​RrOOSCAP sheh me shqetësim situatën në sistemin arsimor të Kosovës

Aktuale

​RrOOSCAP sheh me shqetësim situatën në sistemin arsimor të Kosovës

Më: 18 prill 2022 Në ora: 13:00
Foto ilustrim

Rrjeti Ombrellë i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (RrOOSCAP) është duke e parë me shqetësim të lartë situatën e krijuar së fundi në sistemin arsimor të Kosovës si pasojë e mungesës së dialogut mes akterëve relevantë, thuhet në një komunikatë për media.

“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpërndarjen e mjeteve financiare shtesë në muajin prill 2022 pa asnjë konsultë paraprake me palët relevante, ka barrikaduar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për hyrje në grevë dhe bllokadë totale të arsimit nga data 20.04.2022 duke mos konsideruar asnjë mjet tjetër sindikal. Në anën tjetër, pas publikimit të raportit me rezultate shqetësuese lidhur me perceptimet e nxënësve mbi cilësinë e arsimit, Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) pritet të marshojë në 29 komuna të Kosovës me kërkesa specifike për rritjen e mirëqenies dhe cilësisë në arsim”, thuhet në komunikatë.

Rrjeti fton me urgjencë Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK) të përfshihet në këtë mes duke e ngritur problematikën në fjalë në nivel kombëtar përmes themelimit të “Këshillit Kombëtar për Cilësi në Arsim”.

“Kjo me qëllim të lehtësimit të komunikimit mes palëve që tanimë kanë bllokuar çdo kanal komunikimi mes vete dhe parandalimit të veprimeve që thellojnë më tej krizën në arsim. Rrjeti inkurajon Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që të rimendojnë pozicionet dhe qëndrimet aktuale duke u hapur për diskutime dhe gjetje të zgjidhjeve optimale për të shmangur çfarëdo veprimi që shkon në dëm të nxënësve të Kosovës”, thuhet po aty.

Bëhet e ditur se Rrjeti përkrah dhe qëndron pas kërkesave të Këshillit të Nxënësve të Kosovës (KNK) që ndërlidhen me kthimin e vëmendjes kombëtare në çështjet që ndërlidhen me arsimin, specifikisht rritjen e mirëqenies dhe cilësisë së arsimit në Kosovë.

“Në fakt është momenti i fundit, tanimë edhe i tejkaluar, për të prioritizuar dhe vënë në qendër të vëmendjes përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë dhe kjo vlen për të gjitha institucionet dhe të gjithë akterët tjerë shtetëror dhe social që në një apo tjetër mënyrë kanë ndikim në sistemin edukativo-arsimor të Kosovës. Organizatat anëtare të rrjetit, njohin të drejtën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për paga më të dinjitetshme në të gjithë sektorët, përfshirë këtu edhe në sektorin e arsimit. Por, nuk është aspak e drejtë dhe korrekte të që kjo të bëhet duke e rrezikuar edhe më tej mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe është krejtësisht e papranueshme që të bëhet në dhe mbi kurriz të nxënësve. Prandaj, kërkojmë me ngulm nga SBASHK që të zëvendësojë grevën me mjetet tjera sindikale që shprehin pakënaqësitë dhe artikulojnë kërkesat përkatëse karshi institucioneve”, thotë RrOOSCAP.

Për fund, rrjeti i përbërë nga Kosova Education Center (KEC), organizata ETEA, Kosova Center for Distance Education (KCDE), Kosovar Youth Council (KYC), Peer Educators Netëork (PEN), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM), Qendra per Studime te Avancuara FIT, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Teach For Kosova, organizata TOKA dhe Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE) – shpreh gatishmërinë përkatëse për të ofruar çfarëdo ndihme dhe ekspertize përkatëse për të gjitha palët e lartpërmendura lidhur me inicimin e dialogut, themelimin e “Këshillit Kombëtar për Cilësi në Arsim” dhe parandalimin e përkeqësimit të gjendjes në sistemin arsimor të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat