​Varhelyi për Asociacionin: Drafti i ekipit menaxhues të jetë pikënisje për diskutime

Aktuale

​Varhelyi për Asociacionin: Drafti i ekipit menaxhues të jetë pikënisje për diskutime

Më: 10 maj 2023 Në ora: 11:18
Oliver Varhelyi

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, deklaroi se drafti i ekipit menaxhues është pikënisje për diskutime të mëtejshme rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Evropian ku u diskutua raporti për Kosovën për vitin 2022, Varhelyi tha se dialogu ka pasur përparim gjatë vitit të fundit.

Duke përmendur marrëveshjet e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksin e zbatimit më 18 mars në Oher, Varhelyi tha se tani është thelbësore që të dyja palët të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre pa vonesë nga kjo marrëveshje.

Varhelyi: Drafti i ekipit menaxhues, pikënisje për diskutime rreth Asociacionit

“Çelës që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe siç ka theksuar përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, drafti i ekipit menaxhues është pikënisje për diskutime të mëtejshme rreth asociacionit. Normalizimi është kyç për të dyja palët për të avancuar në rrugën e tyre përkatëse evropiane dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, deklaroi komisioneri evropian.

Në lidhje me aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Varhelyi deklaroi se pakoja e ardhshme e zgjerimit do të vlerësojë progresin që ka bërë Kosova.

Varhelyi: Drafti i ekipit menaxhues, pikënisje për diskutime rreth Asociacionit

“Pakoja e ardhshme e zgjerimit 2023 do të ishte sigurisht një mundësi tjetër për të vlerësuar progresin që ka bërë Kosova, sepse ne jemi të qartë dhe jemi të përkushtuar se reformat e BE-së janë të nevojshme, do të sjellin prosperitet, stabilitet dhe paqe në Kosovë, si dhe në rajonin më gjerë. Kështu që unë besoj në mbështetjen e Parlamentit Evropian për t'iu bërë jehonë këtyre mesazheve dhe për të mbetur e angazhuar me Kosovën dhe në Kosovë, dhe më shumë se kurrë BE-ja duhet t'i përmbushë këto zotime dhe ta bëjë realitet perspektivën e BE-së për Kosovën”, tha ai.

Varhelyi, duke përmendur tashmë procesin e përfunduar rreth liberalizimit të vizave dhe vendimin që më largu nga 1 janari i vitit të ardhshëm shtetasit kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen, tha se ky është një sinjal se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në familjen evropiane.

Komisioneri evropian përgëzoi Kosovën për përafrimin e politikës së jashtme me atë të BE-së duke dënuar agresionin rus në Ukrainë.

Varhelyi: Qeveria e Kosovës mori qëndrime të qarta duke dënuar agresionin rus

“Më në fund të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qasje pa viza në BE. Ky është një tjetër sinjal pozitiv për të gjithë rajonin dhe një tjetër angazhim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron brenda Bashkimit Evropian... Qeveria e Kosovës ka marrë qëndrime të qarta duke dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe duke u rreshtuar me deklaratat dhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ne e mirëpresim këtë përkushtim të qartë me vlerat dhe qëndrimet e BE-së”, deklaroi Varhelyi.

Varhelyi tha seKosova vazhdon përpjekjet e saj për të përmbushur reformat në lidhje me BE-në, duke përfshirë fushat kyçe si luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai shtoi se në përpjekjet e luftës kundër korrupsionit, ka nevojë për përmirësimin e zbatimit të kuadrit të përgjithshëm ligjor.

Varhelyi: Progres i kufizuar në ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar

“Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të arritur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare, dhe konfiskim përfundimtar të pasurisë. Për sa i përket krimit të organizuar, raporti i komisionit përcakton se është bërë progres i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Ne gjithashtu do të donim të shihnim një ritëm më të shpejtë të reformave duke përfshirë kuvendin, që ka një rol kritik për të luajtur në avancimin e agjendës së qeverisë drejt BE-së. Ne mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, vijoi Varhelyi.

Megjithatë, Varhelyi shtoi se administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimeve të panevojshme. Ai shtoi se këto përpjekje duhet të respektojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë çështje të cilat ne i kemi mirëpritur.

Duke u ndalur te ekonomia, komisioneri evropian u shpreh se sfidat më të mëdha janë në sektorin energjetik. Ai përmendi mbështetjen e BE-së prej 75 milionë eurosh si pjesë e pakos për të përballur këtë krizë.

Varhelyi: BE dhe Kosova po përballen me sfida të përbashkëta në ekonomi

“Në frontin ekonomik, BE-ja dhe Kosova po përballen me sfida të përbashkëta, energji dhe produkte të tjera, inflacion dhe shqetësime për të ardhmen. Siç theksoi komisioni në raportin e tij, Kosova ka bërë progres në kriteret ekonomike dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie funksionale. Ekonomia tregoi elasticitet gjatë pandemisë, megjithatë sfidat strukturore të gjata si ekonomia joformale e përhapur, prevalenca e lartë e korrupsionit, dhe sundimi i përgjithshëm i dobët i ligjit vazhdojnë të pengojnë sektorin privat. Sektori i energjisë mbetet gjithashtu një shkak për shqetësim, jo vetëm për Kosovën, por për shumë nga partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Varhelyi tha semë shumë fonde do të vihen në dispozicion për të mbështetur Kosovën me rritjen e tranzicionit të saj të gjelbër.

Ai kërkoi nga Kosova që të shtojë përpjekjet e saj për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara në planin e investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe IPA III.

Ai tha se mirëpresin tri marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të Berlinit në fund të vitit të kaluar, porse Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive në iniciativat e bashkëpunimit rajonal në mënyrë që të mundësohet përparim i mëtejshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat