Kurti: Rasti i mjedrave një nga shembujt e potencialit tonë eksportues

Aktuale

Kurti: Rasti i mjedrave një nga shembujt e potencialit tonë eksportues

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 13:25
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në Konferencën e 7-të të Mjedrës në Kosovë "Mjedra - Iniciativat e reja për ndryshimet klimatike", me ç’rast tha se kanë dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët.

“Krahas mbështetjes prej 70 milionë euro, subvencionimit të kulturave të shumta bujqësore, në mesin e tyre edhe të mjedrës - për 25% më shumë se sa në vitin pararendës, këtë vit kishim ndarë edhe 3.5 milionë euro për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Rural dhe të Agro-Turizmit. Ndërkaq, sipas planifikimeve të buxhetit për vitin 2023 që tashmë ka kaluar në lexim të parë, buxheti për bujqësi parashihet të jetë 87 milionë euro, ndërkaq kur të përfshijmë edhe mbështetjen nga fondet e jashtme, ai pritet që për herë të parë në Kosovë ta kalojë shumën prej 100 milionë euro”, u shpreh Kurti.

Konferencat si kjo e sotmja, siç u bë e ditur në komunikatë, sipas Kurtit, bashkojnë akterë të ndryshëm, të ekzekutivit, të akademisë, të fermerëve dhe na mundësojnë që t’i adresojmë sa më saktë nevojat e shoqërisë dhe sfidat e prodhuesve tanë.

Ndryshe, në 8 vjetët e fundit, pra nga viti 2014 deri në 2022, Kosova ka prodhuar afër 29,000 tonë mjedër, në vlerë prej 65 milionë euro, pothuajse e tëra për eksport për në vendet e BE-së, ndërkaq që vetëm këtë vit u prodhuan afro 2,600 tonë mjedër me një vlerë të eksportit prej mbi 11 milionë euro apo saktësisht 11 milionë e 50 euro.

Duke theksuar se rasti i mjedrave është një nga shembujt e potencialit tonë eksportues, kryeministri u shpreh se nuk ka dyshim që Kosova po bëhet vend i orientuar për nga eksporti.

“Në fund, ai shtoi se Qeveria është e përkushtuar që të mbështesë dhe zbatojë standardet më të mira të mundshme në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit, krijimin e vendeve të punës e kushte më të mira të punës, rritjes së eksportit, sigurimin e ushqimit të bollshëm e të sigurt dhe përmirësimin e gjallërimin e peizazhit agro-rural.”, u bë e ditur në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat