhunës’! Ku i ka burimet kjo, një ditë do të zbulohet, nëse jo nga brezi ynë, nga studiuesit e rinjë që do të vijnë gjithsesi, atëherë edhe kur nuk do të ketë mbase ‘embargo’ në informacione sekrete!

Afrim Shurreci, ishte shquar edhe në luftën e Kroacisë, ndërsa kishte qenë mik dhe bashkëluftëtar me heroin e Kosovës dhe të Kroacisë, Bekim Berishën, “Abejen”.

Skender Zogaj, i cili ka pasur rastin ta njohë nga afër, e përshkruan kështu: “Afrimi ishte njëri nga luftëtarët më të zot, bashkëluftëtari i Abejës në Luftën e Kroacisë dhe pastaj në Luftën e Kosovës”.

Rrëmbimi

Sipas një raporti të ish ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës (Shtetit paralel),

“I rrezikuar në atë kohë ishte edhe komandant Afrim Shurreci, që ishte ushtarak i brigadës 138 Agim Ramadani, i cili rrugës për në Prizren menjëherë pas luftës, burgoset, torturohet dhe shpëtohet nga KFOR-i gjerman. Burgosja e tij ishte bërë nga Policia Ushtarake që më herët ishte pjesë e PU UÇK-së, të Shtabit të Krumes - Kukësit gjatë luftës”, thuhet në informacionin e siguruar.

Ngjashëm e shpjegon edhe Skender Zogaj, por ky beson se rrëmbimi i Afrim Shurrecit u bë nga një bashkëveprim i forcave që udhëhiqte “Shtabi i Rognerit” me rekrutët e eprorit ushtarak Kudusi Lames, dhe me SHISH-in e Shqipërisë.

Image
Forcat speciale "Delta" të FARK-ut

“Me rastin e tërheqjes së njësive ushtarake të FARK-ut nga territori i Shqipërisë në Kosovë, grupet e ndryshme ilegale të armatosura të Kosovës të përkrahura dhe të ndihmuara nga SHISH-i i Fatos Klosit dhe rekrutët ilegalë të komandantit përgjegjës të zonës kufitare të Kukësit, Kudusi Lames, kanë organizuar një varg pritash me qëllim të pengimit, ndalimit dhe marrjes peng të krerëve ushtarak institucional, shtabit të ministrisë së mbrojtjes dhe të individëve të dalluar gjatë luftës, me qëllime të kurdisura thellësisht destruktive dhe antikombëtare, sepse, duke qenë se bëhej fjalë për kuadro ushtarake elitare, duhej të pengoheshin që të mos u lejohej pjesëmarrja në strukturimin e ri ushtarak të pasluftës! Pra, që kuadrot profesioniste të mos lejoheshin të hynin në përbërjen e TMK-së dhe më pastaj edhe të krijimit të ushtrisë së Kosovës!”, thotë Zogaj.

Sipas atij plani, bie viktimë edhe Afrim Shurreci, njëri nga luftëtarët më të zot. “Si pasojë e këtyre planifikimeve bie pre edhe Afrim Shurreci, njëri nga luftëtarët më të zot, bashkëluftëtari i Abejës në Luftën e Kroacisë dhe pastaj në Luftën e Kosovës, luftëtari i regjur që kishte krijuar grupin special "Tigrat e zi" me efektiv të gjerë në gjithë shtrirjen e luftës çlirimtare!”, thotë Zogaj.

A mund të kërcënoheshin, keqtrajtoheshin dhe të vriteshin një grup elitar i tillë, për të cilët krenohej Agim Ramadani, dhe i motivonte e motivohej, duke u kushtuar edhe poezi. A mund të ishin faji i tyre, motivimi si në poezi: “sikur tigrat ne kërcejmë, armët shkaut ja rrëmbejmë”

HIMNI

Komandosë jemi ne
dhe luftojmë për atdhe
sikur tigrat ne kërcejmë
armët shkaut ja rrëmbejmë
nuk ka lodhje as mundim
n ‘luftën tonë për çlirim
delta jonë në sulme tash hidhet
krejt Serbia le të dridhet
era frynë e bora bjenë
në majë t’malit ne na gjenë
sy shqiponja rreptë shiqon
se lëmë shkaun n’Kosovën tonë.

Autor: Agim Ramadani, poezi kushtuar Forcave Komando “Delta”

 

Edhe Enver Hoxha, gjatë diktaturës së tij, ia kishte nxjerrë eshtrat poetit kombëtar at Gjergj Fishtës, dhe e kishte ndaluar “Lahutën e Malcisë”, sepse shqiptarët ishin luftëtar superior ndaj malazezve, dhe se kryevepra e tij ishte motiv lufte dhe identiteti për shqiptarët!

Edhe Enver Hoxha, ka vrarë, burgosur e internuar shqiptarët më atdhetarë që ka pasur ndonjëherë shqiptaria.

Image
Komandanti i forcave speciale të FARK-ut Afrim Shureci – Leopardi, duke u nderuar nga presidenti RUGOVA.

Një muaj i keqtrajtuar

Zogaj thotë se Afrimi ‘ndalohet dhe kidnapohet me rastin e kalimit nga Shqipëria për në Kosovë dhe mbahet rreth një muaj në vend të panjohur, duke u maltretuar fizikisht’! Më në fund shpëton nga më e keqja. Por, sipas Zogajt, Afrimi nuk është liruar nga KFOR-i gjerman, pasi ai ishte sjellur në Prishtinë, me thes në kokë, dhe ishte hedhur në rrugë diku.

“Por, ka fatin që të mos ekzekutohet dhe, një mesnate, nga njerëz të panjohur sillet dhe lëshohet në qendër të Prishtinës me thes në kokë! Fill i vetëm”, thotë Zogaj.

Pas më shumë se një viti Skender Zogaj do ta takonte, dhe duke e njohur historinë e tij, i ofron mundësinë që të punojë në sigurimin fizik të tij.

“Duke e njohur kontributin normalisht që pa asnjë hezitim e pranova ofertën e tij për të qenë truproja ime në fushatën e zgjedhjeve të para lokale të lira dhe demokratike të Kosovës dhe pas zgjedhjes sime Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës, Afrim Shurreci për një kohë shërbeu si truproje e kryetarit e pastaj u arratis në Gjermani!”, rrëfen për “Bota sot” shkrimtari Skender Zogaj, i cili sot është në pension, dhe dikur një diplomat, që udhëhoqi përfaqësinë e Kosovës në Tiranë.

Image

FK-Delta, pas një aksioni blic ku forcat serbe kishin pësuar humbje në njerëz, 3 të vrarë, e 2 të plagosur. Në foto pozicionet me gjësendet e tyre, ku në këtë vend i quajtur C1 janë gjetur shumë armë dhe municione të ndryshme të armikut.
Image
Forcat speciale "Delta" në stërvitje gjatë dimrit

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat