Beogradi alarmohet: Mbi 120 mijë shqiptarë në Kosovën Lindore

Aktuale

Beogradi alarmohet: Mbi 120 mijë shqiptarë në Kosovën Lindore

Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 15:23
Shqiptarët në Preshevë

Ka përfunduar me sukses procesi i regjistrimit të popullsisë në Luginën e Preshevës, proces që është mbështetur fort nga SHBA e veçanërisht nga buldozeri diplomatik amerikan në rajon, ambasadori Chris Hill.

Si përfundim, komisioni qëndror në Beograd ka pranuar se në të gjithë Luginën e Preshevës jetojnë mbi 120 mijë shqiptarë, ndërkohë që Beogradi vazhdimisht deklaronte se numri i tyre është 10 herë më i vogël.

Më 31 tetor 2022, ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave në Republikën e Serbisë. Shqiptarët për herë të parë pas regjistrimit të vitit 2001 iu përgjigjen thirrjes për regjistrim pas garancive që ambasadori Hill nëpërmjet OSBE u ka dhënë popullsisë shqiptare.

Sipas këtij regjistrimi: Bujanoci numëron 54.498 banorë dhe 13.000 familje, Presheva ka 59.024 banorë dhe 11.654 familje, dhe Medvegja 8.459 banorë dhe 5899 familje.

Ky proces nuk do të bëhej i mundur pa përpjekjen e madhe të shefit të Misionit të OSBE-së në Serbi Jan Braathu, i cili ishte garantuesi më i madh që censusi të zhvillohej në frymën e standardeve europiane.

Prej vitit 1990 e deri më sot shqiptarët e kanë bojkotuar procesin e regjisterimit, ngaqë e kanë konsideruar të manipuluar.

Beogradi është alarmuar nga shifrat, aq sa Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se shifrat janë të fryra. Sipas autoriteteve serbe, në regjistrim kanë marrë pjesë qytetarë që janë shtetas të Kosovës, pasi jetojnë e punojnë atje. Në fakt kjo ka qenë politikë permanente e Serbisë, për të larguar banorët e Luginës drejt Kosovës por edhe në emigracion që të asimilonte popullsinë.

E në një farë mënyrë, ja kanë arritur. Në Medvegjë, por edhe në Bujanoc dhe Preshevë, vitet e fundit ka pasur një lindshmëri shumë të lartë krahasuar me mesataren në Serbi. Vuçiç, disa herë ka kritikuar çiftet e reja serbe se po bëjnë pak fëmijë, duke zvogëluar popullsinë e vendit, krahasuar me familjet shqiptare.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar monitorimin e përpunimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Serbi nga bashkësia ndërkombëtare, pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se shifrat e regjistrimit janë fryrë nga shqiptarët.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare.

Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, ka theksuar Kurti.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës për deklarim masiv kombëtar.

“Përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë. U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd; shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar”, ka shtuar kryeministri i Kosovës.

 “Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, mësohet, se një rol të rëndësishëm në regjistrimin e shqiptarëve në Preshevë ka pasur i dërguari i Presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili para disa vitesh, ndërsa punonte për një organizatë të njohur ndërkombëtare ka jetuar 3 muaj në Luginë. Që do të thotë se e njihte realitetin në vetën e parë, ndaj dhe amerikanët i ka marrë masat që të mos manipulohej procesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat