Skandaloze: Për disa akademikë dhe juristë, vrasjet politike nuk kanë ndodhur / Shtrembërimi i trishtueshëm akademik!

Aktuale

Skandaloze: Për disa akademikë dhe juristë, vrasjet politike nuk kanë ndodhur / Shtrembërimi i trishtueshëm akademik!

Nga: Idriz Morina Më: 24 dhjetor 2022 Në ora: 21:00
Arkiv

Pak ditë më parë u hap një debat i papritur. Ndërkohë, që ish-emisari i presidentit Tramp për bisedimet Kosovë-Serbi, Riçard Grenell, në 10 ditët e fundit po dëshmonte se si ai vet kishte negociuar për shuarjen e gjykatës speciale, dhe se Hashim Thaçi në detyrën e presidentit të shtetit, tashmë e kishte gati arritjen e një marrëveshje me Serbinë, për të cilën të gjithë e dinin se ishte për ndarje të Kosovës, përkatësisht humbje të konsiderueshme të territorit verior.

Motivi – Mbrojtja e të dyshuarve për vrasjet politike

Me këtë debat, asnjë medium tjetër nuk u mor. Askush nuk e analizoi, nëse Thaçi, i mbështetur nga aleat të tij politik, e bashkëpunëtorë, vërtetë e kishte vënë në pazar një pjesë të territorit me kusht shuarjen e gjykatës speciale.

Është misterioze, se përveç territorit që do ta përfitonte Serbia, çfarë interesi kishte ajo nga shuarja e gjykatës speciale?!

Këtë dilemë askush nuk e shtroi, ndoshta një nga më të rëndësishmet për vet kryetarin e Akademisë së Shkencave, Mehmet Krajën, dhe ata që e sulmuan atë, me motiv të mbrojtjes së të dyshuarve për vrasjet politike që ndodhen në Hagë.

Pra, cilat gjëra janë më të rëndësishme për akademikët në Kosovë dhe vetë mediat, territori apo fati i 2-3 individëve, pavarësisht të kaluarës që mund ta kenë.

Image
Disa nga ata që u vranë në atentate politike

Në fakt, sikur ata të ishin aq të brishtë, dhe të padyshimtë në veprat kombëtare, është pak e besueshme se ata do të përfundonin me kaq shumë dyshime, për kaq shumë vepra-vrasje, ku mund të jenë të përfshirë si organizator.

Pra, përtej argumentimit akademik apo jo të z.Kraja të shkrimit-eseistik, siç e cilësuan disa, pa hyrë në vërtetësinë e zhanrit, dhe përtej argumentimit akademik, të kundërshtarëve të shkrimit në fjalë, interesi për fatet e vendit, është mbi individët, mbi të gjitha personalitetet.

Por, në këtë rast, nuk bëhet fjalë më për fatin e vendit në atë aspekt, sepse nuk ka asnjë kauzalitet procesi gjyqësor në Hagë, dhe fati i ardhshëm i Kosovës. Fatmirësisht!

Pra, sikur kundërshtuesit e Krajës, ta kishin me gjithë mend fatin e Kosovës, nuk mund ta shmangnin, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë, procesin historik të bisedimeve Kosovë-Serbi, kur fati i Kosovës ishte bashkëlidhur me ekzistencën ose jo të gjykatës speciale.

Nëse marrëveshja do të kishte qenë vërtetë e mira dhe e duhura për Kosovën, dhe sipas atyre që duke u papjekur ta sulmojnë Krajën, e mbrojnë Thaçin dhe të tjerët, atëherë pse ajo marrëveshje nuk u bë, pse nuk e thonë edhe sot, se ajo duhet që të bëhej e të bëhet!

Të gjithë jemi të gatshëm, gjërat më të mira t’i pranojmë për atdhe, pavarësisht se nga kush na vijnë, sepse ato nuk janë personale, dhe nuk janë vetëm për një kohë (për një modë)!

E akademikët, janë njerëzit që më së paku, duhet të shkruajnë, mendojnë e vlerësojnë për vetëm një “modë”. Argumentet e tyre duhet domosdoshmërisht t’i mbijetojnë kohës (modës)!

Duan të godasin aty ku munden

Por, ata thjesht duan të godasin aty ku munden. Ndërsa, të tjerët dalin dhe protestojnë pse dikush dënohet, një ish-udhëheqës në UÇK, për vrasjen dhe torturimin e shqiptarëve në luftë, këta se kanë guximin të dalin në rrugë.

Image
Brigadat e UÇK-së duke u betuar para ministrit Ahmet Krasniqi

Këta mbahen akademikë, intelektualë shembullor, dhe duan të vazhdojnë të thonë se bën punën e tyre profesionale, edhe atëherë mbase kur ishin duke bashkëpunuar me ‘shefat’, të cilët duke “e pastruar” rrugën për ngjitjen në pushtet, u kujdesën për të eliminuar fizikisht kundërshtarët dhe ata që nuk dorëzoheshin apo nuk tërhiqeshin! Edhe heronjtë e luftës (ministri Ahmet Krasniqi...) edhe të politikës (Ibrahim Rugova i sulmuar për vrasje disa herë, etj.)!

Pra, këtu jemi sërish para një dileme morale të intelektualëve, nëse ata duhet të jenë në anën e atyre që porositën vrasjet politike, sipas provave të deritashme të gjykatës speciale, dhe gjërave që janë thënë edhe për më shumë se 20 vjet apo në anën e të akuzuarve!

A mos po ju tepron, kjo obediencë intelektualëve tanë, akademikë të tashëm apo në të ardhmen! A do të çlirohen nga obedienca ndaj komandatëve!

Nëse ata vërtetë besojnë në atë që thonë, a kanë guxim, ata të thonë dhe t’i shpallin si vdekje aksidentale apo që nuk kanë ekzistuar si vrasje politike asnjëherë, apo siç kishte shkruar, një ditë njëri, “mbase ata janë eventualisht të vrarë”, pra, do të shtonim duke ndjekur atë diskurs, a janë eventualisht të vdekur, dhe a kanë ndodhur eventualisht ato atentate: Vrasja e ministrit Ahmet Krasniqi (1998), Ali Ukës (1997), Ilir Konushecit, Enver Malokut, Sabri Hamitit (i plagosur me tre plumba), Behajdin Hallaqit, Shaban R. Shalës, Agim Qelës, Sadri Ramqës, Mirush Dakajt, Xhemail Mustafës, Rashit Mustafës “Karadakut”, Haki Imerit, Ekrem Rexhës-Drinit, Shaban Manajt, Ramiz Hoxhës e Selman Binishit, Shefki Popovës, Smajl Hajdarajt, Ismet Rracit, Rexhë Osajt, Ramë Idrizajt-Peja, Bashkim Balajt, Sinan Musajt, Besim Dajakut e Bekim Kastratit, Hajdar Ahmetit, Sabahate Tolajt, Isuf Haklajt, Ilir Selimajt, Arben Sejdiut, Xhevat Jusufit, Skënder Gashit, Ukë Bytyçit, kolonel Tahir Zemajt, Enis dhe Hasan Zemajt, Kosovë e Albert Zeqirajt, Bardhyl Ajetit... e qindra vrasje të tjera politike.

Image
Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi i vdekur pas atentatit, shihet edhe gjurma e plumbit

Unë kam shkruar, mendoj jo pak për këto, dhe kundërshtarët e Krajës, nuk më bindin aspak, se vrasjet politike nuk kanë ekzistuar, aq më tepër që ato bëheshin me lista, dhe ato kishin gjetur kohë t’i bënin që në luftë, e mbase ende pa filluar ajo, duke e vënë të parin, Ibrahim Rugovën, prijësin më të madh të shqiptarëve, 530 vjet pas vdekjes së Skënderbeut!

Nëse ata e dinë një histori tjetër të vrasjeve politike le ta tregojnë dhe le të dëshmojnë, kush ishin autorët, porositësit, ekzekutorët e vrarë e të mbijetuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat