Paragjykimet pengojnë vajzat e komuniteteve të ndjekin drejtime profesionale

Aktuale

Paragjykimet pengojnë vajzat e komuniteteve të ndjekin drejtime profesionale

Më: 4 mars 2023 Në ora: 17:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Zana Xërxa, mësimdhënëse e gjuhës angleze në shkollën e mesme teknike "Nexhmedin Nixha", tregon se numër i vogël i vajzave po vijojnë mësimin në këtë shkollë. Ajo tregon se rreth pesë për qind e nxënësve i takojnë komuniteteve dhe që prindërit nuk lejojnë vajzat e tyre të ndjekin këto drejtime si shkak i paragjykimeve.

Nxënës dhe mësimdhënës të shkollave në Gjakovë, janë trajnuar gjatë ditës së sotme mbi edukimin mediatik. Sot është përmbyllur faza e dytë me temën "Keqinformimi, dezinformimi dhe informimi keqdashës", në kuadër të projektit "Edukimi mediatik për mësimdhënësit e nxënësve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian".

Xërxa: Dezinformatat kanë ndikuar që prindërit mos t'i sjellin vajzat në disa drejtime

"Kushtet sociale janë në përgjithësi një ndër faktorët që ndikojnë ndoshta negativisht te nxënësit, në veçanti të komuniteteve jo-shumicë. Ndërsa, sa i përket informimit, çështjeve të mediave, tek ne janë disa drejtime teknike të cilët janë kryesisht nxënësit meshkuj. Prandaj diçka nga dezinformatat është se prindërit ishin dezinformuar që nuk ka vajza në ato drejtime dhe hezitojnë t'i binë tek disa drejtime të caktuara te ne. Kjo ka ndikuar që shumica e vajzave pas regjistrimit edhe ta lëshojnë mësimi, mos ta vazhdojnë tutje", tregon ajo.

Edhe Ernesa Bajrami, e cila është në vitin e parë të shkollës së mesme të mjekësisë "Hysni Zajmi", thotë se bashkëmoshatarët e saj po përballen me bullizëm, paragjykim e përjashtim.

Bajrami: Shumë nxënës të komuniteteve e kanë lënë shkollën

"Shumë shpesh dalin lajme të rreme edhe pse nuk je aspak asi tipi, të gjithë po i besojnë atij lajmi. Shumë nxënës të komuniteteve edhe kanë lënë shkollën në gjysmë...Më së shumti nxënësit e komuniteteve edhe nëse nuk është personalisht për ty, e merr atë sikur e kanë bërë për ty", shprehet ajo.

Menaxheri i projektit, Fadil Miftari tregon se sesionet trajnuese kanë nisur në shtator dhe kanë marrë pjesë mbi 160 nxënës e mësimdhënës.

Miftari: Janë trajnuar më shumë se 160 pjesëmarrës

"Brenda këtyre tetë trajnimeve janë trajnuar në lidhje me temën diku më shumë se 160 pjesëmarrës në total. Një numër jashtëzakonisht i madh, rreth 70 për qind e pjesëmarrëse kanë qenë gra arsimtare/mësimdhënëse, nxënëse që kanë qenë nga gjinia femërore dhe siç e patë edhe sot këtu në Gjakovë, 100 për qind ishin gra dhe vajza", shprehet ai.

Më tej, thekson se si shkak i dezinfomimit shumë fëmijë të komuniteteve po braktisin shkollat.

Miftari: Ne kemi dashur të japim informacion se si të mbrohen

"Njëra nga gjetjet ka qenë që pjesëtarët e këtyre komuniteve nuk i janë përgjigjur pozitivisht vaksinimit kundër Covid-19, krejtësisht për shkaqe të dezinformimit. Pastaj kanë qenë edhe gjetje të tjera, që një numër i madh i vajzave braktisin shkollat për shkak të informatave jo të sakta ose paragjykimeve në raport me to. Këto kanë qenë disa elemente që ne kemi dashur të ndërhyjmë dhe t’iu japim informacion se si të mbrohen", vijon Miftari.

Trajnerja Linda Baleta shprehet se qëllimi i këtyre sesioneve me nxënës dhe mësimdhënës, ka qenë që ata të arrijnë të identifikojnë lajmet me përmbajtje manipulative.

Baleta: Qëllimi i trajnimeve ka qenë që pjesëmarrësit të mund të identifikojnë manipulimet

"Qëllimi i trajnimit "edukimi mediatik për nxënësit, mësimdhënësit dhe aktivistë të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian", ka qenë që gjithë pjesëmarrësve t’u barten shkathtësitë se si ata të mund të identifikojnë, të mos pranojnë përmbajtjen mediatike që është manipulative dhe në vend të saj të zgjedhin informacionin që është i besueshëm, objektiv dhe i verifikuar", tregon ajo.

Me mbështetjen financiare nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Agjencia e Lajmeve "KosovaPress", së bashku me organizatën joqeveritare "Young Community Leaders Center/ YCLC", kanë organizuar këto trajnime në kuadër të projektit shtatëmujor, ku është synuar ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian.

Projekti ka përfshirë dy faza, ku në fazën e parë kanë qenë të përfshirë mësimdhënësit e shkollave fillore nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Ndërkaq, në fazën e dytë kanë qenë të përfshirë profesorët dhe nxënësit e nivelit të mesëm shkollor nga klasa 10 deri në 12. Ndërsa, gjatë marsit do të mbahet edhe një punëtori tjetër që do t'i përfshijë aktivistët e shoqërisë civile nga këto tri komunitete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat