Mes përplasjeve dhe akuzave mbyllet seanca në Kuvend

Aktuale

Mes përplasjeve dhe akuzave mbyllet seanca në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 06:35 Përditësuar në ora: 18:25 më 18.11.2022
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon seanca, s'ka kuorum për votimin e rezolutës mbi gjendjen në sektorin e shëndetësisë

Vetëm 45 deputetë kanë marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për situatën në sektorin e shëndetësisë në vend. Për shkak të mungesës së kuorumit, rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, nuk hyri në votim. Përmes kësaj rezolute, ndër të tjera kërkohej që qeveria të rris pagat për profesionistët shëndetësorë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu duke e prezantuar rezolutën, tha se njëjta ka për qëllim të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria për të përmirësuar sektorin e shëndetësisë.

Haxhiu: Qeveria të anulojë vendimin për themelimin e komitetit ekzekutiv 

“Kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të marrë vendimin për evitimin e menjëhershëm të mbivendosjes institucionale në sektorin e shëndetësisë duke anuluar vendimin për themelimin e komitetit ekzekutiv për shëndetësi; kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës të dërgohet në Kuvend raporti i detajuar sektorial, i cili pos tjerash përfshin nivelin e zbatimit të buxhetit për vitin 2022, nivelin e zbatimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të zyrës kombëtare të auditimit për vitin 2021, masat dhe veprimet që janë ndërmarrë në funksion të zbatimit të planit të punës së qeverisë dhe adresimin e sfidave që e karakterizojnë këtë sektor”, ka thënë Haxhiu, derisa ka prezantuar rezolutën. 

Përmes rezolutës deputetët e PDK-së, kërkojnë nga Qeveria që të sjell raport të detajuar për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Haxhiu: Qeveria të rris pagat për profesionistët shëndetësor 

“Të shtohet pika katër e kësaj rezolute dhe të jetë kështu, obligohet Qeveria e Kosovës që në afat prej 15 ditësh të rris pagat për të gjithë profesionistët shëndetësor, ku pagat e mjekut specialistë të jetë 1.800 euro dhe kjo të jetë baza për të gjithë profesionistët shëndetësor, bazuar në kategorizimin aktual në sistemin e pagave në Ministrinë e Financave”,ka thënë ai.

Me këtë ka përfunduar diskutimi, ndërsa për vazhdimin e seancës do të marrë vendim kryesia e Kuvendit.

Deliu – Kodra: Sot isha në Kardiologji, nuk kishte as fasha

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, duke folur për shëndetësinë tha se gjendja në këtë sektor është e rëndë.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ajo tha se sot ka vizituar Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, ku sipas saj, nuk kishte as fasha e as mjete sterile.

“Sot me shumë se kurrë do të kisha dashur që ta shoh Qeverinë Kurti këtu për ta dëgjuar zërin e deputetëve e jo të flasim vetme veti. Sot kam qenë në Kardiologji dhe është evidente që gjendja është shumë e rëndë. Nuk ka as material shpenzues”.

“Më thanë se tash e tri javë gjendja është përkeqësuar. S’ka mjete sterile, s’ka fasha. Kot flasim sot për rritje të buxhetit, por qytetarët në QKUK presin trajtim”, u shpreh Deliu-Kodra para deputetëve.

Ai tutje tha se është e shqetësuar që presidentja Vjosa Osmani nuk ua ka besuar punën mjekëve në QKUK dhe është operuar në një klinikë private, ani pse shëndeti i saj nuk ka qenë i rrezikuar.

“E kuptoj që shëndeti është parësor dhe presidenten do ta kuptoja shumë qartë nëse shëndeti i saj ka qenë i rrezikuar. Zonja presidente do të duhej të ishte shembull për të gjithë atë njerëz që trajtohen në QKUK, pasi nuk kanë mjete për të shkuar në klinika private. Zonjën presidente do të doja ta shihja si shembull që për një operim që kryhet tash e sa vite shkon aty ku shkon populli”.

“Nuk ka nevojë që 18 kirurgë të QKUK të reagojnë që janë përjashtuar nga zonja presidentja sepse ai operim ka mundur të kryhet edhe aty. Në anën tjetër, mjekët po ikin. Janë 350 mjekë që e kanë lëshuar Kosovën në dy vitet e fundit. E kryeministri nuk vjen për t’i dhënë përgjigje këtij diskutimi sot. Çka të pres nga ai. Kjo më dhëmb. Gjendja është e rëndë”.

Bajrami: Kryeministri është 24 orë në aeroplan

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për qëndrimin e tij të gjatë jashtë shtetit duke thënë se po qëndron 24 orë në aeroplan.

Bajrami në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës gjatë debatit që po zhvillohet aktualisht për shëndetësinë në vend, ka thënë se vetëm 6% të investimeve kapitale shkojnë në këtë drejtim.

“Çfarë po bëni ju sot? Vetëm 6% ke investime kapitale dhe thatë po e marrim shumë seriozisht se kryeministri po merret me të, ku po merret kryeministri? Kryeministri është 24 orë në aeroplan, ku po merret?

Më tej, Bajrami ka thënë se Kurti nuk po i dëgjon amerikanët.

“Kryeministri nuk po merret me disa tema të cilat i ka në portfolno, kryeministri Amerika i ka thënë mos udhëtoni, ministrave të kryeministrit sepse gjendja është serioze ai prej asaj dite sikur don me i dëshmu gabim ata, nuk ka zbrit nga aeroplani”, ka thënë më tej Bajrami. 

Musliu: E ftoj Agim Veliun të dalim ta kërkojmë qeverinë sepse ka humbur

Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon debati për gjendjen në sektorin e shëndetësisë. Deputetë nga partitë në opozitë kanë kritikuar kabinetin qeveritar për mungesë në këtë seancë, meqë asnjë nga ministrat nuk ishte i pranishëm.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se qeveria ka humbur, derisa fjalimin e ka përcjellë me humor duke e ftuar ish ministrin e Brendshëm Agim Veliun, që bashkë të dalin dhe ta kërkojnë qeverinë.

Musliu: E ftoj Agim Veliun të dalim të kërkojmë qeverinë sepse ka humbur 

“Nëse të kujtohet Agim Veliu gjatë mandatit të kaluar tri herë e pata përsëritë një pyetje parlamentare dhe nuk vije me u përgjigje, ta pata shkru një letër këtu ‘kërkohet’ dhe hala pa e kry fjalimin ti më thirrë në telefon dhe më tregon ku je. E sot publikisht po të ftoj të dalim bashkë e i marrim edhe disa të Vetëvendosjes që atëherë fotografoheshin me atë letër, të lypim qeverinë sepse kemi mbet pa qeveri”, ka thënë Musliu.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka thënë se qeverinë nuk mund ta kërkojnë vetëm në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Veliu: E kemi lehtë të lypim qeverinë sepse nuk kemi nevojë ta kërkojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 

“E nderuara deputete Musliu edhe atëherë kur ju keni menduar që kam qenë i humbur, nuk kam qenë i humbur, por pikërisht kam qenë duke u marrë me këta që sot po merreni edhe ju. Kurse sa i përket çështjes së dytë që e ngritët, unë besoj që mund të të ndihmoj ta gjejmë qeverinë sepse e kemi lehtë t’i lypim sepse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kemi nevojë me i kërku”, ka thënë Veliu.

Kësaj i është përgjigjur deputetja e PDK-së.

Musliu: Qeveria ka humbur, çka humb mos u gjetë’

“Duke e ditë efikasitetin tuaj në punë dhe përgjegjësi që ke, kërkova ndihmën tënde me i lyp sepse vërtetë këta kanë humbur dhe thonë çka humb mos u gjetë”, ka thënë Musliu.

​Tahiri: Na duhet ligji i pagave dhe forcimi i qendrave rajonale

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se zgjidhja për problemet e sektorit të shëndetësisë, është ligji i pagave dhe rritja e buxhetit për QKUK-në dhe qendrat rajonale.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për gjendjen në sektorin e shëndetësisë ai ka thënë se mungesa e ministrit të Shëndetësisë është tregues i qartë që qeveria nuk e ka prioritet këtë sektor.

Tahiri: Qeveria nuk e ka prioritet sektorin e shëndetësisë 

“Kosova nuk ka ministër të shëndetësisë dhe nuk ka tregues më të qartë për secilin qytetar të Kosovës që ky sektor nuk është prioritet, po të ishte prioritet në ditët kur doktor Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje ishte zëvendësuar me një ministre apo ministër dhe do të vazhdonte një plan në këtë aspekt, pra mungesa e një ministri e tregon që ky sektor nuk është në prioritet por në fakt është kryesisht në retorikë”,ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se qeveria nuk po i sjell në kuvend projektligjet për shëndetësi.

Tahiri: Sektori i shëndetësisë është në rrezik 

“Këtë sektor e kemi në rrezik, jo prej Serbisë por prej parlamentit dhe qeverisë, prej neve dhe prej qeverisë, e ki rrezikun me ta lëshu secili njëri që punon në sektor publik e ka rrezik, ta forcojmë QKUK-në, t’i forcojmë qendrat rajonale, a bën me ua dërgu do buxhet e pa mundësinë qysh me i forcu atë hallkë të shëndetësisë, dhe tek primarja lidhet shumë me komunat, te primarja e kemi një përgjigje, përgjigja është më e lehta, ligji i pagave, kjo është përgjigja”,tha Tahiri.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli ka shprehur shqetësimin e tij rreth projektligjit për çmimin e barnave i cili nuk është dërguar ende në Kuvend.

Avdyli: Ligji për çmimin e barnave është dashur të vijë në Kuvend

“Edhe unë si deputet e shpreh shqetësimin, edhe pse jam pjesë e mazhorancës, që akoma nuk ka ardhur ligji për çmimin e barnave, kjo është dashur të vinte, dhe duhet të vjen sa më shpejtë që është e mundur. Është e vërtetë që neve na është thënë që në vjeshtë do të vjen shpresojmë që shumë shpejtë do të vjen dhe nëse nuk vjen ne duhet ta përshpejtojmë këtë me mekanizmat që i kemi në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Avdyli

Mungesa e Kurtit e ministrave në Kuvend, Lushtaku: Po shihet sa e kanë prioritet shëndetësinë

Deputeti i PDK’së, Mergim Lushtaku, ka theksuar se kryeministri Kurti nuk e ka prioritet shëndetësinë.

Lushtaku u nis nga mosprezenca e vetë kryeministrit Kurti si dhe kabintetit të tij në Kuvend. Kjo, tha Lushtaku, tregon se sa e ka Kurti prioritet shëndetësinë.

“Po shihet qartë që jo vetëm në pjesën e emërimit të ministrit por edhe në prezencën e tij dhe kabinetit të tij qeveritar, Kryeministri nuk e ka prioritet shëndetësinë e po shihen pasojat në çdo segment të shëndetësisë edhe këtu në Kuvend të Kosovës.”

Ai ka folur edhe për QKMF’të në Kosovë, të cilat Qeveria tha se i ka lënë pas dore.
Sipas tij, me drejtimin e tyre duhet të merren profesione të tjera si ata të juridikut ose menagjmentit, e jo vetë mjekët.

“Vetëvendosje nuk i ka kushtuar vëmendje të veçantë QKMF’ve. është dera e parë e pacientëve dhe sigurisht duhet trajtohen më së pari nga QKMF’të. Ne e shohim që po angazhohen mjekët në drejtimin e tyre, por kur e dimë që mjekët cdo ditë e më shumë largohen nga Kosova dhe e kanë të pamundur t’i drejtojnë QKMF’të dhe t’i trajtojnë pacientët. është mirë të mendohet edhe në menagjimin e QKMF’ve nga drejtimet e ndryshme siç janë menagjmenti dhe juridiku”.

Derisa në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për sektorin e shëndetësisë, asnjë nga ministrat e Qeverisë nuk është prezent në sallë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e ka quajtur për turp këtë veprim të ministrave derisa ka publikuar edhe fotografi nga salla.

Tahiri: Deputetët e shumicës të bëjnë presion për emërimin e ministrit të Shëndetësisë

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga deputetët e shumicës që të bëjnë presion te qeveria për të emëruar ministrin e Shëndetësisë.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet mbi situatën në sektorin e shëndetësisë, Tahiri ka kritikuar qeverinë siç ka thënë ai për mos punë në këtë sektor. 

Tahiri: Deputetët e shumicës të bëjnë presion për emërimin e ministrit të Shëndetësisë 

“Kolegë deputetë ju keni përgjegjësi me ushtru presion që ky ministër me u emëru, përgjegjësia me qenë e qartë, kush e ka përgjegjësinë. A po e shihni sot, nuk po kemi me kënd me fol, po flasim vet me veti, nuk po kemi me kënd me fol, dhe shumicën e rasteve i shohim deputetët e shumicës duke u përqesh. Mirë është shumë, por mendoj ata që janë duke shkuar në klinika private, ata kanë me ju përqesh pak më shumë juve, ata që po i bëjnë shpenzimet në klinika private, në Maqedoni, Shqipëri, Serbi e Turqi, ata në fund të ditës kanë me ua adresu këtë përgjegjësi”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kritikuar qeverinë duke përmendur listat e pritjes së pacientëve derisa ka thënë se në kohën kur ministri i PDK-së e ka përfunduar mandatin, lista e pritjes në klinikën e kardiokirurgjisë invazive ka qenë zero ndërsa sot është 2 mijë.

Tahiri: Kur Uran Ismaili e dorëzoi mandatin e ministrit lista e pritjes ka qanë zero

“Unë ju ftoj me pa çështjen në klinikën e kardiokirurgjisë invazive. Kur e kemi dorëzuar qeverinë ose më saktësisht kur e ka dorëzuar detyrën e ministrit të shëndetësisë ministri nga Partia Demokratike, zotëri Uran Ismaili lista e pritjes së qytetarëve të Kosovës për stenta ka qenë zero. Pra për një periudhë që në 2017 kanë qenë me mijëra në listë, në fund të vitit 2019 lista e pritjes ka qenë zero, qytetarët kanë marrë shërbim brenda ditës, pra po flasim për një shërbim mjaft të kushtueshëm për qytetarët e Kosovës që është stenta... Aktualisht lista e pritjes së qytetarëve të Kosovës për stenta është rreth 2 mijë”, ka thënë Tahiri

​Gjendja në sektorin e shëndetësisë përplas deputetët e pozitës dhe opozitës

Kuvendi i Kosovës po diskuton mbi gjendjen në sektorin e shëndetësisë, pas një propozimi të Partisë Demokratike të Kosovës për një rezolutë përmes së cilës i kërkojnë përgjegjësi qeverisë për situatën në këtë sektor.

Diskutimi po vazhdon me kritika në mes të qeverisë dhe opozitës lidhur me situatën në shëndetësi. 

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka kërkuar nga qeveria që të ndajë 100 milion euro për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. 

Bajrami: Nëse i ndani 100 milionë për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, LDK e voton buxhetin 

“Merrni ato 271 milion euro që dje i përmenda që janë të pa-alokuara pa asnjë projekt të Ministrisë së Financave, ndani 100 milion dhe ta bëjmë fondin e sigurimeve shëndetësore. Unë këtu në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ju premtoj që nëse i ndani 100 milion nga kontigjenca ose nga fondi për rimëkëmbjes ekonomike për Fondin për Sigurime Shëndetësore ne si LDK kemi me e votu buxhetin e Republikës së Kosovës. Ta paguajmë primin nga taksat e qytetarëve për qytetarët për vitin e parë, të fillojmë t’i japim shërbime më të mira atyre e në vitin 2024 le të fillon pagesa e primeve”, tha Bajrami.

Ajo ka thënë se qeveria e ka shumicën dhe duhet të ndërmarrë veprime dhe jo të përsërisë deklaratat se në çfarë gjendje e ka gjetur sektorin e shëndetësisë. 

Bajrami: Nuk mjafton që qeveria të tregoj si e ka gjetur sektorin e shëndetësisë, i ka të gjitha nivelet e pushtetit të veprojë 

“Nuk mjafton këtu që me dalë dhe me na tregu se si e keni gjetë sektorin e shëndetësisë, për 15 vite kjo ka qenë kënga që ju i keni këndu qytetarëve të Republikës së Kosovës se sa i shkatërruar është secili sektor, dhe po harroni që më 14 shkurt të vitit të kaluar të gjitha partitë politike e kanë paguar një faturë politike, e kanë paguar faturën politike të asaj se çka kanë bërë dhe nuk kanë bërë, por edhe të propagandës suaj, të premtimeve që i keni dhënë e që as 30% të tyre nuk po i përmbushni. Kush po ju pengon juve sot me i shti hajnat në burg që ministri Latifi paska thënë që shëndetësia është kalbë në korrupsion. A nuk ka qenë slogani juaj për 15 vite ‘hajnat në burg, hajnat në burg’, krejt nivelet e pushtetit i keni”, tha Bajrami.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se keqpërdormi në këtë sektor si dhe mungesa e ministrit të shëndetësisë janë fyerje për profesionistët shëndetësor dhe ata që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje. 

Haxhiu: A nuk i beson Albin Kurti asnjërit në parti për ta emëruar ministër të shëndetësisë?

“Nëse për ju është Ok keqpërdorimi, nëse për ju është Ok mungesa e ministrit të shëndetësisë, është fyerje për ju që jeni profesionistë shëndetësor, është fyerje për të gjithë profesionistët shëndetësorë edhe Vetëvendosjen që e ka votuar, një ministër të Shëndetësisë mos me qenë në gjendje me emëru për një muaj e gjysmë, a nuk i beson ndonjërit prej juve këtu. Albin Kurti, a mundet ndonjëri prej juve me marrë përgjegjësi me thënë unë jam i gatshëm me marrë përgjegjësinë me udhëheq sektorin e shëndetësisë”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka thënë se janë partitë opozitare që ishin në pushet për shumë vite ndërsa sot po kritikojnë për keqmenaxhim në sektorin e shëndetësisë. 

Shkreta-opozitës: Keni qeverisë gjithë këto vite më shëndetësi

“Për që jeni të paditur flet rezoluta, shihni rezolutën kolegë të nderuar keni bërë arsyetim pse keni thirrë këtë rezolutë për shkak se është konstatuar gjendja e rëndë në shëndetësi, dhe kryeministri përfundimisht thoni e ka kuptuar që është gjendja e rëndë në shëndetësi, e kuptoni çfarë arsyetimi keni, thua ti që Lëvizja Vetëvendosje ka menaxhuar gjithë këto vite me shëndetësi dhe e kuptoj tash që gjendja është keq në shëndetësi, po ju keni qeverisë me shëndetësi, gjithë këto vite keni qeverisë, dhe ju e dini fare mirë çfarë keni bërë me sistemin informativ shëndetësor, ju e dini fare mirë që 20 milion dhe lënda është në prokuroi, ju e dini fare mirë që janë arrestuar njerëz për këtë çështje dhe ju e dini fare mirë që e keni udhëhequr ju këtë proces”, tha ai.

Deputetit Shkreta i është kundërpërgjigjur ai i PDK-së, Ardian Kastrati. 

Kastrati-Avdylit: Kot po flet nuk kanë me të bë ministër 

“Me më fol dikush që në të kaluarën është bërë korrupsion e këtij ju kanë gjete ndër tepih goxha do mijëra euro, po du me vet a i ka gjetë a hala... Edhe për doktorin respekt të jashtëzakonshëm për Haxhi Avdylin, nuk po e di kot e ka, badihava e ke o doktor fol sa të duash nuk kanë me të bë ministër”, tha Kastrati. 

Votohet Projektligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar në parim me 65 vota për asnjë kundër asnjë dhe asnjë abstenim Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Pjesë  e votimit ishin edhe disa nga deputetët opozitarë.

Kjo pikë ishte qysh nga seanca e 7 tetorit për çka atë kohë nuk kishte kuorum që e njëjta të votohej ndonëse kishte përfunduar debati.

Ndërkohë në këtë seancë po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, iniciativë e deputetëve të PDK-së.

Gjithashtu pritet në këtë seancë do të bëhet shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 si dhe Raporti i auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

Zemaj, qeverisë: Në shëndetësi jeni për “faqe të zezë”

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se udhëheqja e Qeverisë Kurti në sektorin e shëndetësisë është “faqja e zezë”.

Ai akuzoi Qeverinë Kurti se s’ka vizion, s’ka plan dhe sipas tij, është treguar që s’ka as aftësi të menaxhojë me sektorin e shëndetësisë.

Zemaj përmendi edhe kohën e largimit nga detyra të ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për të garuar për kryetar të Prishtinës.

“Një ministër e ka larguar në pikun e pandemisë verore që të fitojë pushtet. Ministri i parë i dështuar që u largua nga pozita e tij për të kandiduar për kryetar të komunës së Prishtinës në kohën kur ka pasur shifra alarmante të vdekjeve nga COVID-19 dhe të infeksionit. Kjo është pjesa e parë e moralit”, është shprehur Zemaj.

Tutje, ai përmendi edhe rastin e ministrit Rifat Latifi, që sipas Zemajt, ai s’kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë.

“Pastaj, Kurti caktoi një ministër që dukej se s’kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë. Këtë e kuptoi vetëm pasi e la detyrën. Ai tha se Qeveria Kurti, jo qeveritë tjera, por Qeveria Kurti e ka ndërtuar një ambient toksik brenda MSh-së, por edhe korruptiv”, është shprehur Zemaj.

Ish i pari i Shëndetësisë, tha se dorëheqja e Latifit dhe caktimi i një ekipi për menaxhim të shëndetësisë, tregon se dështimi nga Qeveria Kurti në këtë sektor u pranua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat