Ky është personi që dyshohet se shiti pronat e AKP-së, rrezikon të dënohet me 5 vjet burgim

Aktuale

Ky është personi që dyshohet se shiti pronat e AKP-së, rrezikon të dënohet me 5 vjet burgim

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 13:39
Foto ilustrim

Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Shaban Muja, i cili dyshohet se ka mashtruar disa persona në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi me shitjen e dy pronave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Muja dyshohet se ka kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri ka mashtruar një numër të të dëmtuarve në qytetin e Tuzllës të Bosnje dhe Hercegovinës dhe në Podgoricë të Malit të Zi, ku përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe prezantim i rrejshëm si person zyrtar, kinse i autorizuar nga zyrtari i AKO-së, ka shitur dy prona të NSH “Jatex” të Gjakovës në qytet e lartcekura, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje, bëhet e ditur se pronat e shitura nga Shaban Muja gjenden nën menaxhimin dhe administrimin e AKP-së.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Shaban Muja rrezikon të dënohet me mbi pesë vjet burgim për tri veprat penale të cilat akuzohet se i ka kryer.

Me gjobë dhe deri në një vit burgim, ai rrezikon të dënohet për veprën penale të mashtrimit, sipas Kodit Penal të Kosovës. Po ashtu, ai rrezikon edhe deri në katër vjet burgim për falsifikim të dokumenteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat